Zeqa: Keqpërdorimi i pushtetit, i zakonshëm në Kosovë

  • 27 April 2019 - 14:10
Zeqa: Keqpërdorimi i pushtetit, i zakonshëm në Kosovë

“Keqpërdorimi i pushtetit nga ana e politikanëve për rehatimin  e militantëve partiakë dhe familjarëve të tyre është bërë shqetësim për diplomatët perëndimorë.

Reagimi i fundit i ambasadorit britanik O'Connëll ndaj politikanëve dhe komandantëve të djeshëm që po i dërgojnë listat për punësime në institucionet shtetërore, është goditje e fuqishme ndaj Shpend Ahmetit dhe Fatmir Limajt të cilët kanë rehatuar" familjaret, dajallarët dhe tezakët e tyre në të ashtuquajturin Ekip negociator apo më mirë të themi ekip pazarxhinjsh me territorin e Kosovës.

Vërtet  është shqetësuese për ndërkombëtarët dhe e dhimbshme për qytetarët e vendit çështja e punësimeve në sektorin publik. Kosova nuk është se po vuan për infrastrukturë ligjore, sa vuan nga moszbatimi i ligjeve.

“Është tepër i dhimbshëm dhe shqetësues fakti që një grup njerëzish janë shndërruar në vrasës të shpresave të qytetarëve, të cilët vendosin për çdo gjë dhe gjithçka në Kosove, filluar nga shpallja e tenderëve e konkurseve e deri tek punësimet pa kritere në të gjitha institucionet shtetërore, filluar nga administrata, shkolla e fakultet e deri në Qeveri e Presidencë, konsullata dhe ambasada gjithandej vendeve europerëndimore ku gjithnjë emërohen njerëz të afërt me politikën apo sekserë të tyre në diasporë. Kjo nuk është filozofia e ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit, por është logjika më primitive e kapjes dhe uzurpimit të shtetit nga politikanët e korruptuar kosovarë”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)