Jeta e mjerë e Kujtim Gigollit

  • 28 April 2019 - 15:51
Jeta e mjerë e Kujtim Gigollit

Këto ditë në familjen e Kujtim Gigollit ka vetëm vaj e lemeri. Ai posa është kthyer nga operimi i rëndë i venave të këmbës dhe mezi arrin të zvarritet nga shtrati i tij që e quan shtrati i vdekjes dhe mezi arrin të flasë. Kujtimi pohon se merr një ndihmë sociale prej 107 eurosh, por vetëm për ilaçe i harxhon, ndërsa të diabetit i merr falas 150 euro. "Kudo që shkoj e shoh se duhen paratë, ne s'kemi asnjë burim dhe jetojmë në këtë dhomë ku më shumë ka lagështi se ajër, jetojmë këtu ngase kjo është vetë vdekja jonë. Gruaja është e sëmurë, fëmijët me shëndet të dobët, pa asnjë kusht elementar të jetës", shprehet ai për "Kosova Sot".

Varfëri dhe sëmundje

Në rrugën"De Rada" mbijeton në një shtëpi tashmë të braktisur të hekurudhës Kujtim Gigolli, 35- vjeçar, baba i dy djemve dhe i gruas Mirvetës, 36-vjeçare, e cila është e sëmurë rëndë nga lukthi dhe fëmijët e sëmurë nga mushkëritë. Arnes, i shëruar nga shoqatat ndërkombëtare në Itali, përsëri tash i është rikthyer sëmundja dhe Beqir Gigolli 10 vjeç me sëmundje të mushkërive, janë duke jetuar në varfëri ekstreme në një shtëpi që dita-ditës pritet të rrënohet. Kjo familje rrezikojnë të vdesin për kafshën e gojës, por iu gjetën për të mbijetuar shoqatat të ndryshme, duke ia siguruar bukën e gojës, tregon për "Kosova Sot" Kujtim Gigolli, me operim të rëndë dhe i paaftë për punë. Ai tregon se kushtet e mbijetesës së kësaj familje janë më shumë se lemeritëse për kohën që po jetojmë. Ai është i operuar në stomak dhe tashmë nuk mundet as një punë fizike ta bëjë, është duke jetuar nga ndihmat e qytetarëve dhe me këtë jetë ai pohon se nuk di si do t'ia bëjë. 

Familja nuk ka ku të shkojë

Në këtë shtëpi ka lagështi të madhe, ndërsa që para lufte është braktisur."Nuk dëshirojnë që të jemi këtu, unë edhe pse e di rrezikun megjithatë këtu jetojmë, sepse s'kemi ku shkojmë, këtu ose në rrugë, nën qiellin e hapur", u shpreh Gigolli. Sipas tij, ajo shtëpi e vogël buzë rrugës, në rrugën "De Rada", është bërë e frikshme, sepse lagështia e madhe djalit Arnes ia ka rikthyer sëmundjen. Përderisa mjeku më ka urdhëruar që Beqirin të mos e lë në atë lagështi. Unë marr nga 107 euro ndihma sociale, por shpesh për veten time nuk arrij të blej barëra, sepse s'kam mundësi t'i lë dhe pastaj askush mua s'më bën qare. Kam qenë në komunë, por ata nuk më kanë ndihmuar dhe më kanë thënë që të rikthehem në Lugishtë. Atje s'kam ku të kthehem, sepse së pari atje s'ka ujë për pije, pastaj unë s'kam asnjë kusht për t'u rikthyer atje", ka thënë më tej kryefamiljari, të cilit i mbushen sytë me lot. Ai shpreson se dikush do ta ndihmojë që ta përballojë jetën e mundimshme.

(Kosova Sot)