Shpërthejnë qytetarët: Mafia e ndërtimeve, kundër të cilës fliste Shpend Ahmeti, vazhdon të jetë e paprekshme

  • 29 April 2019 - 07:45
Shpërthejnë qytetarët: Mafia e ndërtimeve, kundër të cilës fliste Shpend Ahmeti, vazhdon të jetë e paprekshme

Jakupi: Shpend Ahmeti e shfrytëzoi mandatin e dytë që të korruptohet deri në majë të kokës

 “Shpend Ahmeti pati thënë për disa nga premtimet kryesore që nëse nuk arrin t’i përmbushë, ai do të tërhiqet edhe nga vendi i punës, nga pozita e kryetarit, kështu që ai nuk i ka përmbushur as premtimet përkatëse, por nuk po tërhiqet tani as nga pozita për të cilën është zotuar se do ta bëjë.

Pra, ka mashtruar dyfish. As nuk është realizuar ajo që është premtuar, por as nuk ka dhënë përgjegjësi për premtimet që nuk i ka realizuar, prandaj maksimalisht jemi të zhgënjyer me mosangazhimin e tij. As që mund të bëhet fjalë që Shpend Ahmeti të marrë dhe një mandat tjetër, por edhe këtë duhet lënë në gjysmë. Me një fjalë, mund të them që edhe ajo mafia e ndërtimeve, kundër të cilës fliste Shpend Ahmeti, vazhdon të jetë e paprekshme, për më tepër vetëm sa ka vazhduar dhe po vazhdon edhe tani gjatë punës së tij në këtë mandat. Janë dëshmitarë njerëzit që po tregojnë se kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë”, thotë qytetari Jakup Orllati për “Kosova Sot”

Qytetarët e Prishtinës, të cilët ia numërojnë të gjitha dështimet e deritanishme që po e përcjellin punën e kryetarit Shpend Ahmetit, nga mandati i parë në të dytin, vlerësojnë se ai nuk është gjë tjetër veçse një pazarxhi për interesa të veta dhe i cili, përveç shëtitjeve me jahte, kunjave që po i rikthen në Prishtinë, dhe pazareve të larta e milionëshe me leje ndërtimore dhe toka e prona komunale, nuk ka bërë asnjë punë në të mirën dhe interesin e qytetarëve të Prishtinës. Tanimë qytetarët po vazhdojnë të jenë dita- ditës më të bindur se si Shpend Ahmeti është njëri nga protagonistët më të rrezikshëm e më kërcënues për kryeqytetin, bashkë me klanin “PRONTO”, dhe i cili do të mbahet mend vetëm për pazaret e tij dhe shkeljet ligjore që i ka bërë duke bllokuar zhvillimit e Prishtine nga projekte zhvillimore, dhe vetëm për interesa personale dhe si të tillë asnjë qytetar në Prishtinë e më gjerë nuk do të votojë një pazarxhi bllokues e shkatërrues. Akuzat kundër Shpend Ahmetit nisin që nga dështimi dhe degradimi i sistemit arsimor e deri tek dështimet e tjera në infrastrukturë komunale, pastërti të qytetit e deri tek korrupsioni me leje ndërtimore.

Safet Kamberaj, qytetar i lagjes “Dardania” në Prishtinë, njëherësh kryetar i kësaj lagjeje, thotë se dështimi dhe degradimi i madh në mandatin e Shpend Ahmetit ka ndodhur në fushën e arsimit. “Ajo që mund t’ju them unë, e që është tepër gjendje e mjerueshme, ka të bëjë me shkollat në kryeqytet. Për njërën nga ato, unë i kam dërguar dhe një letër nënkryetarit të Asamblesë komunale Selim Pacollit, ku e kam njoftuar për shkatërrimin e infrastrukturës së shkollave, rrënimin e arsimit me kuadro të dobëta. Ai thotë se nuk do të futet për dështimet në fusha të tjera, sepse asgjë nuk ka ndryshuar nga ato që ka thënë më herët, por kur është fjala te kushtet e arsimit kjo nuk duhet toleruar.”

Image
Shaip Sopjani

 Mbeturina gjithandej

Qytetari Shaip Sopjani tha për “Kosova Sot” se ai pengesën kryesore, që dëmton edhe shëndetin e qytetarëve të Prishtinës, por edhe të rrethinës, e sheh te mosfunksionimi i pastërtisë dhe mosheqjen e mbeturinave në pjesën më të madhe të qytetit. “Sa u përket mbeturinave, bërllokut, unë jam duke paguar realisht dy- tre fish më shumë se që më takon edhe përsëri nuk e kemi pastërtinë në nivel. Një faturë e paguaj veçantë 7.30 euro dhe një tjetër për një lokacion tjetër 15 euro dhe pastërtia nuk është askund. Unë mendoj që kryetari duhet t’u qëndrojë te koka këtyre të kompanisë që e mbledhin bërllokun e të mos lejojë që ata t’i marrin rrogat kot së koti”, është shprehur ai.

