Politikani gjerman: Serbia dhe Kosova të bëhen serioze ose nuk hyni kurrë në BE

  • 28 April 2019 - 18:29
Politikani gjerman: Serbia dhe Kosova të bëhen serioze ose nuk hyni kurrë në BE

Raportuesi për Ballkanin Perëndimorë në parlamentin gjerman, Peter Beyer, paralajmëroi këtë të diele se Serbisë dhe Kosovës, do t’i anulohet perspektiva evropiane nëse ata nuk tregojnë vullnet të plotë për normalizimin e marrëdhënieve, gjatë samitit të Berlinit, raporton N1.

“Ne nuk po flasim për plane konkrete apo kushte, por kërkojmë një bisedë të hapur, shkëmbim informatash dhe zgjidhje të gjërave konkrete që e shqetësojnë rajonin” tha Beyer, duke shtuar se ai shpreson që Kosova dhe Serbia do ta përdorin samitin në mënyrë konstruktive.

“Sepse nëse ne vazhdojmë kështu duke mos pasur vullnet për progres, perspektiva evropiane për të dyja vende të do anulohet” paralajmëroi ai.

Beyer tha se ai shpreson që në Berlin takimi të fokusohet në çështje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Samiti i Berlinit, do të mbahet më datën 29 prill, ditë e hënë, me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Në këtë takim nga Kosova do të marrin pjesë presidenti i Republikës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj. Përfaqësuesit e Kosovës do marrin pjesë me qëndrime të ndryshme nga njëri-tjetri, gjë që mund ta dëmtojë pozicionin e Kosovës në takim.

Kancelarja gjermane të parin që do ta takojë të hënë në orën 16:00, do të jetë kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, me të cilin do të zhvillojë një bisedë të shkurtër.

Pas kryeministrit maqedonas, Merkel do të takohet kokë me kokë në orën 16 e 25 me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, me të cilin do të zhvillojë gjithashtu një bisedë të shkurtër.

Pasi të përfundojë këto dy takime bilaterale, Merkel do të mbajë një takim vetëm me presidentin e Francës, Emanuel Makron, në orën 17:00, për të cilin gjithashtu është raportuar se do të mundohet ta bind që të jetë në një linjë me Berlinin zyrtar sa i përket idesë për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas këtyre takimeve me Zaevin, Ramën e Makronin, Merkel do të takohet në një takim pune me liderët e përfaqësuesve të Bosnjës e Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Sllovenisë dhe përfaqësuesve të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, të cilët do të arrijnë në Berlin në orën 17 e 30.

Ky takim pune do me liderët e Ballkanit Perëndimor do të fillojë në orën 17 e 45 dhe do të zgjas deri në orën 19 e 30. Brenda kësaj kohe do të ketë edhe një darkë pune. 

(Kosova Sot)