Profesori ndërkombëtar flet për prapaskenat e Berlinit: Ja goditja që morën Thaçi, Rama e Batoni

  • 30 April 2019 - 12:50
Profesori ndërkombëtar flet për prapaskenat e Berlinit: Ja goditja që morën Thaçi, Rama e Batoni

Gjatë ditës së djeshme, Samiti i Berlinit përfundoi pa arritur një emërues të përbashkët për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës e Serbisë. Nga ky Samit, u bë e ditur se takimi i radhës do të jetë me 1 korrin në Paris.

Por çfarë ndryshime do të sjellë ky samit dhe ishte ky takim një goditje për Hashim Thacin, Edi Ramën dhe Baton Haxhiun të cilët po dëshirojnë ndarjen e Kosovës?

Lidhur më këtë, gazeta “Kosova Sot”, ka biseduar me profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor, Enver Bytyçi. Ai thotë se Samiti i Berlinit ishte në një farë mënyre vazhdimi i agjendës së samitit të vitit 2014.

Image
Enver Bytyçi

“5 vite nga ajo kohë shohim se agjenda e procesit të Berlinit të atëhershëm u deformua. Fatkeqësisht dy shqiptarë, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, si dhe një serb, Aleksandër Vuçiç, iu kundërvunë projektit të Berlinit të parë dhe kaluan në një veprimtari kundër tij, u bashkuan me projektet e vjetra shkatërruese për rajonin të Serbisë dhe të Rusisë. Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç projektuan modelin gjeopolitik të Serbisë dhe Rusisë së vitit 1914. Për shkak të atij projekti më 28 qershor 1914 u vra në Sarajevë nga terroristët serbë princi austriak, Franz Ferdinand dhe gruaja e tij. Dhe kjo vrasje u bë shkak i një gjakderdhje të paparë. Hashim Thaçi, Rama dhe Vuçiç , me ndihmën e Vladimir Putin tri vitet e fundit u përpoqën të vrasin paqen e vendosur me luftën e NATO-s e të popujve të rajonit, duke predikuar një precedent të rrezikshëm, po aq të rrezikshëm sa ishte vrasja e princit austriak para 105 viteve, ndryshimin e kufijve të Kosovës e të rajonit!”, ka thënë Bytyçi për “Kosova Sot”.

Sipas tij, projekti serbo-rus i ndarjes së Kosovës ka marrë një goditje vdekjeprurëse. 

“Për t’i dhënë fund këtij projekti luftësjellës u mblodhën sot në Berlin kancelarja gjermane, Merkel, presidenti francez, Macron, presidentët Thaçi, Vuçiç e Gjukanoviç, si dhe kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjës, Kroacisë e Sllovenisë. Besoj dhe shpresoj se projekti serbo-rus i ndarjes së Kosovës ka marrë një goditje vdekjeprurëse. Por ai projekt nuk është varrosur ende, derisa shqiptaro-serbët, si Rama, Thaçi, Behgjet Pacolli, Baton Haxhiu e të tjerë nuk duket se janë tërhequr nga ai plan. Dhe derisa në Beograd vazhdojnë të investojnë për zbatimin e tij përmes shqiptarëve antishqiptarë!”, deklaron ai.

Më tej, Bytyçi ka theksuar se Samiti i Berlinit ishte gjithashtu edhe samiti i përcaktimit të së ardhmes së rajonit. 

“Nga ai Samit, ashtu si para pesë vitesh kërkohet një treg i përbashkët ballkanik, dmth një hapësirë ekonomike e të gjitha vendeve, çka do të thotë njësim të kuadrit ligjor, përafrim të normës së taksave dhe tatimeve, si dhe tarifave doganore, qarkullim i lirë i njerëzve dhe mallrave etj. Kjo do të thotë investime më të mëdha në rajon. Ky projekt ishte i vitit 2014. Por Thaçi, Vuçiç dhe Rama e devijuan. Shkuan te prekja e kufijve. Kjo shkatërroi çdo përpjekje evropiane për realizimin e hapësirës së përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Në këtë shkatërrim u investuan edhe Fredrica Mogherini dhe Johannes Hahn. Ndaj duhet samiti i 29 prillit 2019”, nënvizon profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi ka deklaruar se Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu kanë marrë një goditje të fuqishme.

