Përpjekjet e Mogherinit në Berlin – A do t’i shkojë Haradinaj në takim?

  • 29 April 2019 - 13:28
Përpjekjet e Mogherinit në Berlin – A do t’i shkojë Haradinaj në takim?

Përfaqësuesja e Lartë e BE’së duket se po bën përpjekje për t’u mos u turpëruar në kryeqytetin gjerman ku të fuqishmit e BE’së Angela Merkel dhe Emannuel Macron po organizojnë samitin BE –Ballkani Perëndimor. Një burim me të cilin gazeta ka kontaktuar në mesditë ka thënë se Haradinaj nuk e ka në agjendë takimin me Mogherinin.

Ajo ka paralajmëruar takime pas orës 20 e 30 me liderët e Ballkanit duke i përmendur të gjithë me emër.

Mogherini ka bërë me dije se do të ketë takime bilaterale me Presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq, me kryesuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës Denis Zvizdic, Kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën.

Por, kur ka paralajmëruar takimet me palën serbe dhe kosovare nuk ka përmendur emra vetëm i ka emërtuar si “delegacioni i Serbisë” dhe “delegacioni i Kosovës”. Kjo mbase edhe për faktin se nuk dihet nëse Ramush Haradinaj do të shkojë në këtë takim për shkak se javëve të fundit ai ka drejtuar kritikat të vazhdueshme në adresë të saj që ka lejuar bisedimet për kufijtë.

Edhe para kësaj Haradinaj kishte pasur përplasje në Bruksel me Mogherinin kur kjo e fundit kishte refuzuar të dalë para mediave me Kryeministrin e Kosovës kur ky i fundit i kishte thënë se s’ka dialog Kosovë –Serbi pa përfshirjen e SHBA’ve.

Burime të gazetës sot në mesditë kanë thënë se aktualisht Haradinaj nuk ka në agjendë një takim me Mogherinin.

(Kosova Sot)