Samiti i Berlinit, vjen paralajmërimi: Kështu do të veprojë Merkel, ja çfarë do të kërkojë

  • 28 April 2019 - 15:25
Samiti i Berlinit, vjen paralajmërimi: Kështu do të veprojë Merkel, ja çfarë do të kërkojë

Gjatë ditës së nesërme, në Berlin do të takohet pala kosovare dhe ajo serbe më ftesën e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emanuel Makron.

Por çfarë do të ndodhë në Samitin e nesërm në Berlin? A do të marr goditjen përfundimtare Hashim Thaçi për idenë e tij për korrigjim kufiri mes Kosovës dhe Serbisë?

Lidhur me këtë çështje për gazetën “Kosova Sot”, ka folur analisti politik Ali Hertica. Ai tha se nuk pritet ndonjë rezultat pozitiv nga ky takim për të dyja vendet përveç presioneve nga vendet mikpritëse në këtë samit.

Image
Ali Hertica

“Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron, liderët që do ta shfuqizojnë taksen ndaj Serbisë në takimin joformal të Berlinit, taksë kjo e vendosur nga Kosova dhe në të njëjtën kohë do të shtojnë presionin për të dyja palët që të ulin tensionet mes tyre, për një zgjidhje përfundimtare deri në shtatorin e këtij viti, që të ketë zgjedhje të parakohshme për të dyja palët në rajonin e Ballkanit. Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vazhdon ta mbështesë Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por do të ketë një marrëveshje bilaterale në mes dy shteteve, me qëllim që ta njohin njëra tjetrën reciprocikisht si dy shtete fqinjësore. Por, Merkel do ta paralajmërojë Beogradin se në këtë rrugë duhet të zgjidhë problemin e raporteve me Kosovën”, u shpreh Hertica për “Kosova Sot”.

Ndër të tjera, ai tha se është shumë e rëndësishme që Kosova të ruaj aleatët e saj. 

"Negociatat e anëtarësimit mund të jenë të suksesshme nëse vazhdojnë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe të normalizohen marrëdhëniet me Kosovën. Me shtetin e Kosovës duhet të ketë marrëveshje kontraktuale si dy shtete të barabarta në arenën ndërkombëtare. Gjermania është një prej vendeve të cilat kanë kërkuar edhe hapur që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe që në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel, të nënshkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridike për normalizimin e raporteve me Kosovën. Marrëveshja për normalizimin e raporteve me Kosovën është paraqitur në Bruksel si një prej kushteve kryesore për anëtarësimin e Serbisë në BE. Por tani është një platformë e çoroditur ruse, ku shumë lehtë mund të jetë një dinakëri e saj, duke i ndihmuar edhe të inkriminuarit e politikës shqiptare që të armiqësohen me faktorin ndërkombëtar dhe me shtetet aleate mike siç është Amerika, Anglia dhe Franca, sikurse Gjermania”, deklaroi Hertica. 

Për fund, ai ka thënë se Kosova duhet ta forcojë shtetin ligjor dhe të largojë të gjithë të inkriminuarit nga skena politike.

“Kosova dhe liderët politik duhet të forcojnë shtetin ligjor, i cili do ketë pasqyrë reale se në Kosovë sundon ligji dhe drejtësia, por duhet të largohen të gjithë të inkriminuarit nga skena politike dhe që nga gjykatat ta marrin dënimin meritor për gjithë këtë korrupsion dhe largimin e qytetarit nga Kosova. Krerët e gjykatave dhe pikërisht kreu i prokurorisë së shtetit është i involvuar në shumë skandale dhe në pezullimin e dosjeve të bandave kriminale në Kosovë”, përfundoi për gazetën “Kosova Sot”, analisti politik Ali Hertica.

(Kosova Sot)