Sulltanizmi i Thaçit autoritar po e rrënon Republikën

  • 29 April 2019 - 07:37
Sulltanizmi i Thaçit autoritar po e rrënon Republikën

 Zeqa: Hashim Thaçi është shkaktari kryesor i të gjitha të këqijave në vendin tonë, është shkelësi më i madh i Kushtetutës

 “Me maskaradën e tij para komisionit hetimor patën rastin ideal ta shohin tërë populli dhe të gjithë ambasadorët e huaj në Kosovë se kush është mashtruesi dhe dredharaku i paskrupullt Hashim Thaçi, i cili edhe para kamerave luan, kërcënon, shantazhon, shkel ligjet e Kushtetutën, tallet me çdokënd që i del përpara, përfshirë edhe deputetët e komisionit legal të Kuvendit të Kosovës, duke tentuar t’i ikë drejtësisë edhe kur është pa asnjë shans për ta mohuar të vërtetën.

Presidenti autoritar, kuisling e sundues, i tipit “sulltanesk”, i mësuar që ta bëjë lëmsh secilën situatë të mundshme, jo vetëm se ‘harroi’, por edhe refuzoi me ngulm deri në përfundim të mbledhjes së dështuar që t’u përgjigjej pyetjeve kryesore, duke u shndërruar në prokuror dhe marrë në pyetje ky deputetët që nuk e përkrahnin dhe nuk i takonin partisë së tij”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Gani Qarri

Ditën e premte dështoi raportimi i Thaçit për deportimin e kundërligjshëm të shtetasve turq nga Kosova, e kjo, sipas analistëve, ishte një maskaradë shfaqja e së premtes e Thaçit para Komisionit parlamentar të Kuvendit. A është autori e fajtori kryesor Thaçi për deportimin e turqve nga vendi? A tregoi raportimi i presidentit në komisionin hetimor se çfarë njeriu i keq e i degraduar është duke udhëhequr e shkatërruar Kosovën dhe se ai do të duhej që sa më parë të shkarkohej nga ajo pozitë nga ku Thaçi e ka kapur shtetin, duke e shndërruar atë edhe në shtet kriminal!?

Analistët thonë se qytetarët e patën rastin ideal ta shohin i tërë populli ashtu edhe ambasadorët e huaj në Kosovë se kush është Hashim Thaçi dredharak e mashtrues dhe se si luan ai edhe para kamerave, kërcënon, shantazhon, shkel ligjet e Kushtetutën, tallet dhe luan me çdokënd që i del përpara, përfshirë edhe deputetët e komisionit legal të Kuvendit të Kosovës. Sipas tyre, Thaçi tenton t’i ikë drejtësisë, edhe kur është pa shanse. Por, a duhet të hetohet dhe të shkarkohet Thaçi për shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë së pari ndaj popullit kosovar, por edhe të atyre turq e gylenistë!? Si e pse guxon të shkelë me të dyja këmbët Thaçi Kushtetutën e Kosovës dhe të gjitha ligjet në fuqi të Kosovës?

Për këtë analistët thonë se presidenti tregoi se është sundues në stilin e vetë “sulltanesk” e autoritar, dhe qëllimshëm dredharaku “harroi” e refuzoi me ngulm , që ishte aty për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve e jo për t’i marrë këta në pyetje ai.. Sipas analistëve, në rastin e gylenistëve u dëshmuar se sa poshtë ka rënë ka rënë Republika jonë, për shkak të një lidershipi siç është vetë Thaçi, që është në gjendje të bëjë gjithfarë pazaresh në kurriz të të drejtave universale të njerëzimit të garantuara me ligj e Kushtetutën e vendit

Image
Florim Zeqa

 Zeqa: Ditën e premte Hashim Thaçi, nën prangat e policisë, do të duhej të dërgohej prapa grilave

Analisti Florim Zeqa theksoi për gazetën “Kosova Sot” se raportimi, apo më mirë të themi loja djallëzore dhe plot hipokrizi, sjellja arrogante dhe kërcënuese e Hashim Thaçit para komisionit hetimor parlamentar të Kuvendit e shpërfaqi në mënyrën më të keqe personalitetin e dyfishtë të presidentit dredhak e mashtrues të vendit tonë.

