Kelmendi: Në Komision u provua qartë se pushteti dhe shteti janë në duar të klanit të Hashim Thaçit

  • 29 April 2019 - 15:01
Kelmendi: Në Komision u provua qartë se pushteti dhe shteti janë në duar të klanit të Hashim Thaçit

“Diskutimet e zhvilluara në Komisionin e Parlamentit të Kosovës me presidentin e vendit, z. Hashim Thaçi, ishin një ngjarje e pritur dhe ajo tregoi se Thaçit fare nuk i interesojnë shteti dhe e drejta, kundruall vetes së vetë. Natyrisht se anëtarët e komisionit, si i tërë Parlamenti, janë të dobët në kualifikime dhe nuk dinë detyrat e veta. Mirëpo, Thaçi me shkathtësinë e një pelivani të lyer me vaj ik dhe tërë qëllimin e kishte të deklarohet. Kuptohet se nëse Komisioni ka bërë gabim në anëtarët a ekspertët e vetë, gjë që anëtaret e komisionit ranë nën ndikimin dhe planin e Thaçit, sidomos z. Kurteshi dhe Quni, pa folur për kryetarin e komisionit, i cili ishte thjesht i papërsëritur, luajti me ta dhe tregoi se atij fare nuk i intereson shteti dhe se shteti është vetë Hashim Thaçi. Sjellja e Thaçit jashtë konditave pse ishte ftuar, sikundër dhe ofendimet, provokimet dhe injorimet e tij, tregojnë nivelin që e ka si njëri dhe si President.

E tërë kjo pastaj eskaloi me intervenimin e Qunit dhe të Beqës, të cilët nuk ishin në lartësinë e detyrës. Sidomos Beqa tregoi njëanshmëri dhe vartësi totale nga mbreti Thaçi. Thaçi që në fillim e nxori nga takti Kurteshin. Atë e bëri fëmijë dhe ky ia kthejë me ofendime të rënda. Vazhdoi loja e Thaçit në emër të ekspertit të propozuar nga Kurteshi dhe të votuar nga Komisioni. Këtu nuk kishte të drejtë z. Thaçi. Komisioni është themeluar nga Kuvendi dhe detyra e Thaçit nuk ishte puna e Kuvendit. Thaçi ishte thirrur për të deklaruar lidhjet e tij me ekstradimin e 6 turqve. Pra, për të konstatuar se mos ekstradimi është bërë me urdhër të Thaçit, gjë të cilën e besoj edhe unë vetë. Jam i bindur se urdhri është dhënë nga Thaçi dhe ekstradimin e ka bërë Shpend Maxhuni, ish-drejtor i Policisë dhe Gashi sh-drejtor i AKI-së. Këtu duhet lypur fajësinë për ekstradim. E prandaj Thaçi bëri lojën e tillë në emër të gjoja normave ligjore dhe të së drejtës që të informohet. Informimi është gjë juridike. Por, ikja dhe mosdeklarimi janë shkelje e normave kushtetuese.

Në Komision u provua qartë se pushteti dhe shteti janë në duar të klanit të Hashim Thaçit dhe se nuk ka mundësi të ecët jashtë këtij klani. Në fakt komisioni veç e di se kush është përgjegjës për ekstradim. Fakte dhe të dhëna ka mjaft. Kërkohet vetëm të ndërmerren masa. E masa kryesore është që Komisioni të hartojë një kërkesë për Kuvend dhe të kërkojë shkarkimin e Hashim Thaçit. Juridikisht kjo duhet të ndodhë”, theksoi për “Kosova Sot” profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)