Presidenti i ri komedian i Ukrainës ofron pasaporta për të gjithë rusët e shtypur nga Putini

  • 28 April 2019 - 16:35
Presidenti i ri komedian i Ukrainës ofron pasaporta për të gjithë rusët e shtypur nga Putini

Presidenti i ri i Ukrainës dhe ish-komediani, Volodymyr Zelenskiy, i është përgjigjur presidentit të Rusisë, Vladimir Putini, ndaj ofertës që ky i fundit e kishte bërë për t’i ofruar çdo ukrainasi pasaportë ruse, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Zelenskiy e ka refuzuar ofertën e Putinit për t’i pajisur qytetarët ukrainas me pasaporta ruse, dhe madje i ka bërë një ofertë të gjithë Rusëve, që do t’i ofrohen pasaporta Ukrainase të gjithë atyre që vuajnë nga regjimi i Kremlinit.

Presidenti rus, Vladimir Putin të shtunën tha se Moska zyrtare po e mendon një plan për t’i ofruar të gjithë qytetarëve ukrainas, pasaporta dhe shtetësi ruse. Këto fjalë të Putinit erdhën pasi që Rusia vendosi që t’i pajisë me pasaporta të gjithë qytetarët e pjesës lindore të Ukrainës, që tashmë kontrollohet nga separatistët rus.

Kievi që nga vitin 2014 ka qenë duke i luftuar forcat separatiste të mbështetura nga Rusia, e nga këto luftime mbetën të vdekur 13.000 persona.

Zelenskiy i cili do ta marrë detyrën zyrtarisht në muajin qershor, iu përgjigj Putinit përmes rrjetit social, Facebook, ku edhe u zotua se do t’i pajisë me pasaporta ruse të gjithë ata që kanë vuajtur nga regjimi i Kremlinit.

“Ne e dimë shumë mirë çfarë na jep pasaporta ruse, të drejtën për tu arrestuar për një protestë paqësore dhe të drejtën që të mos kesh zgjedhje të lira dhe konkurruese” shkroi ai në Facebook.

Ai shtoi se për dallim nga Rusia “ne ukrainasit e kemi lirinë e fjalës, lirinë e mediave dhe internet në vendin tonë”.

Putin ende nuk e ka uruar Zelenskiyin për fitoren e tij në zgjedhje, por tha që është i gatshëm që të flasë me udhëheqësit e Ukrainës, në mënyrë që ta kuptojë pozicionin e tyre për konfliktin mes dy vendeve.

Në postimin e tij, ai e paralajmëroi Rusinë që të mos flasë me Ukrainën në “gjuhën e kërcënimeve ushtarake ose presioneve ekonomike, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për më shumë sanksione ndaj ndaj Moskës, si përgjigje ndaj dhënies së pasaportave ruse, qytetarëve që jetojnë në lindje të Ukrainës.

Bashkimi Evropian, ka dënuar aktin e Moskës, dhe ka bërë thirrje për ruajtjen e sovranitetit të Ukrainës, dhe duke shtuar se Rusia tentoi që ta destabilizojë këtë të fundit gjatë zgjedhjeve presidenciale.

(Kosova Sot)