Grabitja në Rinas/ Si u zbulua gjithë grupi nga gjurma në furgon. Në vendin ku u vra Murataj u gjetën...

  • 29 April 2019 - 13:54
Grabitja në Rinas/ Si u zbulua gjithë grupi nga gjurma në furgon. Në vendin ku u vra Murataj u gjetën...

Identifikimi i Alkond Bengasit përmes një gjurme gishti në furgonin “Hetimi Tatimor” e më pas bashkëpunimi i tij me prokurorët, çoi në zbardhjen e pothuajse të të gjithë emrave të personave që morën pjesë në mënyrë direkte e indirekte në grabitje.

Duke qenë se Bengasi ishte një ndër personat që kishte ndihmuar në modifikimin e furgonit që u përdor në grabitje, ai kishte lënë gjurmë, edhe pse pjesa më e madhe e tyre ishin fshirë. 

Por ekspertët që kanë bërë këqyrjen e furgonit, që i shpëtoi djegies në vendin ku u vra Admir Murataj, kanë konstatuar me sy të lirë një gjurmë gishti në pasqyrë. Ajo u fiksua në pasqyrën e brendshme, që ndodhet te mbrojtësja e diellit, në krahun e djathtë të furgonit. “Gjatë këqyrjes së automjetit me targë AA 248 KE, ndër të tjera ka rezultuar se në perden e diellit të anës së djathtë është konstatuar me sy të lirë gjurma daktiloskopike.

Nëpërmjet aktit të ekspertimit të kryer dy ditë pas grabitjes, më 11 prill 2019 ka rezultuar se në objektin e ekspertimit, fiksuar si provë materiale gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u përftua një gjurmë papilare e vlefshme për identifikim, e cila u shënua me germën ‘A'”, përshkruhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

SHENJA E GISHTIT

Gjurma e fiksuar nga ekspertët ndodhej në sipërfaqen e pasqyrës së mekanizmit që shërben për t’u mbrojtur nga dielli. Në procesverbalin e mbajtur, ekspertët kriminalistikë shënonin se ajo nuk mund të caktohet se nga cili gisht është formuar dhe është e vlefshme për krahasim në rreth të kufizuar personash. 

Për këtë arsye, kjo shenjë i është nënshtruar edhe një ekspertimi të dytë dhe më konkretisht, në datën 19 prill 2019 ekspertët kanë dalë në përfundimin se i përkiste Alkond Bengasit. “Gjurma është objekt ekspertimi e fiksuar në vendin e ngjarjes, vjedhje me armë, datë 9 prill 2019 në Rinas, është formuar nga gishti i mesit i dorës së majtë të shtetasit Alkond Ferdinand Bengasi (Qevani)”, thuhet në aktin e ekspertimit, bashkëngjitur dosjes së Prokurorisë.

Nisur nga këto rrethana, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e Alkond Bengasit. Bashkë me të janë vënë në pranga edhe dy shtetasit e tjerë nga Elbasani, Saimir Çela e Rolando Sula.

PROVAT E SEKUESTRUARA

Pas grabitjes së 6.7 milionë eurove në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, forcat e FNSH-së ndoqën furgonin e autorëve dhe pati edhe një shkëmbim me armë zjarri. Gjatë të shtënave mbeti i vrarë Admir Murataj, i dyshuar si një ndër organizatorët kryesorë të grabitjes. Në momentin kur u qëllua për vdekje, ai kishte spërkatur me benzinë furgonin “Hetimi Tatimor” dhe po tentonte t’i vinte flakën.

Por nuk arriti ta digjte, duke qenë se mbeti i vrarë. Përveç furgonit, që ishte prova kryesore për grupin hetimor, në vendngjarje u sekuestruan edhe mjaft prova të tjera materiale, të vlefshme për hetimin. 

Në dosje renditen të paktën 13 prova që janë sekuestruar nga Policia, duke filluar që nga municioni, një granatë dore, dy granata tymuese, një pistoletë e një automatik, krehra pistolete e automatiku të mbushur me fishekë, gërshërë për prerje hekuri, një aparat që shërben për bllokimin e valëve etj..

PROVAT NE VENDNGJARJE

1. Një granatë dore e montuar me ndezës dhe sigurues të vendosur në të
2. Dy granata tymuese
3. Një pistoletë e kalibrit 7.62 mm model 54 me nr.200101
4. Tre krehra pistolete të mbushur me fishekë
5. Një armë zjarri e llojit automatik model 56 me krehër të vendosur dhe fishekë në fole
6. Katër krehra të tjerë automatiku të mbushur me fishekë
7. Një fishek model 56 i paplasur
8. Gjashtë gëzhoja armë zjarri model 56
9. Dy palë gërshërë për prerje hekuri
10. Një aparat me ngjyrë të zezë, që shërben për bllokimin e valëve të telefonit
11. Një aparat telefonik
12. Një automjet furgon
13. Një maskë plastike

(Kosova Sot)