“Shfaqja sa teatrale, po aq tragjikomike e Thaçit para komisionit hetimor, e dëshmoi edhe një herë pozicionin sundues e despotik të Hashim Thaçit dhe klikës së tij sunduese në Kosovë. Pas debatit të së premtes në Kuvend u pa qartë se Hashim Thaçi është shkaktari kryesor i të gjitha të këqijave në vendin tonë, është shkelësi më i madh i Kushtetutës rrënuesi i rendit demokratik dhe shkelësi më i madh i të drejtave të njeriut, përkatësisht i të drejtave të qytetarëve dhe shtetasve të huaj në vendin tonë. Deportimi i kundërligjshëm I shtetasve turq nga Kosova paraqet aktin më të turpshëm antidemokratik të stilit "sulltanesk" e autoritar”, është shprehur analisti Zeqa.

Sipas tij, skandali i "gylenistëve" tregoi se sa poshtë ka rënë Republika e jonë për shkakun e një lidershipi të papërgjegjshëm dhe autoritar të Hashim Thaçit, i cili po bën lloj-lloj pazaresh me territorin e vendit dhe pazaresh politike në kurriz të të drejtave universale të njerëzimit të garantuara me Kushtetutën e vendit. “Veprimi skandaloz dhe provokimet e Thaçit ndaj deputetëve ditën e premte treguan nivelin e tmerrshëm të kapjes së shtetit, ngulfatjen e sistemit të drejtësisë nga mafio-politika dhe bandat kriminale.

Po të mos ishte kështu, ditën e premte Hashim Thaçi nën prangat e policisë do të duhej të dërgohej prapa grilave dhe jo vetëm. Ditën e premte do të duhej të thirrej seancë urgjente e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e presidentit dredhak e mashtrues, matrapaz e bixhozgji të vendit tonë. Në të ardhmen, objektiv i drejtësisë së shkapur të vendit tonë duhet të jetë e tërë skena politike e Kosovës, në veçanti pushtetarët inkriminuar që degraduan shtetin dhe thyen shpresat e qytetarëve. Gjuha kërcënuese, fyese e denigruese e presidentit të Kosovës, përveçse shqetësim për qytetarët, është bërë brengë dhe shqetësim edhe për ndërkombëtarët”, është shprehur Zeqa.

Presidenti duhet shkarkuar sa më parë

Image
Blerim Burjani

Analisti Blerim Bujrani theksoi për “Kosova Sot” se kjo është sjellje tipike e një shefi të madh politik në Kosovë që e ndien vetën superior mbi të gjithë, madje edhe para deputetëve të Kuvendit, që është organ ligjdhënës dhe i cili organ e ka zgjedhur në këtë post, edhe këtu u pasqyruara se Thaçi është shef real politik i PDK-së. “Ai është dashtë të përgjigjet në pyetjet e deputetëve, por jo për të bërë debat politik në komision. Ky ishte dështim i Thaçit për t’iu përgjigjur pyetjeve që janë kërkuar nga ai përgjigje.

Thaçi është një cinik politik, kuptohet injorant. Ai është një lider i stilit feudal, por megjithatë përveç se ia ka parë hairin luftës ai prej asgjë është bërë qashtu qysh ka qejf me quajt vetën politikan, historian i papunë. Koha e një njeriu të tillë dhe të kësaj klase politike të shek. XIX ka shkuar moti.

