Akuzohet Qeveria se po planifikon ta vazhdojë kontratën kriminale PTK-“Z- Mobile”

  • 29 April 2019 - 08:43
Akuzohet Qeveria se po planifikon ta vazhdojë kontratën kriminale PTK-“Z- Mobile”

 Krasniqi: Nuk e kuptoj se si i vazhdohet kontrata një operatori nga ana e PTK-së, kur kjo e fundit ka falimentuar

 “Nuk është vetëm kontrata me “Z-Mobile”, ka edhe kontrata të tjera, mirëpo kjo është larg më e madhja. Më afër mendsh është që kjo Qeveri as të mos e shkëpusë kontratën me “Z-Mobile”, as nuk do të shkëpusë kontrata të tjera të dëmshme, as nuk do të kryejë ndonjë ristrukturim të brendshëm, ku do të linte të papunë punëtorë, as nuk do të kryejë ndonjë privatizim, por do të vazhdojë ta mbajë këtë gjendje dhe, kur nuk do të ketë para për paga, do të ndajë ndihmë financiare”, theksoi analisti Xhevat Meha për “Kosova Sot”

Qeveria planifikon ta vazhdojë kontratën “Z-MOBILE”-PTK, duke favorizuar Devollët sërish, me justifikimin se nëse nuk e vazhdojnë atë, do të pësojnë humbje edhe më të mëdha. Ekspertët në vazhdimësi e kanë përsëritur se e vetmja që mund ta shpëtojë Telekomin e Kosovës është Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas një hetimi serioz e të guximshëm gjetjeje të veprave penale me krim të organizuar në kontratën e Telekomit me “Z-Mobile”. Por, për këtë çështje nuk është prononcuar Prokuroria, por as Qeveria e Kosovës rreth asaj se pse do ta vazhdojë këtë kontratë të dëmshme e skandaloze, por as “Z- Mobile”. Sipas analistëve, qëllimshëm në Telekom u instaluan servilët e politikës si dhe u plaçkit Telekomi përmes skemave dhe kontratavekriminale të dëmshme dhe me arbitrazhe të inskenuara nga po këta të instaluarit e mafio- politikës së ardhur në vitin 2008. Analistët thonë se edhe pse Prokuroria është e vetëdijshme për krimet që janë bërë kundër

Telekomit, nuk ka guxuar e nuk ka bërë asnjë hetim dhe nuk ka aktakuza për krimet e pandërprera që janë bërë në PTK pandalshëm, e sidomos në 11 vjetët e fundit, nga viti 2009, duke përfshirë edhe kontratën më kriminale të këtij 20-vjeçari të fundit e që është kontrata me Devollët. Se a do të jetë pjesë e fundosjes së PTK-së dhe bashkë-autore edhe Prokuroria e Shtetit me heshtjen e saj e mosveprimin saj të pashembullt, dhe pse po frikësohet aq shumë Prokuroria e prokurorë nga kërcënimet e Devollëve dhe Hashim Thaçit si dhe bashkë-ortakët në institucionet më të larta në Qeveri, në Kuvend, në Presidencë, në AKI, në Polici, në vetë Prokurorinë dhe në Gjyqësor mbetet të shihet, por analistët thonë se Prokuroria Speciale prej vitit 2008 e deri tani në 2019-tën nuk denjoi të hapë rastet për krimin e organizuar dhe shkatërrimin e PTK-së nga ish-kryeministrat dhe ish-Qeveritë, në majat e pushtetit në të tre shtyllat e pushteteve.

Image
Xhevat Meha

Metoda e plaçkitjes u soll nga Afrika

Analisti Xhevat Meha theksoi për “Kosova Sot” se PTK-ja, si pasuri e përbashkët e Kosovës, është plaçkitur pa mëshirë nga shume aktorë, pjesë e krimit të organizuar. “Pakkush nga zyrtarët e lartë të shtetit nuk ka marrë hise në këtë plaçkitje nga qeveritë e deritanishme. Kuptohet ata/ato me lidhje më të forta me krimin e organizuar kanë përvetësuar plaçkitje më të mëdha. Plaçkitja është kryer me metoda shumë të avancuara të krimit të organizuar, duke përdorur modelet më të avancuara të plaçkitjes së pasurive të përbashkëta të vendeve të tjera në Afrikë e gjetiu”, është shprehur Meha. Tutje shtoi se këto njohuri dhe praktika të avancuara të krimit të organizuar janë sjellë në Kosovë nga strukturat e fshehta serbe që kanë pjesëmarrje në kësi krimesh nëpër vende të tjera të botes së tretë. “Qeveria e tanishme ka hisen e vet në këtë plaçkitje, por gjithashtu i ka mbetur patatja e nxehte në dorë. Kjo Qeveri e shtrënguar nga humbja e votuesve nuk guxon ta privatizojë nga çfarëdo kompanie private, sepse do të ndodhë mbetja e papunë e një numri të madh të punëtorëve me humbje votash si dhe do të shkëputen numër i madh i kontratave të dëmshme, prapa të cilave janë rrjete të forta të krimit të organizuar dhe militantë partiakë që sjellin votues për partitë politike”, është shprehur Meha.

“Nuk është vetëm kontrata me “Z-Mobile”, ka edhe kontrata të tjera, mirëpo kjo është larg më e madhja. Më afër mendsh është që kjo Qeveri as të mos e shkëpusë kontratën me “Z-Mobile”, as nuk do të shkëpusë kontratat e tjera të dëmshme, as nuk do të kryejë ndonjë ristrukturim të brendshëm, ku do të linte të papunë punëtorë, as nuk do të kryejë ndonjë privatizim, por do të vazhdojë ta mbajë këtë gjendje dhe kur nuk do të ketë para për paga do të ndajë ndihmë financiare”, theksoi analisti Meha për “Kosova Sot”.

Image
Faik Krasniqi

 Krasniqi: Borxhi i PTK-së do t’u mbetet gjeneratave të reja

Analisti Faik Krasniqi theksoi për “Kosova Sot” se PTK-ja ka kohë që ka falimentuar. “Arsyet tashmë dihen. Kontratat kriminale, mbipunësimi, pagat e majme etj. Këto janë arsyet e fundosjes së PTK-së. Nuk e kuptoj se si i vazhdohet kontrata një operatori nga ana e PTK-së, kur kjo e fundit ka falimentuar. PTK-ja duhet te shpallet e falimentuar, sepse nëse vazhdon kështu me këto kontrata kriminale, atëherë të gjitha borxhet do t'i faturohen shtetit, dhe ky borxh do t'u mbetet gjeneratave të ardhshme” ,është shprehur Krasniqi për “Kosova Sot”. Sipas tij, është e kotë të flitet për Prokurori dhe Gjyqësor në Kosovë, kur dirigjohen nga ata që i kanë emëruar. “Po të kishim një drejtësi të pavarur, pjesa dërmuese e politikanëve tashmë do të ishin prapa grilave. Jo vetëm ata, por edhe këlyshit e tyre. Burgjet do të ishin stërmbushur”, theksoi Krasniqi!

(Kosova Sot)