Sulm me armë e grabitje, e shkuara e errët e tre autorëve të vrasjes së dy kushërinjve në Laç

  • 29 April 2019 - 13:16
Sulm me armë e grabitje, e shkuara e errët e tre autorëve të vrasjes së dy kushërinjve në Laç

Ngjarja e rëndë që u regjistrua në mes të qytetit të Laçit dhe la viktimë kushërinjtë Kelvin dhe Erjon Jushi, sipas policisë ndodhi për motive banale pas një konflikti të çastit.

Por personazhet e përfshira në këtë vrasje të dyfishtë tregojnë se kjo ngjarje nuk ishte krejt e papritur. Vrasja e 2 te rinjve tregoi persona me precedentë penalë madje edhe në kërkim nga policia lëviznin të armatosur dhe frekuentonin lokale në qendër të qytetit dhe shumë pranë komisariatit.

Pak orë pas vrasjes së dyfishtë Policia e Kurbinit ka identifikuar e shpallur në kërkim si të dyshuar vëllezërit Markel e  Manuel Bushi si dhe kushëririn e tyre, Vincent Bushi. 25-vjeçari Markel Bushi është person me precedentë penalë dhe në kërkim nga policia që në vitin 2013 pasi akuzohet për grabitje me armë.

Në vitin 2012 ai së bashku me një person tjetër kanë sulmuar me arme disa vajza dhe i kanë grabitur. Për këtë ngjarje ai u arrestua nga policia dhe mundi të arratisej disa muaj më vonë nga burgu dhe u dënua në mungesë nga gjykata me 9 vite burg. Policia ka tentuar edhe në 2013 ta arrestojë sërish por ai i është kundërpërgjigjur me armë dhe ka mundur t’i shpëtojë prangave.

Me precedentë penalë është edhe autori tjetër i dyshuar 28 vjeçari Vinçens Bushi. Ai ka qenë i arrestuar dhe dënuar në 2017 për armëmbajtje pa leje, ndërsa është liruar nga drejtësia me shërbim prove. Fillimisht ai u dënua me 6 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul masa në 1/3 dhe 2 vitet që i mbetën iu lanë në shërbim prove. Bashkia Kurbin dërgoi në gjykatë një letër me arsyetimin se Pali ka sjellje të mirë në komunitet.

Edhe pas vrasjes se dyfishtë ata vazhdojnë të jenë ende në liri. Policia e Kurbinit dhe  FNSH kanë kryer  kontrolle në banesa e vende të dyshimta ku mund të jene fshehur autorët, si dhe kanë  shoqëruar në Komisariatin deri me tani 23 persona të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen. Burime nga policia thanë për “News24”  e “BalkanWeb”se fillimisht sherri verbal për motive të dobëta ka nisur brenda ambienteve të një lokali mes kushërinjve Kelvin dhe Erjon Jushi  me Manuel Bushin.

Ky i fundit më pas ka thirrur edhe vëllain e madh me kushëririn të cilët erdhën në lokal të armatosur. Kushërinjtë Jushi tentuan t’i shmangen përplasjes me armë dhe dolën në rrugë por nuk mundën t’i shmangeshin breshërisë së plumbave. Ata mbetën të plagosur dhe u transportuan në Tiranë për ndihmë mjekësore por nuk mundën tu mbijetonin plageve të marra. 30-vjecari Kelvin jushi është një personazh i njohur në Laç pasi në periudhën  2009-2014  ka qenë pjesë e ekipeve të Laçit, Kastriotit dhe Mamurrasit.

(Kosova Sot)