“Po na mbysni me duart tuaja”! Marin Mema shpërthen ndaj politikanëve: E rropët Shqipërinë, tani po e zhdukni!

  • 30 April 2019 - 11:18
“Po na mbysni me duart tuaja”! Marin Mema shpërthen ndaj politikanëve: E rropët Shqipërinë, tani po e zhdukni!

Kur e kupton nga pranë sesa pasuri e mundësi ka Shqipëria, del në përfundimin se ata që e drejtojnë sot e mot jo thjesht nuk e njohin, por vetëm duan ta rrjepin e të pasurohen me trupin e saj, madje kërkojnë ta zhdukin ! Bota e civilizuar përgjërohet, kërkon, madje bën edhe luftë për naftë, ndërsa ne shkatërruam industrinë, masakruam e po masakrojmë përmes abuzimeve të gjithë këtë sektor.

E po kështu ka ndodhur me bakrin, kromin hekur-nikelin e me rradhë. Bota e civilizuar pomendon që sot për humbjen dhe tharjen e burimeve ujore, ndërsa ne po e masakrojmë natyrën duke e futur në tuba për të ndërtuar tece vend e pa vend. E për më tepër këta të fundit asnje efekt të ndjeshëm nuk japin në ekonominë shqiptare.

Janë investime të vogla dhe punësojnë pak njerëz, ndërkohë që shkaktojnë dëme të pariparueshme në zona të tëra. Produktet vëndase në vend që të mbështeten , vuajnë e humbin përballë importuesve të fuqishëm të lidhur fort me politikën. Kështu ndodh me bujqësinë e me blegtorinë bashkë. Bota mburret me kala e kështjella mesjetare, ne nuk ruajmë as tregojmë, investojmë e shpluhurosim të tilla që datojnë që në fillesat e moteve. Shkatërrojmë historinë, kulturën, trashëgiminë apo edhe e zhdukim fare nën beton.

E kush turist do të vijë të shohë pallatet tona ?!? Kemi braktisur arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, ajrin na e mbron italiani dhe greku. E të gjitha këto nuk na i bënë të tjerët , i bëmë ne vetë, të gjithë këta të pangopurit që duan vetëm të pasurohen. E kujdes se këtu ska ngjyra. Ikën një e vjen një, ndërsa ne shqiptarët e thjeshtë kemi vetëm shpresën. Atëherë përse ta kërkojmë fajin tek dynjaja, ne tradhëtarët i kemi këtu mes nesh. Ata ikin e vijnë, por askush nuk i mban mend pas pak kohe, fundja për çfarë ?

Ata nuk ndryshojnë, premtojnë njësoj e shtiren njësoj. Madje edhe fytyrat u bëhen njësoj. Lumenjtë shkatërrohen, pyjet priten, pasuritë nëntokësore shqyhen, lejet e ndërtimit valëzojnë, papunësia rritet, çmimet fluturojnë, pensionistët dridhen, prindërit ulin kokën, të rinjtë ja mbathin, Shqipëria zvoglohet dhe politika fiton. Ky është realiteti i sotëm dhe këta jane politikanët shqiptarë që këtë vend po e mbysin me duart e tyre.

(Kosova Sot)