Guraziu: Kërdi me lejet ndërtimore

  • 30 April 2019 - 13:34
Guraziu: Kërdi me lejet ndërtimore

Analisti Ragip Guraziu thotë se “Shpend Ahmeti i gënjeu dhe mashtroi qytetarët dy herë gjatë fushatës zgjedhore. Kështu duke akuzuar rëndë mafinë ndërtimore, e me të cilat kompani të njëjta ndërtimi sapo e mori pushtetin nuk la gurë pa lëvizur në kërkim të “hises e mitës” nga krimi i shitjes së lejeve ndërtimore.

Është e pakuptueshme se si dhe pse hesht Prokuroria Speciale, edhe përkundër faktit se ka të deponuara kallëzime penale për vepra penale në “krim të organizuar” kundër Shpend Ahmetit e grupit të tij kriminal dhe mafisë së ndërtimit në Prishtinë."

"Kështu si është tani, nuk ka asnjë dilemë që vetë mafia e ndërtimit po vazhdon ta udhëheqë kryeqytetin, mafia e nëntokës kriminale, edhe pse Shpend Ahmeti është kryetar në dy mandate që nga maji i vitit 2014, kur Shpend Ahmeti kishte pranuar kushtet e mafisë ndërtimore dhe ishte bërë kryetar de-facto i krimit të organizuar që ekzistonte, e që fillet i kishte që nga vitet 2001/2002 , por jo edhe kryetar i qytetarëve e qytetërimit që zbatojnë ligjin”, thotë analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

Sipas tij, lidhjet më të ngushta të Ahmetit janë me Devollët.“Shpend Ahmeti asnjëherë nuk punoi për mirëqenie të qytetarit dhe projektet e tyre zhvillimore, por për vete dhe klubin e vet të tej inkriminuar, duke dhënë e shitur tenderë, leje ndërtimore e shumë çka tjetër dhe duke bërë pazare e duke shëtitur nëpër jahte të vëllezërve të inkriminuar Devolli dhe jo vetëm”, tha ai.

Guraziu thekson se në shumë zona ndërtimi në Prishtinë po kushtëzohen pronarët e tyre. “Po i kushtëzon Shpend Ahmeti pronarët e tokave në Prishtinë që për të marrë leje ndërtimi, duke u thënë se duhet dhënë tokat kompanive të ndërtimit që ai i preferon dhe janë pjesë e mafisë së ndërtimit. Me të madhe u shitën lejet ndërtimore nga Shpend Jahti në lagjet ‘Mati’, ‘Hajvalia’, ‘Lakërishtë’, ‘Çagllavicë’, ‘Kalabri’, ‘Prishtina e Re-Zona Perëndim’, si dhe në shumë lagje të tjera, duket u bllokuan po në këto lagje lejet ndërtimore për qytetarët dhe bizneset që nuk janë pjesë e krimit e mafisë së ndërtimit që e kryeson vetë Shpend Ahmeti personalisht me grupin e tij kriminal.

Vërtet nuk dihet pse hesht Prokuroria Speciale, edhe përkundër faktit se ka të deponuara kallëzime penale për vepra penale në “krim të organizuar” kundër Shpend Ahmetit e grupit të tij kriminal dhe mafisë së ndërtimit në Prishtinë”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)