Image
Xhevat Meha

Analisti Xhevat Meha u shpreh se kushdo që sadopak ka përcjell zhvillimet politike në Kosovë e di se Hashim Thaçi çdoherë ka qenë konfliktuoz e nxitës konfliktesh dhe asnjëherë nuk ka qenë faktor i unitetit politik në Kosovë.“Ky fakt e bën Hashimin të përjashtuar nga mundësia për t’u bërë president i Kosovës. Hashim Thaçi as nuk është dashur që të zgjidhet president i Kosovës dhe as nuk është dashur dhe nuk duhet të mbahet President i Kosovës. Hashim Thaçi nga vera e vitit të kaluar, kur doli shpluar me nisma politike që shtyjnë përpara agjendën e interesave të Serbisë në Kosovë është dashur që nga institucionet e Kosovës të shkarkohet. Shtyrja përpara e agjendës së interesave të Serbisë në Kosovë është dëmtim i rëndë i interesave të Kosovës. Hashim Thaçi duhet të shkarkohet për dëmtim të rëndë të interesave të Kosovës. Hashimi nuk është shkarkuar dhe nuk shkarkohet për një arsye të vetme: strukturat e fshehta serbe në Kosovë e kanë bërë president dhe po këto struktura janë duke e mbajtur president”, theksoi analisti Meha.

Image
Ramiz Bojaj

 Bojaj: Thaçi në panik dhe i frikësuar

“Skandali i autoriteteve kosovare rreth dëbimit të jashtëligjshëm të 6 gylenistëve turq nga shteti ynë shpërfaqi hapur zinxhirin kriminal të një pushteti autoritar e të papërgjegjshëm. Kjo u pa fare hapur të premten e shkuar kur presidenti Thaçi u prezantua para Komisionit hetimor për rastin e dëbimit të qytetarëve turq, por nuk iu përgjigj pyetjes rreth rolit të tij në këtë maskarallëk.

Presidenti Thaçi edhe pse ishte live, në mënyrë arrogante e vulgare iu 'bishtnoi' pyetjes rreth përgjegjësisë së tij në këtë rast, i cili, edhe pse i ftuar si dëshmitar i ngjarjes, ky u kthye në gjykatës, prokuror, shpifës, shantazhues, turbullues... duke treguar stilin real të tij, figurën e një njeriu sa të rrezikshëm aq edhe narcist me tendenca sadiste e diktatoriale. I ftuar për t’u përgjigjur me pak fjalë për rolin e tij për shkeljet ligjore e procedurale për dëbimin e shtetasve të huaj nga vendi ynë, presidenti Hashim Thaçi, pa kurrfarë mbulese, pa fije përgjegjësie e turpi, jo vetëm qe nuk dha asnjë përgjigje, por filloi manovrat e tij shikiste, duke u tallur me deputetët e Kuvendit të Kosovës, me komisionin hetimor, me ligjin dhe me sigurinë tonë kombëtare e shtetërore.

Në vend që të sqarohej me pak fjalë, presidenti krijoi turbulli e amulli, krijoi akte akuzuese duke kontestuar ekspertin ndërkombëtar, për të cilin ishin pajtuar të gjitha anëtarët e komisionit. Kontestimi i ekspertit ndërkombëtar ishte shpifje rasti i presidentit, sa për t'i ikur përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Kjo për faktin se përzgjedhja e ekspertit është kompetencë e komisionit hetimor e jo kompetencë e rezervuar e presidentit. Gjithashtu, përzgjedhja e ekspertit Tienmu Ma, nga Shtetet e Bashkuara, (i cili për disa vjet ka punuar në Institucionin e Avokatit të Popullit), kishte ndodhur në mënyrë të ligjshme, i pranuar dhe i votuar nga të gjithë anëtarët e komisionit hetues. Pra, edhe nga servilët e egër të tij. Presidenti Thaçi në panik dhe i frikësuar nga e vërteta për rolin e tij në këtë skandal, ku u cenua siguria kombëtare e shtetërore e Kosovës, ndërroi kahun e rastit, krijoi mjegull, fyerje e akuza primitive në mënyrë që të ikë nga përgjigja reale. Duke filluar me akuza-shpifje të rënda për deputetët, i ndihmuar edhe nga servilët e tij, i pari i vendit hyri në temat e luftës të para 20 vjetëve, për çka nuk ishte i thirrur të japë përgjegjësi për rolin e tij në UÇK, por për dëbimin e 'gylenistëve'. Me stilin e vet primitiv, arrogant e autoritar, i pari i vendit dëshmoi se është njeriu më i rrezikshëm në Kosovë, është mbi ligjin, Kushtetutën, integritetin territorial, mbi sigurinë..., i cili duke u tallur me popullin dhe më gjithë segmentet e shtetit, në çdo vend e në çdo kohë, mund të rrezikojë sigurinë qytetare, sovranitetin e integritetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Ky njeri ishte aty për t'iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve e jo t'i marrë këta në pyetje, duke i fyer e shantazhuar. Një përgjigje që mund të përfundonte me pak fjalë, për rreth dy tre minutash, Thaçi krijoi amulli, zhurmë e debat koti, si të ishte fëmijë i lazdruar, duke harruar se është i pari i shtetit. Presidenti Thaçi, në këtë rast, nuk u prezantua si një burrështetas, por si një politikan i ndërtuar dhe rritur në oborrin e SHIK-ut, i strukturuar e formuar, jo me dije, por me kërcënime, shantazh, shpifje.....

