Çfarë po ndodhë në Samitin e Berlinit, këtu i keni të gjitha lajmet

  • 29 April 2019 - 16:26
Çfarë po ndodhë në Samitin e Berlinit, këtu i keni të gjitha lajmet

Me aeroplanin privat të ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, e kryeministri i Shqipërisë Edi Rama udhëtuan mbrëmë për në Berlin, në samitin e thirrur nga kanceralja gjermane Angela Merkel e presidenti francez, Emmanuel Macron. Të hënën liderët kanë mbajtur një sërë takimesh.Media sjell përmbledhjen

Delegacioni kosovar fillon takimin me ambasadorin amerikan në Gjermani

Pas takimit që pati presidenti Hashim Thaçi me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, delegacioni kosovar, të cilit në këtë takim i është bashkëngjitur edhe kryeministri Ramush Haradinaj, janë pritur nga ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell.

Delegacioni i Kosovës ka arritur në Ambasadën Amerikane në Berlin. 

Aty janë pritur nga ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell.

Pak më parë, delegacioni i Kosovës, pa kryeministrin Ramush Haradinaj, u takua me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Thaçi në vijë me Haradinajn për taksën, ironizon pak me Merkelin

Pas takimit që pati me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, përfaqësuesja e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, është takuar edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Thaçi para mediave ka deklaruar se taksa është e drejtë legjitime e Kosovës, teksa ka përmendur edhe idenë për shkëmbim me territore.

Fillimisht, presidenti ka folur për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ka qenë një standard i dyfishtë në Kosovë, liberalizimin s’po e kërkojmë si dhuratë po është diçka që e meritojmë është kontrata me qytetarët e Kosovës, është një padrejtësi dhe diskriminim”, tha presidenti Thaçi.

Teksa tutje është deklaruar se taksa e vendosur për produktet serbe e boshnjake është e drejtë legjitime e Kosovës.

“Taksa është e drejtë e ligjshme është legjitime nëse Serbia vazhdon me veprime të tilla ne vetëm do të vazhdojmë”, shtoi presidenti.

Thaçi ka insistuar se dialog nuk do të ketë pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Dialogu, negociata nuk ka pa Shtete të Bashkuara të Amerikës, ne do të kemi dialog të pakushtëzuar. Është koha që Serbia ta njohë Kosovën. Ne kemi takime dhe me zonjën Mogherini. Është mundësi e mirë, do të takojmë edhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.

“Roli i shteteve të Bashkuara do të mbetet i pazëvendësueshëm”, tha Thaçi.

Ai ka bërë edhe një deklaratë ironike duke thënë se pret nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, që ta bindë presidentin serb ta njohë Kosovën.

Për takimin ka njoftuar edhe zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, përmes rrjetit social Twitter.

Vuçiq: Për cilët kufij do të flasim, për ata që i njeh Gjermania apo Greqia?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u është adresuar mediave para fillimit të Samitit të Berlinit.

Sipas tij, as gjatë këtij takimi taksa nuk do të hiqet, e si rrjedhojë nuk do të ketë as vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi.

Ai thotë se taksa është jocivilizuese, ndërkaq, sipas tij, dialogu nuk vazhdon veç nëse bie diçka nga qielli.

“Taksa nuk do të hiqet. Dialogu nuk vazhdon pa heqjen e taksës, veç nëse bie diçka nga qielli. Taksa është jocivilizuese”, ka thënë ai.

Vuçiq ka shtuar se nuk e ka të qartë për çfarë kufij do të flasin, “ata që i njeh Gjermania apo ata që i njeh Greqia”, ka thënë ai.

Vuçiq – Mogherinit: Bisedimet i vazhdojmë nesër, nëse hiqet taksa

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, u është drejtuar mediave pas takimit me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, në Berlin. 

Vuçiq është deklaruar edhe një herë se nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket vazhdimit të dialogut. Vazhdimi i bisedimeve, sipas tij, do të ndodhë vetëm kur të hiqet taksa për produktet serbe e boshnjake.

“I thashë Mogherinit se nuk ka vazhdim të dialogut pa e hequr taksën”, tha presidenti serb. 

“Ata e mbajtën atë gati për gjashtë muaj. Ne biseduam për çështje bilaterale, çështje të rëndësishme. Ne biseduam për problemet e eksportit të çelikut por është e sigurt se ekonomia serbe është duke ecur para me hapa të mëdhenj”, shtoi presidenti i Serbisë. 

