Vrasja e vëllezërve Bilali, sot masa e sigurisë ndaj autorëve, policia “blindon” Gjykatën e Shkodrës

  • 29 April 2019 - 11:18
Vrasja e vëllezërve Bilali, sot masa e sigurisë ndaj autorëve, policia “blindon” Gjykatën e Shkodrës

Ditën e sotme pritet të zhvillohet masa e sigurisë ndaj Arsen Stojkut dhe Mislim Ramës, të akuzuar si autor për vrasjen e dy vëllezërve Bilali në Shkodër.

Gjykata e Shkodrës është rrethuar nga forca të shumta policie për çështje sigurie.

Më përpara, dy të akuzuarit kanë mohuar akuzat ndaj tyre, ndërsa pritet që edhe sot në gjykatë të mohojnë sërish akuzat.

Hetimi

Në njoftimin e saj, Policia e Shkodrës tregon se vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim. Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim vrasjen e Astrit dhe Ibrahim Bilalit. Si rezultat i punës së vazhdueshme intensive me metodat speciale të hetimit, nga grupi i posaçëm hetimor, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje. Gjatë veprimeve hetimore u bë sekuestrimi i një automjeti, tri aparateve telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre. Policia vazhdon punën për hedhjen dritë mbi motivin e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bilali.

Identifikimi

Menjëherë pas vrasjes së dy vëllezërve Bilali në lagjen “Kiras” në Shkodër, pak metra nga vendi i ngjarjes Policia gjeti një makinë të djegur që dyshohej se ishte përdorur nga autorët për të kryer vrasjen e dy vëllezërve Bilali. Menjëherë në vendin ku po digjej makina, shkoi një zjarrfikëse e Repartit Zjarrfikës të Shkodrës, duke bërë shuarjen e flakëve. Makina e dyshuar se është përdorur për vrasjen e dyfishtë është djegur në pjesën e jashtme, ndërsa kishte shpëtuar pa u djegur përbrenda. Kjo ishte një ndihmesë e madhe për Policinë. Efektivët gjetën në atë mjet gjurmë të ndryshme.

Menjëherë u dërguan në Tiranë për të bërë ekspertizën e nevojshme dhe për të arritur që përmes këtyre gjurmëve të gjenden autorët. Pas një punë voluminoze, Policia është ndihmuar nga këto gjurmë për të arritur tek autorët e dyshuar. Po ashtu gjatë gjithë kësaj kohe, prej gati një muaji, ka pasur përgjime të ndryshme telefonike dhe ambientale që kanë krijuar dyshime të arsyeshme për Policinë mbi autorët e mundshëm në vrasjen e Astrit dhe Ibrahim Bilalit.

(Kosova Sot)