S’ka proteza për invalidët

  • 29 April 2019 - 14:30
S’ka proteza për invalidët

Shaip Loshi është invalid i luftës. Ai ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjatë luftimeve, si pasojë, kishte humbur njërën këmbë, të cilën tashmë e ka zëvendësuar me protezë.

Kjo protezë i ka kushtuar 40 mijë euro. Qeveria e Kosovës e ka financuar Shaipin, si dhe shumë luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, kjo nuk ndodh edhe me invalidët civilë të luftës.

Invalidët civilë, por edhe qytetarët e amputuar, pra ata që si pasojë e ndonjë aksidenti apo sëmundjeje i kanë të prera gjymtyrët e trupit, protezat i kërkojnë në Klinikën Ortoprotetike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndonëse një protezë këmbe kushton rreth 40 mijë euro, buxheti vjetor i Klinikës Ortoprotetike për vitin e kaluar ka qenë rreth 120 mijë euro. Kjo sipas teknikëve të ortoprotetikës nuk i përmbush nevojat minimale për pacientë.

Në këtë Klinikë, brenda një viti, shërbime të ndryshme ortoprotetike kërkojnë rreth 3 mijë qytetarë.

Problemet me furnizimin me proteza, janë aktuale, por edhe datojnë qysh moti. Një situatë më e rëndë ishte paraqitur gjatë viteve 2016 dhe 2017, kur sipas zëvendësministrit të Shëndetësisë Rrustem Musa, Klinika Ortoprotetike nuk ishte furnizuar për shkak se ishte anuluar tenderi. Kështu, pacientët kishin mbetur pa material për proteza dhe shërbime të tjera për gjymtyrë.

Shaip Loshi, i cili është edhe teknik i ortoprotetikës, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se furnizimi, por edhe kushtet ku punojnë, janë nën nivel.

 “Unë jam invalid i luftës. E kam humbur këmbën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Tash mbaj protezë në vend të këmbës. Buxheti total vjetor për Klinikën Ortoprotetike, është rreth 120 mijë euro. Si rrjedhojë nuk jemi aspak të furnizuar me material. Mund të them se qe tre vjet as 20 për qind me material nuk jemi të furnizuar për nevojat e qytetarëve. Çfarëdo që thonë tjetër, kushdo për Klinikën, nuk është e vërtetë”, thekson ai.

“Kërkesat janë të mëdha nga pacientët. Kur nuk ka material i drejtojnë në ordinance private. Disave ua paguan Ministria e Shëndetësisë, në vend që të sjellin material këtu”, thotë Loshi.

Drejtori i Klinikës Ortoprotetike, Lulzim Geci tha për Radion Evropa e Lirë se janë mbi 3 mijë pacientë në vit që kërkojnë të marrin shërbime në këtë Klinikë, pasi që atyre u mungojnë gjymtyrët. Ata kryesisht janë invalidë civilë të luftës.

Shumë nga ta, pas luftës kanë shkelur në mina, disa gjymtyrët i kanë humbur gjatë luftës, e të tjerë në aksidente komunikacioni apo kishte raste amputimi për shkak të problemeve shëndetësore.

Edhe Geci thotë se gjatë këtij viti kjo Klinikë nuk ka pranuar ende material të nevojshëm që punohen si proteza.

“Furnizimi me material këtë vit ende nuk është bërë. Furnizimi i fundit është bërë vitin e kaluar kah muaji shtator. Ai material është shpenzuar shumë shpejtë. Nga fluksi i madh as ata që kanë qenë në listë të pritjes nuk kanë arritur t’i marrin shërbimet. Tash ne punojmë, por më shumë me riparime të protezave, pasi nuk ka material për të punuar proteza të reja”.

“Jemi në pritje të furnizimit, kërkesë kemi bërë, të shohim kur do të na furnizojnë. Ne jemi i vetmi institucion që bëjmë furnizimin e pacientëve me proteza, por material nuk po ka. Te ne vijnë invalidë të luftës, invalidë civilë të luftës, pacientë të moshuar që kanë amputime, qytetarë që kanë aksidente. Por, kryesisht invalidët e luftës i ka furnizuar me proteza Qeveria e Kosovës përmes një programi të veçantë”, tha Geci për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu thotë se ende janë duke bërë analiza në mënyrë që të dihet saktë se sa lejon buxheti i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të ndajë mjete për Klinikën Oprtoprotetike.

“Shërbimi klinik ortoprotetik ka bërë kërkesë sikurse të gjitha njësitë tjera dhe natyrisht çdo planifikim i Klinikës i nënshtrohet një analize ku edhe kjo Klinikë është në nivel të analizave. Aq sa lejojnë mundësitë buxhetore, aq edhe do t’i ofrojmë të holla për material kësaj Klinike”, tha Fazliu.

Ndërkaq, Shaip Loshi thotë se që nga viti 2000, kur edhe ka filluar punën në Klinikën Ortoprotetike, asnjëherë Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë trajnime për stafin. Kurse teknikat që përdoren për fiksim të protezave për pacientë aty, janë më se të vjetra.

“Unë qe 19 vjet punoj këtu. Asnjë trajnim nuk e ka bërë Ministria e Shëndetësisë për qendrën ortoprotetike, derisa kërkesat e pacientëve ndërrojnë, standardi ndërron. Njëherë një organizatë e huaj na ka trajnuar si staf dhe na ka pajisur me material. Asnjëherë më nuk është furnizuar Klinika si duhet. Kemi teknikë që e kanë përfunduar shkollën në Francë, por ata nuk po mund t’i aplikojë metodat në Klinikë, për shkak se nuk kemi kushte pune”, theksoi Loshi.

Në Klinikën Ortoprotetike shpeshherë kanë ardhur mjekë vullnetarë nga shtete të ndryshme të botës, duke sjellë proteza për pacientë që u mungojnë gjymtyrët e trupit dhe duke ua vendosur ato.

(Kosova Sot)