NASA përgatitet për ta mbrojtur planetin nga asteroidet

  • 28 April 2019 - 12:03
NASA përgatitet për ta mbrojtur planetin nga asteroidet

Agjencia amerikane për studimin e hapësirës, NASA, do ta kryejë një ushtrim për t’u përgatitur për rënien e mundshme të ndonjë asteroidi në planetin tonë.

Ushtrimi i quajtur “tabletop” do të shërbejë për këtë agjenci dhe organizatat tjera qeveritare në Shtetet e Bashkuara që t’i përgatisin reagimet në rast të rënies së ndonjë asteroidi. I tërë ushtrimi do të jetë inskenim i ngjarjes së vërtetë.

Në këtë ushtrim, përpos NASA-s, do të marrin pjesë edhe disa organizata ndërkombëtare, të cilat do t’i testojnë aftësitë e tyre reaguese në rast të ndonjë fatkeqësie të tillë natyrore.

“Këto ushtrime na kanë ndihmuar vërtet shumë në komunitetin e mbrojtjes planetare për të kuptuar se çfarë duhet të dinë kolegët tanë në sektorin e menaxhimit të fatkeqësive. Ky ushtrim do të na ndihmojë të ndërtojmë komunikim më efektiv mes vete dhe me qeveritë tona”, tha Lindley Johnson, zyrtar i NASA-s për mbrojtje planetare.

NASA dhe organizatat tjera e kanë hulumtuar qiellin për 20 vjet për t’i analizuar objektet qiellore, përfshirë asteroidet dhe kometat që i afrohen Tokës më afër se 30 milionë milje.

Sipas skenarit të ushtrimit, astronomët kanë zbuluar se një asteroid i rrezikshëm po i afrohet Tokës. Atyre u thuhet se ky objekt ka gjasa 100 për qind që ta godasë Tokën në vitin 2027. Kjo nënkupton se duhet të ndërmerren masa të menjëhershme.

Në ushtrimet e kaluara për këtë çështje është vërtetuar se punëtorët e menaxhimit të emergjencave më tepër janë të interesuar për vendin dhe kohën e goditjes së asteroidit dhe nuk ishin të dhënë pas hollësive shkencore për objektin, shkruan “Independent”

(Kosova Sot)