Ndërsa sa i përket samitit, ai tha se nuk pret diçka e madhe të ndodhë. 

“A do të kemi sukses në të? Nuk jam optimist”, tha Vuçiq.

Përmes Twitterit për takimin ka shkruar edhe zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijanciq.

Haradinaj e bojkoton Mogherinin, Thaçi shkon për ta takuar në zyrën e Komisionit Evropian në Berlin

Shefja për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini, për pak do të presë në takim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Në këtë takim, ndërkaq, nuk do të shkojë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, që ka bojkotuar Mogherinin.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, kanë arritur në objektin e Komisionit Evropian në Berlin ku do të takohen me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Momentalisht, shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, momentalisht është duke zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, siç ka mësuar media nuk do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që së fundmi, shkaku i taksës dhe idesë për shkëmbim me territore nuk është pajtuar në deklarata me Mogherinin.

Përfaqësuesit kosovarë dhe ata serbë do të zhvillojnë takime të ndara me Mogherinin, përderisa pritet që brenda pak minutave Vuçiq të largohet nga ndërtesa në fjalë.

Përpjekjet e Mogherinit në Berlin – A do t’i shkojë Haradinaj në takim?

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së duket se po bën përpjekje për të mos u turpëruar në kryeqytetin gjerman, ku të fuqishmit e BE-së, Angela Merkel dhe Emannuel Macron, po organizojnë samitin BE – Ballkani Perëndimor. Një burim me të cilin gazeta ka kontaktuar në mesditë ka thënë se Haradinaj nuk e ka në agjendë takimin me Mogherinin.

Ajo ka paralajmëruar takime pas orës 20:30 me liderët e Ballkanit duke i përmendur të gjithë me emra.

Mogherini ka bërë me dije se do të ketë takime bilaterale me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, me kryesuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdic, kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën.

Por, kur ka paralajmëruar takimet me palën serbe dhe kosovare nuk ka përmendur emra vetëm i ka emërtuar si “delegacioni i Serbisë” dhe “delegacioni i Kosovës”. Kjo mbase edhe për faktin se nuk dihet nëse Ramush Haradinaj do të shkojë në këtë takim për shkak se javëve të fundit ai ka drejtuar kritikat të vazhdueshme në adresë të saj që ka lejuar bisedimet për kufijtë.

Edhe para kësaj, Haradinaj kishte pasur përplasje në Bruksel me Mogherinin kur ajo kishte refuzuar të dalë para mediave me kryeministrin e Kosovës, ngaqë Haradinaj i kishte thënë se s’ka dialog Kosovë – Serbi pa përfshirjen e SHBA-së.

Burime të gazetës sot në mesditë kanë thënë se aktualisht Haradinaj nuk e ka në agjendë një takim me Mogherinin.

Ndryshe, Mogherini ka paralajmëruar takim edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Thaçi ofendon nikoqirët e Samitit: S’ka asgjë pa Amerikën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mohuar të jetë publikuar një draft ku thuhet se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për një arritje të marrëveshjes përfundimtare në Berlin.

“Me ne s’ka folur ende askush. Nuk një draft e as një dokument paraprakisht por ajo që është me rëndësi është se Kosova i ka qëndrimet dhe qëllimin e vet”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, presidenti i vendit Hashim Thaçi tha se nuk ka dialog e as negociata pa SHBA-në.

“Kosova është vend i pavarur, sovran. Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, të gjithë me Kosovën”, tha ai.

“Unë e theksoj se nuk ka dialog apo negociata pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova është vend i pavarur dhe sovran”, tha ai.

Ndërsa, dyshja është pyetur nëse ka koordinuar qëndrimet e tyre për në Samitin e Berlinit, me këtë rast Haradinaj duke qeshur ka thënë se “po janë koordinuar”

Ky është orari i takimeve sot në Berlin

Liderët e Ballkanit Perëndimor sot në Berlin do të kenë një agjendë të ngjeshur me takime. Sipas orarit që ka siguruar media, mësohet se takimet me liderët do të fillojnë nga ora 16:00 dhe do të vazhdojnë deri në orën 19:30.

Siç ka raportuar media, ditë më parë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të takohet sot fillimisht me kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.

Takimi do të jetë i shkurtër dhe do të fillojë në orën 16:00.

