Thaçi publikon fotografi nga Samiti, nuk tregon a e ka përmendur Preshevën dhe kufijtë

  • 29 April 2019 - 19:09
Thaçi publikon fotografi nga Samiti, nuk tregon a e ka përmendur Preshevën dhe kufijtë

Në hapjen e Samitit të Berlinit, presidenti Hashim Thaçi thotë të ketë folur për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin.

Në një postim në Facebook, Thaçi tha se Gjermania dhe Franca, kanë mundësi ta marrin lidershipin për vendime të guximshme. Por ai nuk tregoi nëse ka folur për ndryshim të kufijve.

Shkrimi i plotë i Thaçit në Facebook:

Në hapjen e Samitit të Berlinit fola për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin. Situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar. Kjo situatë e keqe nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte. Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare. Edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme. Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë. Qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe është shumë e padrejtë të vazhdojnë të diskriminohen! HTH

Para nisjes për në Berlin Thaçi kishte deklaruar se do të kërkonte bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Image

(Kosova Sot)