Populli por edhe miqtë ndërkombëtarë e panë live faqen e zezë të Kosovës, mjerimin e madh në të cilin kemi rënë ne, si popull dhe si shtet. Këtu u pa fare qartë se njerëzit e frikësuar e në panik, nuk janë më arsyeja, e drejta, ligji e përgjegjësia, por janë 'ujqërit' turbullues, shantazhues e mashtrues, të cilët tentojnë të strukën nën 'lavën' e servilëve të oborrit të vet korruptiv, edhe atëherë kur faji e mëkati shiheshin qartë në lëndinë. Njerëz të tillë duhet larguar sa më parë nga pushteti, përndryshe, skandale e situata edhe më të paqarta mund të vijnë në vijimësi, për shtetin dhe popullin e Kosovës. Kosova ka rreth dy milionë njerëz e qytetarë të tjerë më normal e më të përgjegjshëm për të udhëhequr shtetin”, theksoi analisti Ramiz Bojaj.

Image
Gani Qarri

Qarri: Thaçi, urdhërdhënësi i këtij akti makabër

“Akti më brutal që kanë mundur të shohin qytetarët e vendit kohët e fundit, si çjerrja me forcë prej duarve të fëmijëve në vajë dhe familjarëve të përlotur, nga falangistët arrogantë të shërbimi sekret turk, ardhur eksplicit nga Ankaraja, për kidnapimin klasik, ditën për diell dhe midis rrugëve publike, nën regjinë e policës së Kosovës, të gjashtë intelektualëve, mjekëve dhe profesorëve, pa të kaluar kriminale, paraqitën Kosovën si vendin më të nënshtruar ndaj diktatorit autokrat Tahip Erdoganit. Hashim Thaçi me vullnet dhe vetëdije e shndërroi Kosovën në shtet kukull dhe zbatuesen me besnike të urdhrave të shkelësit më të madh aktual të të drejtave të njeriut në Turqi, siç është diktatori Erdogan.

