Dy qeveritë prodhuan vetëm propagandë, Shqipëria injoroi panairin e Prishtinës

  • 28 April 2019 - 07:52
Dy qeveritë prodhuan vetëm propagandë, Shqipëria injoroi panairin e Prishtinës

Grapci: Kosova dhe Shqipëria duhet ta luftojnë krimin-ekonomik

 “Krijimi i një hapësire të tregtisë së lirë midis Kosovës e Shqipërisë do të ishte në kundërshtim me politikat dhe përpjekjet e Beogradit për ta izoluar dhe dëmtuar suksesin e Kosovës në fushën ekonomike, financiare e të mirëqenies. Kësisoj Beogradi dëshiron edhe dëmtimin e shtetësisë së saj. Sepse në vend që tregtia dhe biznesi midis dy vendeve të lehtësohen nga barrierat, Shqipëria ka vendosur barriera të reja ndërmjet të dyja vendeve. Jam i bindur se taksa e Ramës në Rrugën e Kombit ishte një taksë hakmarrjeje dhe kundër tregtisë së lirë midis dy vendeve”, theksoi profesori Enver Bytyçi për gazetën “Kosova Sot”

Vetëm 4-5 kompani nga Shqipëria morën pjesë në panairin ndërkombëtar “Prishtina 2019” e kjo sipas analistëve flet shumë për bashkëpunim ekonomik mes të dyja vendeve. Ata thonë se kur do ta kuptojnë shqiptarët e të dyja anëve të kufirit se vetëm duke u forcuar në prodhimtari mund të bëhemi shtete të forta që ta plotësojmë njëra-tjetrën në pikëpamje ekonomike. Sipas tyre, gjersa sundojnë mafio-oligarkët me monopole ekonomike, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk ka treg efektiv të përbashkët. Sipas analistëve, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri sundojnë disa familje mafioze, prandaj edhe nuk mund të kemi treg të lirë e as zhvillim e bashkëpunim ekonomik për së mbari.

Image
Enver Bytyqi

“Oligarkët e Shqipërisë janë porositur prej kryeministrit të Shqipërisë të tërhiqen nga investimet në Kosovë”

Profesori Enver Bytyçi theksoi për gazetën “Kosova Sot” se panairet janë gjithnjë një lajm i mirë për çdo vend.“Për shqiptarët panairet janë më shumë sesa reklamë për tregti, janë gjithashtu lidhje, bashkëpunim vëllazëror, janë emocion, dashuri dhe krenari. Në kushtet e një izolimi dhe ndarjeje njëshekullore, këto 20 vite të lirisë dhe lëvizjes së lirë në hapësirën shqiptare do të duhej që panairet të ishin gjithëpërfshirëse. Por nuk po ndodh kështu. Më kujtohet panairi i parë i librit në dhjetor 1999, i organizuar në Prishtinë, në të cilin isha pjesëmarrës me shtëpinë time botuese KOHA. Entuziazmi ishte i shkallës më të lartë. Pjesëmarrje thuajse e të gjitha shtëpive botuese nga Shqipëria. Por gradualisht edhe ky panair e ka zbehur interesin e botuesve të Shqipërisë. Kësaj radhe në Panairin PRISHTINA 2019 kanë marrë pjesë vetëm tri-katër firma nga Shqipëria. Është trishtuese që sot, pas dy dekadave, të shohësh këtë rezultat bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve. Nëse edhe në panaire nuk ka pjesëmarrje, kjo do të thotë se biznesi i Shqipërisë nuk ka asnjë interes për bashkëpunim dhe bërjen biznes në Kosovë. Pse ndodh kjo? Së pari, sepse politikat financiare, doganore dhe tatimore të të dyja vendeve janë të ndryshme, të paharmonizuara, nuk favorizojnë konkurrencën e ndershme”, u shpreh ai. Sipas Bytyçit, politika zyrtare, sidomos në Tiranë, nuk ka shfaqur asnjë interes për thellimin e bashkëpunimit midis të dyja vendeve. “Madje dyshoj se midis Qeverisë së Tiranës dhe asaj të Serbisë ka një rekordim politikash e praktikash me qëllim dobësimin e lidhjeve ekonomike e të sipërmarrjes midis Tiranës dhe Prishtinës. Politika zyrtare e Edi Ramës është dukshëm një politikë propagandistike, por që synon të fshehë pikërisht një shërbim të caktuar politikave izoluese të Kosovës. Krijimi i një hapësire të tregtisë së lirë midis Kosovës e Shqipërisë do të ishte në kundërshtim me politikat dhe përpjekjet e Beogradit për ta izoluar dhe dëmtuar suksesin e Kosovës në fushën ekonomike, financiare e të mirëqenies. Kësisoj Beogradi dëshiron edhe dëmtimin e shtetësisë së saj. Sepse në vend që tregtia dhe biznesi ndërmjet dy vendeve të lehtësohen nga barrierat, Shqipëria ka vendosur barriera të reja ndërmjet të dyja vendeve. Jam i bindur se taksa e Ramës në Rrugën e Kombit ishte një taksë hakmarrjeje dhe kundër tregtisë së lirë ndërmjet dy vendeve. Ishte e tillë pasi që zoti Rama priti që pas shout në Beograd në aktrimin e tij me Aleksandar Vuçiq në vjeshtën e vitit 2014 të pritej si Skënderbeu nga qytetarët e Kosovës dhe kësisoj të merrte paritetin e bashkëpunimit me ish-kryeministrin serb për ndarjen e Kosovës, madje pa e pyetur fare lidershipin e Kosovës. Mungesa e entuziazmit të Kosovës për shoun e Ramës çoi në hakmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë edhe në fushën ekonomike, sipërmarrjes dhe tregtisë. Madje kam përshtypjen se oligarkët e Shqipërisë janë porositur prej kryeministrit të Shqipërisë të tërhiqen nga investimet në Kosovë. Ai nuk e dëshiron bashkëpunimin e ngushtë midis të dyja vendeve. Ai tallet me kosovarët, i shpërfill ata. Imagjino kur vjen në mbledhjet e qeverive dhe i hakërrehet homologut të tij kosovar, sikur ta kishte vartës të tij, duke përfituar nga respekti që Kosova ka për Shqipërinë”, u shpreh ai. Sipas Bytyçit, mbledhjet e qeverive kanë prodhuar vetëm propagandë, por kurrfarë pune e rezultati. Atmosfera e bashkëpunimit midis dy palëve është e zymtë dhe shumë e rënduar.“Grindjet politike për qëndrimet e kundërta midis shqiptarëve dhe grupit bashkëpunues me Beogradin me Thaçin, Ramën e Baton Haxhiun për dhe kundër ndarjes së Kosovës e kanë favorizuar gjithashtu këtë atmosferë mosbesuese në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”.

