Fytyra e pafajshme e djaloshit që kreu sulmin vetëvrasës në Sri-Lankë

  • 28 April 2019 - 14:04
Fytyra e pafajshme e djaloshit që kreu sulmin vetëvrasës në Sri-Lankë

Motra e njërit prej sulmuesve të Sri-Lankës, i cili kishte studiuar në Britani të Madhe dhe Australi, ka treguar se si vëllai i saj ishte radikalizuar jashtë vendit. Sipas saj, kohëve të fundit ai ishte shumë i zemëruar dhe dukej si i çmendur.

Në një intervistë për faqen britanike “Daily Mail”, Samsul Hidaya tha se sulmuesi Abdul Lathief Jameel Mohamed ishte edukuar në nivelin më të lartë, por se ishte bërë person i tërhequr dhe i ndjeshëm.

“Vëllai im u bë shumë religjioz përderisa ishte në Australi. Ai ishte njeri i zakonshëm kur shkoi në Britani, por pasi diplomoi në Australi, erdhi si njeri tjetër”, shtoi ajo.

“Ai e donte muzikën dhe ishte djalë qesharak. Më mërzit ajo që i ka ndodhur. Para se të vdiste, ai nuk i lejonte fëmijët e tij të dëgjonin muzikë dhe nuk i thoshte askujt ndonjë fjalë miqësie”, tha motra e tij.

Në disa fotografi të publikuara nga familja e tij, shihet se sulmuesi ishte një fëmijë i buzëqeshur dhe dukej mjaft i padjallëzuar. Fytyra e tij duket e pafajshme dhe në disa fotografi shihet duke luajtur me kafshë, përfshirë një krokodil të vogël.

Gruaja e sulmuesit të vrarë është arrestuar nga policia, ndërsa katër fëmijët e saj të moshës nga gjashtë muaj në gjashtë vjet po qëndrojnë me gjyshen e tyre, shkruan “Daily Mail”

(Kosova Sot)