Mashtrimet dyfish të Shpend Ahmetit

Sipas Jakup Orllatit, nëse i bëhet një vlerësim i përgjithshëm i premtimeve dhe zotimeve të Shpendit në të dyja mandatet, lirisht mund të thuhet se as 5-6 premtime nuk janë realizuar, madje edhe ato vetëm pjesërisht. “Kur është fjala konkretisht për Shpend Ahmetin, ai ka dhënë shumë premtime, por ato premtime që i ka dhënë nuk e di nëse ka arritur t’i realizojë 5 apo 6, madje edhe ato vetëm pjesërisht. Për më keq, ai pati thënë për disa nga premtimet kryesore që nëse nuk arrin t’i përmbushë, ai do të tërhiqet edhe nga vendi i punës , nga pozita e kryetarit, kështu që ai nuk i ka përmbushur as premtimet përkatëse, por nuk po tërhiqet tani as nga pozita për të cilën është zotuar se do ta bëjë. Pra, ka mashtruar dyfish. As nuk është realizuar ajo që është premtuar, por as nuk ka dhënë përgjegjësi për premtimet që nuk i ka realizuar, prandaj maksimalisht jemi të zhgënjyer me mosangazhimin e tij. Përveç kësaj, ka edhe diskriminim të madh në punësimet që po bëhen brenda Komunës, sepse punësimet aty po bëhen vetëm në baza partiake. Nëse je i partisë së tij do të punësohesh, por nëse je i partisë tjetër anashkalohesh fare lehtë në emër të asaj që kinse nuk i ke përmbushur kriteret. Unë mendoj, sipas një perceptimit tim, mbi 70% të qytetarëve janë të zhgënjyer dhe të mashtruar, sepse askund nuk po del të realizohen ato pritje dhe premtime nga Shpend Ahmeti”, theksoi qytetari Jakup Orllati për “Kosova Sot”. Ai shton se as që mund të bëhet fjalë që Shpend Ahmeti të marrë dhe një mandat tjetër, por edhe këtë duhet lënë në gjysmë.

“Nuk ka asnjë shans që ai ta marrë edhe një mandat, sidomos tani kur e ka harruar kohëve të fundit krejtësisht Komunën dhe po merret me të tjera çështje, në vend se të merret me punët e Komunës. Ai tash po sillet sikur e ka kënaqur me Komunën e Prishtinës dhe ka marrë edhe një mandat tjetër. Nëse ai provon edhe një mandat tjetër, jam më se i sigurt që as 10% të votave nuk do të mundë t’i sigurojë, sepse nuk ka se kush e voton, të gjithë janë të penduar dhe të mashtruar pse e kanë votuar”, tha Jakup Orllati. Ai beson shumë që në fund të këtij mandati kreu i Prishtinës ka filluar edhe të korruptohet me ndërtimet, me dhënien e lejeve për dikë dhe duke bllokuar dikë tjetër, kështu që Prishtina vetëm po degradohet. “Është shumë e vërtetë kjo që po thuhet për zhytjen e tij në korrupsion. Prishtina vetëm sa do të shkatërrohet nëse ky vazhdon të jetë edhe dy vjet kryetar, por mua po ma merr mendja që nuk mund ta çojë deri në fund mandatin që e ka tani, sepse qytetarët janë shumë të pakënaqur. Mos të harrojmë kur ka thënë që ndërtimet e larta, që kanë qenë pa leje, ai ka thënë se kur të bëhet kryetar ka për t’i rrënuar të gjitha, por ja që asgjë nuk ka rrënuar. Ndoshta ka rrënuar aty- këtu ndonjë pjesë të shkallëve apo ndonjë ballkon të parëndësishëm që nuk kanë paraqitur kurrfarë pengese, që nuk kanë ndikuar aspak në ngufatjen e qytetit, por nuk është marrë më ndërtimet e mëdha pa leje. Pra, qëllimi ka qenë vetëm që ta ruajë edhe një mandat pozitën e vet, që t’i sigurojë partiakët e vet për t’i punësuar dhe së bashku për të përfituar. Asgjë tjetër nuk ka menduar dhe asgjë tjetër në Prishtinë nuk ka provuar deri më tash për të rregulluar, vetëm është duke u degraduar. Ka premtuar parkingje, nënkalime, mbikalime, çerdhe për fëmijët që janë tepër të nevojshme dhe asnjë çerdhe të fëmijëve nga Shpend Ahmeti nuk është realizuar as funksionalizuar. Me një fjalë, mund të them që edhe ajo mafia e ndërtimeve, kundër të cilës fliste Shpend Ahmeti, vazhdon të jetë e paprekshme, për më tepër vetëm sa ka vazhduar dhe po vazhdon edhe tani gjatë punës së tij në këtë mandat. Janë dëshmitarë njerëzit që po tregojnë se kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë në mënyrë tinëzare e të fshehtë “, tha qytetari Jakup Orllati për “Kosova Sot”.