“Ndryshimi i këtij Samiti me atë të para 5 viteve ka të bëjë se tashmë ekziston një konsensus midis Gjermanisë dhe Francës. Kjo do të thotë se kësaj here nuk do të ketë kthim prapa. Mashtruesit autoritarë në krye të shteteve ballkanike nuk do të kenë më mundësi të fusin pyka dhe të shkatërrojnë të ardhmen e këtyre vendeve! Kjo do të thotë se Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu kanë marrë një goditje të fuqishme. Kjo u duk dhe në mënyrën si u prit kryeministri Haradinaj krahasuar me Thaçin nga dy mikpritësit, Merkel dhe Macron. Por Thaçi e Baton Stanishiqi nuk janë dorëzuar. Përkundrazi, ata tani do të punojnë më me zell për projektin antishqiptar të Serbisë dhe Rusisë për ndarjen e Kosovës. Thaçi e paralajmëroi këtë kur kërkoi që në dialogun me Serbinë të jenë palë SHBA-të. Qëllimi i tij nuk është që të fitojë mbështetjen e SHBA-ve. Përkundrazi, qëllimi i tij është të largojë Merkelin nga Merkato e politikës në Ballkan dhe në vend të saj të sjellë Vladimir Putinin. Sepse pjesëmarrja e SHBA-ve ia jep të drejtën Serbisë që të kërkojë si palë të dytë Rusinë e Putinit. Në këtë rast gjarpri fle më shumë te Batoni sesa te Hashimi”. 

“Investimi i mëtutjeshëm i ketër dy personazheve në projektin serbo-rus të ndryshimit të kufijve më bën të besoj se lidhja midis tyre dhe Beogradit e Kremlinit është shumë e thellë. Mund të ndodhë qe dikush gabon në opsionin e tij, por tërhiqet dhe pranon alternativën tjetër më të mirë. Thaçi e Baton Stanishiqi nuk tërhiqen. Kjo do të thotë se ata e kanë marrë kaparin. Dhe nuk kanë mundësi që këtë kapar ta kthejnë! Ndërkaq kjo ngizje midis këtyre të dyve dhe Edi Ramës nga njëra anë dhe ngërdheshja në Berlin dje me presidentin e Serbisë, më bën të besoj se përmes Batonit të krerët e dy shteteve shqiptare kanë hyrë me kokë e me këmbë në thesin e Serbisë”, është shprehur profesori Bytyçi për “Kosova Sot”.

Madje, ai ka thënë se Baton Haxhiu ka depozituar vetë informacione te prokurori special i Serbisë për krimet në Kosovë, info të cilat komprometojnë Hashim Thaçin.

“Mesa duket Batoni ka depozituar vetë informacione te prokurori special i Serbisë për krimet në Kosovë, info të cilat komprometojnë Hashim Thaçin. Kjo do të thotë se Batoni është dëshmitar i krimeve ose sjelljeve të turpshme të Ramës dhe presidentit të Kosovës. Prandaj Batoni, me urdhër të Vuçiçit i mban të dy këta për kërpeshi. Dhe këta të dy tashmë të kompromentuar e të korruptuar përmes besimit që i kanë dhënë Baton Stanishiqit, nuk kanë rrugë tjetër, vetëm t’i zbatojnë detyrat e Beogradit e të Moskës! Këto që po ju them e rritin autoritetin e Batonit në sytë e Beogradit. Madje ai ka për ti paraqit atje si një çështje me të cilën ballafaqohet në vështirësi për kryerjen e detyrave që ai ka marrë. E për këtë do ti shtohet tagjia! Po kjo nuk më intereson. Batoni, Thaçi, Rama, por dhe Pacolli që rri si hije, duhen demaskuar në sytë e shqiptarëve. Sidomos tani që në Berlin u zyrtarizua ndalimi i përpjekjeve për ndarjen e Kosovës dhe këta vazhdojnë në këto përpjekje”, ka thënë për “Kosova Sot”, profesori Bytyçi. 

Për fund, ai ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë, edhe pse taksa për produktet serbe do të mbetet në fuqi.

“Dialogu do të vazhdojë. Madje pa e heq taksën për mallrat serbe. Kjo është fitore e padiskutueshme e Kosovës për meritë kryesisht të kryeministrit Haradinaj. Çezarit duhet t’ia japim atë që i takon Çezarit! Do të vazhdojë jo menjëherë, por pas zgjedhjeve në parlamentin evropian. Serbia do të detyrohet të ulet në bisedime. Gupi negociator i Prishtinës dhe shqiptarët duhet të kuptojnë se Serbia nuk ka rrugë tjetër. Ajo nuk mund të bëhet anëtare e Unionit Euro-aziatik të kryesuar nga Rusia, sepse nuk ka asnjë lidhje tokësore ose ujore me atë union. Është e detyruar të bëhet anëtare e BE-së. Kjo nuk mund të ndodh pa ndryshimin e kushtetutës së saj dhe njohjen de facto t[ pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Edhe tregu i përbashkët ballkanik, si projekt i Berlinit, nuk realizohet pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë!”, ka deklaruar për “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)