“Kosova Sot”, gardiane e vlerave dhe interesit të shqiptarëve

  • 28 April 2019 - 07:46
“Kosova Sot”, gardiane e vlerave  dhe interesit të shqiptarëve

Opozitë e fortë kundër regjimit të kasapit të Ballkanit

Qytetarët thonë se “Kosova Sot” në vazhdimësi shkruan për krimin, korrupsionin, ryshfetin, tenderomaninë dhe të këqijat e tjera bashkë me zhvatjet e pushtetarëve të pasluftës që po shfaqeshin në vendin tonë

Image
Rrahman Rrahmani

Rrahman Rrahmani, qytetar

Gjatë kohës së luftës, gazeta “ Kosova Sot” e ka kryer me shumë sukses misionin e vet, duke qenë një dritare e madhe e informimit për opinion vendor e të huaj për gjenocidin çfarë po e bënte Serbia në Kosovë. E keqja është se punën që e ka bërë gazeta ka qenë me shumë vështirësi dhe me një sakrificë, sepse gazeta e pësoi dënimin dhe më pas edhe djegien e shtypshkronjës. Mediumi juaj, gazeta “Kosova Sot” , e tregoi veten edhe në luftë, edhe më paqe, pasi gjatë kohës së luftës ajo e informoi qytetarin vendor dhe ndërkombëtarët me gjenocidin e regjimit të Milosheviqit. Prandaj, gazeta ”Kosova Sot” në periudhën e luftës, deri në djegien e shtypshkronjës, ishte një opozitë e fortë e regjimit të Kasapit të Ballkanit. Ajo me informata, se çfarë gjenocidi bëhej në Kosovës, kjo gazetë edhe e arriti efektin e saj. Por, e mira është se edhe pas luftës ,”Kosova sot” u këndell shumë shpejt dhe po vazhdon me aktivitetin e saj, duke informuar qytetarët mbi zhvatjet e pushtetarëve që po ndodhin në Kosovë, veçanërisht në luftimin dukurive të këqija në vend. Pra, gazeta “Kosova Sot”, në misionin e saj pas lufte, me po të njëjtin sukses po e luan rolin afirmativ në luftimin e dukurive të këqija, sepse po di ta ruajë paanshmërinë dhe korrektësinë e informimit të opinionit. Dhe, si e tillë gazeta “ Kosova Sot” po mbetet gazeta lidere mes medieve të shkruara të Kosovës.

 Gazetë lidere e vendit

Image
Bedri Blakqori

Bedri Blakqori, qytetar

Roli i gazetës “ Kosova Sot” ishte i tillë, prijatar gjatë luftës, ku me guximin dhe informimin e drejtë nuk hezitoi aspak të shkruajë mbi gjenocidin e Milosheviqit që e bënte ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kjo i kushtoi gazetës, sepse ky medium fillimisht u dënua me 300 mijë marka gjermane, kurse më pas, më 24 mars 1999, forcat serbe e dogjën edhe shtypshkronjën e “Kosova Sot”. Por, edhe pas luftës roli i gazetës “ Kosova Sot’ mbetet një medium me shumë rëndësi për qytetarët e vendit dhe e them lirshëm se është një gazetë lidere e vendit, sepse temat që ajo i trajton janë për të gjitha grupmoshat dhe në veçanti janë të rëndësishme informatat për krimin e organizuar, korrupsionin dhe ryshfetin që si dukuri kanë zënë rrënjë në Kosovën e pasluftës. Prandaj, e them lirshëm se kjo gazetë, ashtu si ka qenë një dritare e informimit në kohën e luftës, e tillë mbeti edhe në kohën e paqes . Dhe, si e tillë gazeta “ Kosova Sot’ mbetet njëra nga gazetat më të preferuara në Kosovë dhe pa asnjë dyshim se ajo është gazetë lidere e vendit, falë paanshmërisë dhe besueshmërisë së saj.

Image
Asllan Zeqiri

Asllan Zeqiri, qytetar

Roli i gazetës “ Kosova Sot” gjatë kohës së luftës ka qenë shumë i rëndësishëm, sepse ajo si medium ishte një dritare e informimit të opinionit vendor dhe atij të huaj për krimet serbe që po bëheshin në Kosovë dhe dëbimin e 1 milion shqiptarëve autoktonë. Asokohe ishin momentet më të vështira të popullit tonë, sepse gjithçka ishte e censuruar dhe e mbikëqyrur nga regjimi i Milosheviqit, por falë punës së gazetës ”Kosova Sot’ u bë njoftimi i opinionit vendor dhe të huaj për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe për pasojë e pagoi shtrenjtë, sepse këtij medium, më 24 mars 1999, iu dogj shtypshkronja. Ndërsa pas luftës, gazeta “ Kosova Sot’ vazhdoi po me të njëjtin hap dhe po të njëjtën politikë të pavarur dhe si medium ka vazhduar me shkrimet, duke i luftuar në vazhdimësi krimin, korrupsionin, ryshfetin e tenderomaninë dhe të këqijat e tjera bashkë me zhvatjet e pushtetarëve të pasluftës dhe të këqijat e tjera që po shfaqeshin në vendin tonë e që edhe sot e përcjellin Kosovën. Por, me gjithë sfidat me të cilat është ballafaquar gazeta “ Kosova Sot”, prapëseprapë ajo ngelet një gardiane i vlerave dhe interesit të shqiptarëve në Kosovë.

 Artikulim i kërkesave të popullit

Avdullah Musa, qytetar

Gazeta “ “ Kosova Sot”, sidomos gjatë kohës së luftës, si medium ishte një kontribuuese e madhe e lirisë dhe pavarësisë dhe ajo ishte një dritare e informimit për vendorët dhe miqtë tanë, SHBA-ja dhe Evropa. Sepse shkrimet e kësaj gazete ishin artikulim i kërkesave të popullit dhe një zë i institucioneve të Kosovës përballë regjimit fashist të Slobodan Milosheviqit dhe luftës së shqiptarëve autoktonë për lirinë e Kosovës. Sepse ,”Kosova Sot” luajti një rol shumë të rëndësishme në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për krimet dhe gjenocidin që bëri Serbia në Kosovë. Puna e gazetës” Kosova Sot” u bë halë në sytë e regjimit serb dhe për pasoja “ Kosova Sot” pati një represion shumë të madh nga regjimi i Milosheviqit. “Kosova Sot “e përjetoi fatin e shqiptarëve autoktonë, pasi e lidhi fatin e mbijetesës së saj me mbijetesën e popullit ndaj e barti dhunën mbi supe.

(Kosova Sot)