Thaçi s’mund ta falë gjenocidin serb në Kosovë

  • 30 April 2019 - 07:49
Thaçi s’mund ta falë gjenocidin serb në Kosovë

Burjani: Koalicioni PAN është mjaft i dëmshëm për shtetin

“Argatët e Hashim Thaçit sot do ta merrnin veten si zyrtarë të plotfuqishëm, por duhet të mendojnë çfarë po i sjellin Kosovës. Nuk duam status quo, por nuk pranohet kthimi pas. Kosovës nuk bën t'i harrohen plagët shekullore. Nuk duhet t'i falen torturat dhe viktimat e këtij populli. Nuk duhet t'i falen dëmet ekonomike e materiale që i ka rrënuar gjatë luftës së fundit. Të gjitha janë të njohura për opinionin e këtij vendi”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, analisti Shefik Shkodra

Presidenti Hashim Thaçi po kërkon vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë pa asnjë kusht, e kjo për analistët është skandaloze. Sipas tyre, Thaçi po i harron krimet serbe të kryera në Kosovë nga regjimi fashist serb. Analistët thonë se është e habitshme se si po i harron dëmet e luftës Hashim Thaçi, por edhe më e habitshme është se si po e ndihmojnë Limaj dhe Ahmeti Thaçin për copëtimin e Kosovës. Sipas analistëve, Ahmeti dhe Limaj po pajtohen që dialogu të vazhdojë pa kushte me Serbinë dhe ky është një rrezik për copëtimin dhe ndarjen përfundimtare, synim ky i kamotshëm i xhelatëve serbë.

Image
Ali Hertica

Hertica: Skandalet e presidenti Thaçi thuajse nuk kanë të ndalur fare

Analisti Ali Hertica theksoi për gazetën “Kosova Sot” se Hashim Thaçi dhe klika e tij politike thuajse janë duke luajtur lojëra që dialogu mos të kushtëzohet për veprimet gjenocidale të Serbisë në Kosovës. “Skandalet e presidenti Thaçi thuajse nuk kanë të ndalur fare kur është çështja e bisedimeve me shtetin, i cili bëri gjenocid shekullor mbi popullin shqiptar të Kosovës. Nuk mund të harrohen të gjitha ato krime makabre e barbare të fashizmit serbe”, është shprehur analisti Hertica.

Image
Blerim Burjani

Dialogu i degraduar
Analisti Blerim Burjani theksoi se dialogu Kosovë -Serbi varet më shumë nga bashkësia ndërkombëtare, por jo edhe aq çfarë thonë palët, duket pasur parasysh se ka distancë të madhe në mes të palëve sa i përket zgjidhjes. “Gabimet e Thaçit janë fusnota, dhe dialogu i degraduar nga ai teknik në atë politik ku shtetit të Kosovës mund t’i bëhet dëm i konsiderueshëm në përfundim të këtij procesi. Monopoli i informatave që ka bërë Thaçi janë të dëmshme për demokracinë dhe institucionet e saj. Sjellja egoiste e Thaçit, mosbashkëpunimi me askënd, politika feudale apo fisnore e tinëzare e ka karakterizuar këtë njeri. Koalicioni PAN është mjaft i dëmshëm për shtetin”, është shprehur analisti Blerim Burjani.

Image
Shefik Shkodra

Shkodra: Nuk duhet të falen torturat dhe viktimat e këtij populli

“Kosova, absolutisht nuk do të bënte marrëveshje me Serbinë pa kushte. Përfaqësuesit e politikës kosovare nuk kanë arsye që kjo të ndodhë. Nuk mund të lihen mban viktimat e fundit, së paku, ndryshe shqiptarët janë viktimë e Serbisë që nga fillimi i shek XX. Kjo është politikë diletante, e dëmshme, e pajustifikueshme dhe me pasoja për ardhmërinë në përgjithësi për trojet etnike shqiptare. Kjo do të ishte pasojë edhe për të tjerët në Ballkan dhe më gjerë. Kush nuk e mendon këtë e marrim si personalitet që nuk e përfaqëson Kosovën dhe qytetarët e saj”, është shprehur analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)