Aktivistët laburistë të Britanisë kërcënojnë me bojkotim të fushatës për zgjedhjet evropiane

  • 28 April 2019 - 17:01
Aktivistët laburistë të Britanisë kërcënojnë me bojkotim të fushatës për zgjedhjet evropiane

Disa nga aktivistët kryesorë të Partisë Laburiste e kanë paralajmëruar liderin e kësaj partie, Jeremy Corbyn, se ata mund ta bojkotojnë fushatën e grupit të tyre për zgjedhjet evropiane nëse nuk përkrahet referendumi i ri për Brexitin.

Këto paralajmërime erdhën para takimit shumë të rëndësishëm të komitetit kombëtar ekzekutiv, i cili do të mbahet të martën dhe në të cilin pritet të vendoset qëndrimi i partisë për zgjedhjet e Parlamentit Evropian.

Çështja e përcaktimit të qëndrimit për mbajtjen e referendumit të dytë për Brexitin në këtë fushatë është duke shkaktuar tensione të mëdha në Partinë Laburiste. Disa figura të larta të partisë janë akuzuar se ia kanë kthyer shpinën kësaj politike, e cila mbështetet nga shumica e anëtarëve.

Qindra aktivistë, këshilltarë dhe mbështetës i kanë dërguar letër komitetit kombëtar ekzekutiv dhe zyrës së kryetarit për të kërkuar që Corbyn t’i qëndrojë besnik kërkesës për referendumin e dytë dhe ta promovojë atë gjatë kësaj fushate. Shumë përkrahës kanë thënë se mbështetja e tyre varet nga veprimi i kryetarit për këtë çështje.

Këshilli kombëtar i partisë përbëhet nga 40 anëtarë, përfshirë përfaqësues të kabinetit në hije, deputetë, sindikata tregtare dhe anëtarë të partisë. Sektori i anëtarëve mbizotërohet nga përkrahësit e lëvizjes “Movement” dhe besohet se ata do të kenë rol të rëndësishëm në takimin e së martës, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)