Shkon në 38 numri i viktimave të ciklonit Kenneth në Mozambik

  • 29 April 2019 - 15:34
Shkon në 38 numri i viktimave të ciklonit Kenneth në Mozambik

Numri i viktimave të ciklonit Kenneth ka shkuar në 38, përderisa vërshimet po vazhdojnë. Kjo është stuhia e dytë që po e godet Mozambikun brenda pak javësh.

Shiu i stuhisë e ka vërshuar qytetin verilindor të Pembas dhe zonat përreth tij të hënën dhe parashihet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme. Përndryshe, cikloni Idai, i cili e goditi Mozambikun në mesin e muajit mars, la të vdekur së paku 600 persona.

Qeveria tha se vërshimet e shkaktuara nga stuhia e dytë në këtë vit janë në nivel kritik në disa pjesë të rajonit Cabo Degado, përfshirë qytetet Ibo, Macomia dhe Quissanga, ku shumë shtëpi dhe ndërtesa tjera janë shkatërruar. Shumica e rrugëve janë bllokuar.

Zyrtarët shtetërorë thanë se do të fillojnë të shpërndajnë ndihma me helikopterë dhe barka posa të ndalen reshjet e shiut. Furnizimi me ujë të pijes është bërë sfidë për autoritetet për shkak se puset janë kontaminuar, duke e shtuar rrezikun për përhapjen e kolerës dhe malaries.

Shiu i vazhdueshëm në Pemba shkaktoi rrëshqitje vdekjeprurëse të dheut. Pas ndërprerjes së shiut të hënën, banorët e një lagjeje të varfër filluan kërkimet e trupave të personave të mbuluar nga dheu. Raportohet se shembja e dheut i ka shkatërruar dy shtëpi në këtë qytet, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)