Miftari: Kontrolluesit e sundimit të ligjit janë shndërruar në penguesit kryesorë të tij

  • 29 April 2019 - 12:07
Miftari: Kontrolluesit e sundimit të ligjit janë shndërruar në penguesit kryesorë të tij

Analisti Naim Miftari është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar janë bërë mision i pamundur, për arsye se vetë krimi i organizuar i ka futur në grusht politikën, pushtetin dhe organet e shtetit, sidomos ato organe që janë të sundimit të ligjit. “Edhe vetë këshillat dhe organet që kontrollojnë sundimin e ligjit janë shndërruar në penguesit kryesorë të sundimit të drejtësisë dhe ligjit në Kosovë.

Dhe, kur prokurorët, policët, AKI-ja dhe gjyqtarët shumica janë kukulla të dikujt nga lart dhe u japin sot llogari sulltanëve të tyre e shefave të shefave politikë dhe oligarkëve të pushtetit, normalisht që drejtësia dhe sundimi i ligjit dështojnë dhe mbesin vetëm dëshira”, është shprehur ai. Sipas tij, shpeshherë fajet i ka gjyqësia e ua hedh policisë, inteligjencës, kurse këta ia hedhin prokurorisë, e këta ia hedhin gjyqësisë, duke luajtur pingpong me dështimin e tyre. “Hedhja e fajit në rrotacion, ose lënia e fajit ligjeve është vetëm blerje kohe dhe ikje nga përgjegjësia individuale e këtyre institucioneve.

Dhe, sot për sot me këta politikanë të korruptuar dhe mafiozë modernë është e pamundur të punojë ndershëm një prokuror, një gjyqtar, një polic, një agjent i inteligjencës.

Poqë nuk u takojnë apo nuk janë kukulla të grabovcëve, e shefave të tyre nga lart as nuk vjen mundësia të pranohesh në një vend pune me përgjegjësi ekzekutive ligjore dhe nëse vjen rastësisht në një pozicion të tillë po e ngacmove mafinë politike dhe politikanët e korruptuar ju pret fati sikur i Elez Blakajt, prokurorit special ose edhe më keq, mundesh edhe të jesh viktimë, domethënë të vritesh”, është shprehur analisti Naim Miftari.

(Kosova Sot)