Me këtë akt të paprecedent Thaçi e paraqiti Kosovën si njërën ndër vendet më të kriminalizuara dhe shkelësen më të madhe të të drejtave të njeriut në botë, si arrestimin apriori dhe pa asnjë vendim të gjykatës, duke ua mohuar shtetasve të kidnapuar turq edhe të drejtën më elementare, për mbrojtje ligjore, qoftë ajo e caktuar edhe nga vetë shteti, që e ka për obligim zyrtar, për të arrestuar. Madje qysh në ditët kur nga Hashim Thaçi&CO, në mënyrë klandestine, u kidnapuan dhe dëbuan nga Kosova, shtetasit turq me leje dhe të drejtë qëndrimi në vend, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë pati kërkuar të viheshin para përgjegjësisë të gjithë aktorët e përfshirë në deportimin e tyre duke deklaruar publikisht se vetëm shkarkimi i ministrit të Brendshëm dhe Shefit të AKI-së nuk mjaftonte, për faktin se qysh atëherë dyshohej që autori dhe urdhërdhënësi ishte vetë shërbëtori i Erdoganit Hashim Thaçi & CO. Ndaj për vetë faktin se ky ishte një kidnapim klasik i autorizuar nga kuislingu Hashim Thaçi, edhe seanca e ditës së premte në të cilën ai do duhej të raportonte për deportimin e kundërligjshëm të shtetasve turq nga Kosova dështoi për faktin se ai vetë është fajtori kryesor i këtij kidnapimi brutal dhe nuk e kishte ndërmend të jepte asnjë shpjegim rreth zhvillimit të aksionit klandestin, duke e kthyer seancën në një shfaqje maskarade para komisionit parlamentar të Kuvendit, sikur ai të ishte prokuror, i cili në vend të përgjigjes fyente majtas e djathtas dhe merrte në pyetje, secilin anëtar të komisionit që nuk ishte anëtar i PDK-së.

Kështu që u dëshmua edhe një herë më tepër se kuislingu dhe shërbëtori i përulur i Erdoganit, Hashim Thaçi, jo vetëm se është fajtori kryesor për deportimin e paligjshëm nga vendi, të shtetasve turq në fjalë, por edhe autori e urdhërdhënësi i këtij akti makabër, i cili veçanërisht në raportimin që duhej ta bënte për këtë rast para komisionit hetimor, i tregoi gjithë opinionit publik dhe krejt qytetarëve të Kosovës se çfarë njeriu i keq dhe i degraduar është ende duke e udhëhequr dhe shkatërruar Kosovën, në vend se të shkarkohej nga ajo pozitë sa më parë, prej nga Thaçi e ka kapur shtetin dhe shndërruar atë edhe në shtet kriminal. Me maskaradën e tij para komisionit hetimor patën rastin ideal ta shohin i tërë populli dhe të gjithë ambasadorët e huaj në Kosovë se kush është mashtruesi dhe dredharaku i paskrupullt Hashim Thaçi, i cili edhe para kamerave luan, kërcënon, shantazhon, shkel ligjet e Kushtetutën, tallet me çdokënd që i del përpara, përfshirë edhe deputetët e komisionit legal të Kuvendit të Kosovës, duke tentuar t’i ikë drejtësisë edhe kur është pa asnjë shans për ta mohuar të vërtetën. Ndaj, pa asnjë vonesë, ky kuisling duhet të hetohet, shkarkohet dhe vihet para drejtësisë menjëherë, pikësëpari për rrezikimin e shtetit dhe integritetit të vendit, shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë, e pastaj edhe për kidnapimin dhe deportimin antiligjor të shtetasve turq, i cili ende guxon të shkelë hapur, me të dyja këmbët Thaçi Kushtetutën dhe të gjitha ligjet në fuqi të Kosovës.

Presidenti autoritar, kuisling e sundues, i tipit “sulltanesk”, i mësuar që ta bëjë lëmsh secilën situatë të mundshme, jo vetëm se "harroi", por edhe refuzoi me ngulm deri në përfundim të mbledhjes së dështuar,që t’u përgjigjej pyetjeve kryesore, duke u shndërruar në prokuror dhe marrë në pyetje ky deputetët që nuk e përkrahnin dhe nuk i takonin partisë së tij. Skandali i gylenistëve jo vetëm që ka dëshmuar se sa poshtë ka rënë Republika jonë, për shkak të një lidershipi të dyshimit, siç është kuislingu Hashim Thaçi, por se ai është i nënshtruar e vepron sipas urdhrave të Erdoganit, i cili i ka telefonuar për rastin e turqve dhe është në gjendje të bëjë gjithfarë pazaresh në kurriz të të drejtave universale të njerëzimit te garantuara me ligj e Kushtetutën e vendit !? E gjitha kjo dëshmon se problemi kryesor është mosfunksionimi i drejtësisë së kapur në Kosovë, që në rrethana normale do të duhej ta hetonte me urgjencë edhe këtë president kuisling, për të provuar ndërhyrjen e tij të kundërligjshme dhe aktet antikushtetuese, ngase vërtet është shumë e turpshme ta shohësh se si vazhdon ta përfaqësojë edhe më tej këtë shtet, Parlament, Qeveri dhe Presidencë në Republikën e kapur të Kosovës "sulltan" Thaçi e ‘thaçistët’ e tij, partiak e SHIK-istë”, u shpreh analisti Gani Qarri për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Në Komision u provua qartë se pushteti dhe shteti janë në duar të klanit të Hashim Thaçit

