'Në Berlin dështoi Rama, Thaçi dhe Vuçiç'/ Edita Tahiri tregon arsyen pse dhe përplaset me gazetarët

  • 29 April 2019 - 23:15
'Në Berlin dështoi Rama, Thaçi dhe Vuçiç'/ Edita Tahiri tregon arsyen pse dhe përplaset me gazetarët

Ish-zv/kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri deklaroi thotë se kryeministri Edi Rama, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb, Aleksandër Vuçiç kanë dështuar në Berlin, pasi, sipas saj, është rrëzuar përfundimisht ideja e ndryshimit të kufijve.

“Mendoj se samiti në Berlin është një samit historik. E para i dha fund idesë së rrezikshme për ndryshim kufijsh. Pavarësisht se çfarë kanë deklaruar, treshja Thaçi-Rama-Vuçiç, sot e kanë pranuar dështimin duke shkuar në Samitin e Berlinit. E dyta, ky samit e ndali një proces të rrezikshëm në dialogun e Brukselit në ndërmjetësimin e zonjës Mogherini që kishte dalë nga binarët e parimeve evropiane. E treta, sot po e rimerr veten. Një ka qenë biseda e zonjës Mogerini që deshi ta fuste Evropën në luftë dhe tani kemi lidershipin e BE-së të vërtetë, i cili e kupton që prekja e ndryshimit të kufijve në Ballkan bëhet me luftë”, theksoi zonja Tahiri.

Tahiri ka replikuar edhe me Alban Dudushin, i cili e pyeti se çfarë arriti ajo për 7 vjet si kryenegociatore.

“Je bërë nervoz se të ka dështuar kryeministri yt. Mos u shqetëson Alban. Shumë i shqetësuar qenke. Ti a nuk e di që Serbia është agresore dhe ne jemi viktimë. Ku ka ndodhur në botë që të jenë fitues edhe agresorët edhe viktimat”, tha Tahiri.

Pas kësaj, ka reaguar Dudushi i cili u përgjigj: “Kam kaluar 6 kryeministra unë, do i kaloj edhe disa të tjerë”.

Më pas, Edita Tahiri deklaroi se kryeministri Rama nuk e ka mbrojtur dot Kosovën gjatë vizitës në Beograd, kur Vuçiç dhe Thaçi i paraqitën për herë të parë planin për ndryshimin e kufijve.

Alfred Peza u përgjigj duke thënë se Rama gjithmonë publikisht ka mbështetur dialogun dhe marrëveshjen që do të arrijnë dy shtetet.

(Kosova Sot)