Një bisedë të shkurtër Merkel pas Zaevit do ta zhvillojë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Në orën 17:00, pasi që Merkel përfundon takimet me Zaevin e Ramën, ajo do të shihet me presidentin e Francës, Emanuel Macron, në orën 17:00, teksa gjysmë ore më pas ata do të dalin në një konferencë për media.

Pas këtyre takimeve me Zaevin, Ramën e Makronin, Merkel do të takohet për një takim pune me liderët e përfaqësuesve të Bosnjës e Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Sllovenisë dhe përfaqësuesve të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, të cilët do të arrijnë në Berlin në orën 17:30.

Ky takim pune me liderët e Ballkanit Perëndimor do të fillojë në orën 17:45 dhe do të zgjasë deri në orën 19:30.

Brenda kësaj kohe do të ketë edhe një darkë pune.

Sipas agjendës, ky takim do të shërbejë për të shkëmbyer pikëpamjet për stabilitetin e rajonit, në mënyrë të veçantë për raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në orën 19:30 do të realizohet fotografimi “familjar”. Megjithatë, nuk dihet ende nëse do të ketë takime bilaterale me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi paraqitet nga Berlini: Duhet të bëjmë më shumë për diasporën

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka takuar sot disa kosovarë të cilët jetojnë në Gjermani.

Në takim me diasporën, Thaçi ka thënë se tash e katër dekada, diaspora pareshtur i ka mbështetur të gjitha proceset në Kosovë, lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.

Tutje ai tha se në Gjermani ka shumë biznesmenë të suksesshëm, të cilët me investime në Kosovë e kanë ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

I pranishëm në këtë takim bashkë me Thaçin ishte edhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

Statusi i plotë:

Diaspora jonë në Gjermani, tash e katër dekada, pareshtur i ka mbështetur të gjitha proceset në Kosovë: lirinë, pavarësinë, shtetndërtimin. Për këtë të fundit, së bashku mund të bëjmë edhe më shumë. Në Gjermani kemi shumë biznesmenë të suksesshëm, të cilët me investime në Kosovë e kanë ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë. Jam shumë krenar me rrëfimet e sukseseve të tyre në Gjermani. HTH

Nervozohet Haradinaj: Marre është kjo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Ambasadën e Kosovës në Berlin. 

Ai është pritur nga stafi diplomatik i Ambasadës dhe nga disa qytetarë. Por para se të nisë fjalimin kryeministri Haradinaj kishte vërejtje të madhe për trajtimin që po iu bëhej kosovarëve në Ambasadë.

“Kush është konsull këtu… çka janë gjithë ata njerëz te dera t’u pritë… unë po çohem”, ka thënë Haradinaj para se të niste fjalimin.

I menjëhershëm ishte arsyetimi i konsullit i cili tha se trajtimi i kërkesave të qytetarëve bëhet pas orës 13:00, por kjo nuk i pëlqeu aspak kryeministrit Haradinaj.

Konsulli para se ta lëshonte takimin për t’u marrë me kërkesat e qytetarëve në ambasadë, falënderoi kryeministrin për vërejtjet. 

Ndërkohë mirëseardhje kryeministrit i kishte uruar paraprakisht ambasadori Beqë Cufaj.

Haradinaj nga Gjermania flet për takimin e Berlinit, ka disa fjalë edhe për çështjen e kufijve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po qëndron në Gjermani para takimit të Samitit të Berlinit ka thënë se është mirënjohës ndaj Gjermanisë lidhur me qëndrimin e saj për çështjen e kufijve të Kosovës

Ai këto deklarata i bëri në një takim me ambasadorin i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj. “Për mua ka peshë të madhe për shkak të qëndrimit të qëndrueshëm të Gjermanisë për shkak të qëndrimit të saj për kufijtë. Jam mirënjohës ndaj kancelares për qëndrimin e saj për këtë temë”, tha Haradinaj.

Hradinaj tha se ka nevojë për mbështetjen e Gjermanisë, e cila po mban një qëndrim që të mos dëmtohet Kosova.

“E kam një porosi. Kemi nevojë për ju, jo vetëm për Kosovën por edhe për Gjermaninë. Gjermania është një vend që vërtetë po mban një qëndrim që të mos dëmtohet Kosova dhe shprehim falënderim të veçantë për këtë. Sfida kemi boll, vështirësi kemi boll por Kosova do të ecë para jo prapa. Besoj që nga ky Samit do të dalim më të konsoliduar”, tha Haradinaj.

(Kosova Sot)