“Diskutimet e zhvilluara në Komisionin e Parlamentit të Kosovës me presidentin e vendit, z. Hashim Thaçi, ishin një ngjarje e pritur dhe ajo tregoi se Thaçit fare nuk i interesojnë shteti dhe e drejta, kundruall vetes së vetë. Natyrisht se anëtarët e komisionit, si i tërë Parlamenti, janë të dobët në kualifikime dhe nuk dinë detyrat e veta. Mirëpo, Thaçi me shkathtësinë e një pelivani të lyer me vaj ik dhe tërë qëllimin e kishte të deklarohet. Kuptohet se nëse Komisioni ka bërë gabim në anëtarët a ekspertët e vetë, gjë që anëtaret e komisionit ranë nën ndikimin dhe planin e Thaçit, sidomos z. Kurteshi dhe Quni, pa folur për kryetarin e komisionit, i cili ishte thjesht i papërsëritur, luajti me ta dhe tregoi se atij fare nuk i intereson shteti dhe se shteti është vetë Hashim Thaçi. Sjellja e Thaçit jashtë konditave pse ishte ftuar, sikundër dhe ofendimet, provokimet dhe injorimet e tij, tregojnë nivelin që e ka si njëri dhe si President.

E tërë kjo pastaj eskaloi me intervenimin e Qunit dhe të Beqës, të cilët nuk ishin në lartësinë e detyrës. Sidomos Beqa tregoi njëanshmëri dhe vartësi totale nga mbreti Thaçi. Thaçi që në fillim e nxori nga takti Kurteshin. Atë e bëri fëmijë dhe ky ia kthejë me ofendime të rënda. Vazhdoi loja e Thaçit në emër të ekspertit të propozuar nga Kurteshi dhe të votuar nga Komisioni. Këtu nuk kishte të drejtë z. Thaçi. Komisioni është themeluar nga Kuvendi dhe detyra e Thaçit nuk ishte puna e Kuvendit. Thaçi ishte thirrur për të deklaruar lidhjet e tij me ekstradimin e 6 turqve. Pra, për të konstatuar se mos ekstradimi është bërë me urdhër të Thaçit, gjë të cilën e besoj edhe unë vetë. Jam i bindur se urdhri është dhënë nga Thaçi dhe ekstradimin e ka bërë Shpend Maxhuni, ish-drejtor i Policisë dhe Gashi sh-drejtor i AKI-së. Këtu duhet lypur fajësinë për ekstradim. E prandaj Thaçi bëri lojën e tillë në emër të gjoja normave ligjore dhe të së drejtës që të informohet. Informimi është gjë juridike. Por, ikja dhe mosdeklarimi janë shkelje e normave kushtetuese.

Në Komision u provua qartë se pushteti dhe shteti janë në duar të klanit të Hashim Thaçit dhe se nuk ka mundësi të ecët jashtë këtij klani. Në fakt komisioni veç e di se kush është përgjegjës për ekstradim. Fakte dhe të dhëna ka mjaft. Kërkohet vetëm të ndërmerren masa. E masa kryesore është që Komisioni të hartojë një kërkesë për Kuvend dhe të kërkojë shkarkimin e Hashim Thaçit. Juridikisht kjo duhet të ndodhë”, theksoi për “Kosova Sot” profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)