Image
Dardan Grapci

Grapci: Kosova dhe Shqipëria duhet të fokusohen në ndërtimin e fabrikave të prodhimtarisë


Analisti Dardan Grapci theksoi për “Kosova Sot” se bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në sektorët e kompanive të ndryshme në të dyja vendet, ku qytetarët të gjejnë punë duhet të ndodhin, por këto kompani nga Shqipëria që kanë marrë pjesë ndoshta në numër nuk janë të mjaftueshme, duke e ditur që vitin e kaluar mbi 18 biznese serbe kanë marrë pjese në këtë panair. “Kosova dhe Shqipëria duhet të fokusohen në ndërtimin e fabrikave të prodhimtarisë, e jo të importit nga shtetet fqinje dhe shteteve të BE-së, se me këto importe taksat po rriten dhe çmimet janë shumë të larta saqë qytetarët e kanë të vështirë t’i blejnë ato, duke e ditur ekonomia në vend është SKANDALOZE”, është shprehur ai. Sipas tij, vetëm me ndërtimin e fabrikave dhe shtrirjes së punës në çdo qytet të Kosovës dhe të Shqipërisë jam i bindur që për 5 vitet e ardhshme papunësia do të ulet për 8%. Gjithashtu, dy qeveritë, siç janë ajo e Kosovës dhe Shqipërisë, duhet ta luftojnë krimin ekonomik dhe vetëm në këtë mënyrë Kosova dhe Shqipëria do të bëhen shembull për rajonin e Ballkanit.

 Bytyçi: Rama tallet me kosovarët

“Kam përshtypjen se oligarkët e Shqipërisë janë porositur prej kryeministrit të Shqipërisë të tërhiqen nga investimet në Kosovë. Ai nuk e dëshiron bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet të dyja vendeve. Ai tallet me kosovarët, i shpërfill ata. Imagjino kur vjen në mbledhjet e qeverive dhe i hakërrehet homologut të tij kosovar, sikur ta kishte vartës të tij, duke përfituar nga respekti që Kosova ka për Shqipërinë. Mbledhjet e qeverive kanë prodhuar vetëm propagandë, por kurrfarë pune e rezultati. Atmosfera e bashkëpunimit midis dy palëve është e zymtë dhe shumë e rënduar.“Grindjet politike për qëndrimet e kundërta midis shqiptarëve dhe grupit bashkëpunues me Beogradin me Thaçin, Ramën e Baton Haxhiun për dhe kundër ndarjes së Kosovës e ka favorizua gjithashtu këtë atmosferë mosbesuese në marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës”, theksoi profesori Enver Bytyçi për “Kosova Sot”

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Politikës dhe oligarkëve nuk u leverdis një treg i përbashkët

“Kosova dhe Shqipëria për dy dekada nuk kanë arritur të krijojnë një treg të përbashkët. Mbledhjet e përbashkëta të të dyja qeverive që po mbahen tash e disa vite rresht po rezulton të jenë vetëm mbledhje marketingu. Importi i Kosovës dhe Shqipërisë është rreth 10 miliardë euro në vit. Një treg i përbashkët importin do ta reduktonte përgjysmë. Nëse 5 miliardë euro do të ngelnin në të dyja shtetet shqiptare, brenda një viti ekonomitë e Kosovës dhe Shqipërisë do të lulëzonin. Por, politikës dhe oligarkëve nuk u leverdis një treg i përbashkët, sepse zhvillimi ekonomik do t'ua shkulte rrënjët e krimit ekonomik dhe politik oligarkik”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”

(Kosova Sot)