Mblidhen krerët e Ballkanit Perëndimor, fillon takimi në Berlin

  • 29 April 2019 - 14:59
Mblidhen krerët e Ballkanit Perëndimor, fillon takimi në Berlin

(E plotësuar) - Takimi i thirrur nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron në Berlin me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ka nisur.

Agjencia e lajmeve Reuters ka publikuar një fotografi nga takimi, ku shihen Presidenti Thaçi bashkë me Shefin e Stafit të tij, Bekim Çollaku.

Pranë tyre janë edhe delegacioni nga Shqipëria, ku në përbërje janë ministri i Jashtëm, Gent Cakaj dhe kryeministri Edi Rama.

Në anën tjetër, përball tyre, janë edhe delegacioni i Serbisë, në përbërje të presidentit Vuçiq e kryeministres Bërnabiq.

Image

Merkel: Sonte diskutojmë për gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën e Serbinë, s’ka ndonjë vendim

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nga Berlini, gjatë një konference të përbashkët me presidentin francez, ka thënë se vendim për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi sonte nuk pritet të ketë, por tha se “pret zgjidhje mes dy vendeve”.

“Jemi të përkushtuar për perspektiven evropiane të vendeve të Ballkanit, por kjo s’ka të bëjë me zgjerimin. Gjermania e Franca duan të tregojnë se është në interes të përbashkët që të shohim zhvillimin e Ballkanit. Në darkë do të diskutojmë se si mund ta gjejmë një zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë. Ideja jonë është që të shohim se si të pajtohemi për t’i lehtësuar e jo vështirësuar gjerat. Nuk do të ketë ndonjë vendim sonte. Ky është një format joformal që nuk e zëvendëson Procesin e Berlinit”, tha Merkel.

Ndërsa, presidenti Francez, Emmanuel Macron, ka thënë se takimi i sotëm është joformal dhe si i tillë në të s’do të flitet për çështje të hapura të vështira.

“E kemi parë që ka mundësi të zgjidhjeve siç është rasti i Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo ndodhë kur njerëzit janë të guximshëm. Çështja kryesore e diskutimit do të jetë Kosova dhe Serbia. Duam që të vazhdojnë dialogun. Nuk duam të imponojmë zgjidhje për Kosovën e Serbinë. Shpresojmë që të mos ketë emocione në rrugën përpara dhe vështirësi të reja. Ku ka tensione, duam t’i adresojmë”, deklaroi Macron.

Pas konferencës për media, Merkel e Macron kanë pritur edhe delegacionin e Kosovës, i përbërë nga kryeministri Ramush Haradinaj e presidenti Hashim Thaçi.

Mogherinin e bojkotoi, Haradinaj tregon se çka i tha ambasadorit amerikan në Gjermani

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në takimin me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, ia ka bërë me dije se qeveria e Kosovës e kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve me Serbinë.

Në këtë takim, Haradinaj ka thënë se ka shprehur “përkushtimin e Kosovës për dialogun me Serbinë, për konsolidimin e ekipit negociator të vendit dhe për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e vendit dhe se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me njohje reciproke”. 

“Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opsion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin. Ambasadorit Grenell i tregova për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj teksa në fund ka shtuar se “roli i ShBA-ve në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm!”

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi e ka quajtur takim me rëndësi atë me Grenellin. Sipas Thaçit, roli i SHBA-së ka qenë dhe mbetet vendimtar për Kosovën.

“Për Republikën e Kosovës është shumë i rëndësishëm koordinimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para nisjes së Samitit të Berlinit, një takim me rëndësi kishim edhe me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Roli i SHBA-së ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë vendimtar për ne. Jemi të bekuar me mbështetjen e SHBA-së!” ka shkruar ai.

Image

Haradinaj e bojkoton, Thaçi jep detajet e takimit me Mogherinin

Pas takimit që pati me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, përfaqësuesja e BE-së për Politikë të Jashtme është takuar edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin. Thaçi para mediave ka deklaruar se taksa është e drejtë legjitime e Kosovës, teksa ka përmendur edhe idenë për shkëmbim em territore.

Fillimisht, presidenti ka folur për idenë për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Ka qenë një standard i dyfishtë Kosovë, liberalizimin spo e kërkojmë si dhuratë po është diçka që e  meritojmë është kontrata me qytetarët e Kosovës, është një padrejtësi dhe diskriminim”, tha presidenti Thaçi.

Teksa tutje është deklaruar se taksa e vendosur për produktet serbe e boshnjake është e drejtë legjitime e Kosovës.

“Taksa është e drejtë e ligjshme është legjitime nëse Serbia vazhdon me veprime të tilla ne vetëm do të vazhdojmë, shtoi presidenti.

Thaci ka insistuar se dialog nuk do të ketë pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Dialogu negociata nuk ka pa shtete të bashkuara të Amerikës, ne do të kemi dialog të pakushtëzuar. Është koha që Serbia ta njeh Kosovën. Ne kemi takime dhe me zonjën Mogherini është mundësi e mirë, do të takojmë edhe ambasadorin e shteteve të bashkuara”, shtoi ai.

“Roli i shteteve të Bashkuara do të mbet i pazëvendësueshëm”, tha Thaci.

Ai ka bërë të ditur se presin nga kancelarja gjermane, Angela Merkel që ta bindë presidentin serb që ta njoh Kosovën.

Për takimin ka njoftuar edhe zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq përmes rrjetit social Twitter.

Shefja për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini për pak do të presë në takim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Behgjet Pacollin. Në këtë takim, në anën tjetër nuk do të shkojë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, që ka bojkotuar Mogherinin.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, kanë arritur në objektin e Komisionit Evropian në Berlin ku do të takohen me Shefen e Politikë së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Momentalisht, shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini momentalisht është duke zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

Në këtë takim, siç ka mësuar media  nuk do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj që së fundmi, shkaku i taksës dhe idesë për shkëmbim me territore nuk është pajtuar në deklarata me Mogherinin.

Përfaqësuesit kosovar dhe ata serb do të zhvillojnë takime të ndara me Mogherinin, përderisa pritet që brenda pak minutave Vuçiq të largohet nga ndërtesa në fjalë.

(Kosova Sot)