Ndodhë edhe kjo: Rreth 40 zyrtarë nga Kosova, në ‘ekskursion’ në Berlin

  • 29 April 2019 - 15:41
Ndodhë edhe kjo: Rreth 40 zyrtarë nga Kosova, në ‘ekskursion’ në Berlin

Në samitin e Berlinit që po mbahet sot në Gjermani, përveç kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi, po marrin pjesë edhe një numër i madh i zyrtarëve nga Qeveria e Kosovës.

Mësohet se rreth 40 zyrtarë nga Qeveria kanë udhëtuar për në Gjermani. Ndërsa, sipas zëdhënëses së Qeverisë gjashtë pjesëmarrës janë vetëm nga Zyra e Kryeministrit. Gjithashtu, pjesë e takimit është edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe këshilltari i tij, Jetlir Zymberaj.

Po ashtu, një numër i madh i zyrtarëve që kanë udhëtuar për në Berlin janë edhe nga Zyra e Presidentit të Kosovës.

Kurse, shoqëria civile konsideron se është krijuar një mendësi e keqe e cila po i kushton jo vetëm politikisht, por edhe në aspektin financiar Kosovës, me dhjetëra mijëra euro.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi thotë se nëpërmjet telefonit se për koston e shpenzimeve në Samitin e Berlinit do të bëhen publike pas kthimit të delegacionit.

“Pesë janë prej Zyrës së kryeministrit, ku bëjnë pjesë këshilltarët dhe zyrtari i protokollit, plus edhe kryeministri. Por unë nuk e di sa është kostoja e shpenzimeve. Për kryesuesin e delegacionit dhe një pjesë të stafit përcjellës, shpenzimet janë të mbuluara nga Gjermania, ndërsa pjesa tjetër e stafit përcjellës, janë të mbuluara me shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit”, thotë Gashi.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se është bërë një tendencë tanimë që për secilin takim në të cilin Republika e Kosovës merr pjesë jashtë vendit, takimi të shndërrohet në ekskursion me shumë njerëz të panevojshëm të cilët udhëtojnë bashkë me liderët shtetëror.

“Në Samitin e Berlinit dy figurat kryesore do jenë kryeministri Haradinaj dhe presidenti Thaçi dhe si të tillë normalisht që mund të marrin ndonjë këshilltar ose protokoll me vete, ashtu siç e do rendi, mirëpo një numër kaq i madh i zyrtarëve shtetëror që udhëtojnë bashkë me ta është krejtësisht i panevojshëm dhe janë vetëm shpenzime ekstra për buxhetin e Kosovës. Tani është krijuar dhe është bërë një traditë që të ndodh një gjë e tillë, sepse për shumë njerëz marrja e një pozite publike është bërë një event për ta, dhe si dikur derisa janë në këto poste synimi është t’i shfrytëzojnë në maksimum” ,tha Murati.

Ai thotë se rreth 12 mijë euro mund t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës vetëm biletat për të udhëtuar drejt Berlinit, ku po mbahet takimi me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

“Këtu hyjnë shpenzimet e biletave, shpenzimet e akomodimit, shpenzimet e mëditjeve dhe shumë shpenzime të tjera, shpenzime të cilat këta zyrtar i bëjnë në vendin ku ata janë duke udhëtuar, pra është një numër enorm i njerëzve dhe sa më shumë njerëz aq më tepër shpenzime, pasi e dimë që edhe kostoja e jetesës në vendet e perëndimit është më e lartë se në Kosovë…Kjo është një mendësi e keqe e cila po na kushton jo vetëm politikisht por edhe në aspektin financiar…Minimumi për një zyrtar bileta kthyese mund të jetë diku 300 euro, tash 300 herë 40 veta për bileta, pastaj edhe akomodimi nëpër hotele të Berlinit nuk mundet me qenë ndoshta më lirë se 80 euro, 100 euro për një natë, po e marr një hotel standard e mos të flasim pastaj edhe shpenzimet tjera ekstra që mund t’i bëjnë, duhet të kalkulohet mirë… Por është një shumë e madhe e cila harxhohet ku faktikisht protagonistë janë vetëm dy nje rëz ose mund të shkojnë me një ekip prej 10 personave maksimumi”, thotë ai.

Ndryshe, mbi 12.5 milionë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për udhëtime zyrtare jashtë vendit, nga njerëzit e pushtetit, gjatë vitit 2018.

(Kosova Sot)