“Luftë” në mes të qytetit, si u vranë me armë dy kushërinjtë pas sherrit në lokal. Çfarë po hetohet

  • 29 April 2019 - 08:39
“Luftë” në mes të qytetit, si u vranë me armë dy kushërinjtë pas sherrit në lokal. Çfarë po hetohet

Detaje te reja nga ngjarja e rende mbreme ne Lac, ku dy persona, kushërinj me njëri-tjetrin, kanë mbetur të vrarë pas një sherri në lokal në qendër të qytetit. 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:15, në një prej lokaleve të njohur si “Piaza”. Viktimat janë Mikel Jushi, 35 vjeç, dhe Jani Jushi, 30 vjeç. Dy të rinjtë, djem xhaxhallarësh, janë qëlluar nga persona të paidentifikuar.

Mikel Jushi mësohet se është pronar i një lokali, ndërsa 30- vjeçari tjetër që mbeti viktimë është djali i xhaxhait të tij. Të dy këta persona, pak pas ngjarjes u dërguan me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi gjendja e tyre paraqitej e rëndë. Por, ende pa mbërritur në spital për ndihmë mjekësore, ata kanë ndërruar jetë për shkak të plumbave që morën në atentat.

Policia shkoi në vendin e ngjarjes për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, por ende nuk ka asnjë person të arrestuar si autor i dyshuar. Ndërkohë, nga ana tjetër Policia ka shoqëruar mbi 10 persona, mes të cilëve dëshmitarë okularë të ngjarjes dhe persona që mund të kenë dijeni për atë që ka ndodhur, të cilët pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë.

“Rreth orës 20:15, në lagjen Nr.1 Laç, afër një lokali ka pasur të shtëna me armë zjarri. Për pasojë dyshohet se kanë mbetur të plagosur 2 shtetas, M.J. dhe J.J., të cilët janë dërguar në gjendje te rëndë për jetën në Tiranë për ndihme mjekësore.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Rendit dhe të Policisë Kriminale, që kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe përballjen e tyre me drejtësinë. Disa shërbime të tjera policore kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijon shoqërimi i personave, që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Për shkak të hetimit, nuk mund të bëhen publike të tjera detaje që lidhen me ngjarjen”, u bë e ditur nga Policia.

Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti mes viktimave dhe autorëve ka nisur brenda në lokal, për shkaqe që ende nuk dihen. Pas konfliktit dy viktimat janë përpjekur që të largohen, sepse kanë parë që një prej personave me të cilët janë konfliktuar, ka nxjerrë armën.

Autori i ka ndjekur nga pas dhe pavarësisht se janë përpjekur që të fshihen në një rrugicë, nuk kanë arritur t’u shpëtojnë plumbave të pistoletës. 35-vjeçari Mikel Jushi mësohet se është pronar i një lokali në qendër të Laçit, ndërsa viktima tjetër është djali i xhaxhait të tij. Ata u dërguan në gjendje të rëndë drejt Tiranës, por mbërritën pa jetë në spital.

(Kosova Sot)