Administrata e kapur

Qytetari Gani Jakupi nga Prishtina, lagja e “Dardanisë”, theksoi për “Kosova Sot” se është edhe votues i Shpend Ahmetit, duke menduar se do t’i tejkalojë ato dështimet e mandati të parë, por ja që, sipas tij, u mashtrua edhe VV-ja që e kandidoi, por edhe qytetarët që ia besuan votën atij. Ai beson se Shpend Ahmeti e shfrytëzoi mandatin e dytë që të korruptohet deri në majë të kokës. “Jam edhe simpatizues i VV-së, dhe Shpendit ia kam dhënë votën vetëm në emër të VV-së dhe të Albin Kurtit, pasi ka qenë i nominuar dhe kandiduar nga VV-ja, duke besuar se do të punojë dhe do t’i përmbahet programit të VV-së, por ai doli krejt ndryshe, dhe tani kurdo që ndodh të mbahen zgjedhjet, të cilitdo nivel, ai nuk ka shans që të marrë më votë nga unë. Ai jo vetëm që e ka mashtruar dhe zhgënjyer VV-në, por edhe qytetarët e tjerë jashtë këtij subjekti politik. Në fillim të mandatit të parë sikur u duk që do të punojë mirë për Prishtinën, por nuk vazhdoi ashtu”, është shprehur ai. “Ka më shumë se një vit që edhe ai ka filluar të korruptohet dhe ka filluar të lejojë ndërtime vend e pa vend, kështu që assesi nuk mund të jemi qytetarë të kënaqur me të, as si votues e as si qytetar”, është shprehur ai. Ka vërejtje serioze edhe tek organizimi i administratës komunale, pasi, sipas tij, tani kjo administratë është kapur nga rrjeti i njerëzve të Shpend Ahmetit.

“Organizimin komunal nuk e ka bërë kurrfarë. Unë kam pritur që këtë organizim do ta përmirësojë në të gjithë sektorët, edhe në atë kadastral, ku janë problemet më të mëdha. Sidomos çështja e funksionimit të kadastrës është zero, sepse aty bëhen dallaveret më të mëdha. Unë personalisht e kam aty një problem me një pronë prej vitit 2009 dhe ende nuk po m’i caktojnë kufijtë e asaj prone, me arsyetimin se kjo nuk mund të zgjidhet ndryshe veç përmes gjykatës. E kam ndjekur edhe këtë rrugë gjyqësore që nga viti 2011 dhe vetëm tash në muajin maj po pres që e drejta ime të realizohet, pasi kam pritur hiq më pak se 8 vjet... më shumë se 8 vjet, derisa kjo ka mundur fare lehtë të zgjidhet nga vetë Komuna përmes shërbimit të kadastrës”, tha qytetari Gani Jakupi. Qytetari Jakupi tregon edhe se si po nga Komuna i është uzurpuar prona e tij, një pjesë e truallit rreth 4 ari, dhe i është bërë rrugë, madje e shtruar në kubëza, pa e pyetur dhe pa biseduar fare me të.

Image
Hilmi Halili

Halili: Fëmijët rrezikohen nga automjetet

“Shkolla fillore ‘7 Marsi’, në lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë, ka disa vjet që është lënë anash, një investim i gabuar (shtimi i një aneksi) ka bërë që banorët dhe nxënësit e kësaj shkolle të rrezikohen nga automjetet dhe kamionë të peshave të rënda. Ndërtimi i aneksit është dashur të planifikohet në mënyrë që të mos pengohen askush, më së paku fëmijët apo nxënësit e lagjes. Nga afër mund të identifikoni edhe shumë probleme, si mungesa e sigurisë, pasi nuk ka ndriçim të mjaftueshëm. Objekti shkollor pa kushtet elementare, pasi fëmijët janë të kufizuar në aktivitete rekreacioni dhe sport, pasi mungon një fushë sporti. E vjetër, pa mirëmbajtje, sikurse shkollat e tjera në kryeqytet, por që shkollës fillore ‘7 Marsi’ i mungojnë të gjitha”, është shprehur për “Kosova Sot”, qytetari Hilmi Halili, banor i lagjes “Kalabria” në Prishtinë.

 

 

Hasani: Shpendi, neglizhent në punët publike

“Në pjesën e parë të mandatit pati filluar për të punuar diçka kryetari Shpend Ahmeti, por në këtë pjesën e dytë po duket sikur është lodhur dhe është bërë neglizhent në punët publike, në ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës tjetër përcjellëse. E kemi një shembull konkret në lagjen e ‘Matit’, tek rruga që shkon për tek Pallati i Drejtësisë, që një vit ka filluar, që një muaj është gërryer rruga dhe ende nuk është shtruar dhe krejt janë në telashe”, theksoi qytetari Isa Hasani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)