Rreth 45,000 fëmijë të lindur gjatë pushtimit të IS-it mund të mbesin pa shtetësi

  • 30 April 2019 - 14:02
Rreth 45,000 fëmijë të lindur gjatë pushtimit të IS-it mund të mbesin pa shtetësi

Vlerësohet se rreth 45,000 fëmijë që kanë lindur gjatë udhëheqësisë së grupit militant, Shteti Islamik (IS) janë përjashtuar nga shoqëria irakiane, pasi autoritetet nuk u kanë dhënë atyre dokumente të identifikimit, ka thënë grupi ndërkombëtar bamirës, Këshilli Norvegjez i Refugjatëve.

Fëmijët pa dokumente, shumica e të cilëve tani janë në kampe, pasi militantët e IS-it kanë humbur territorin e zotëruar në Irak, përbëjnë problem të rrezikshëm nëse nuk adresohen”, ka thënë Sekretari i këtij Këshilli, Jan Egeland.

“Të lejuarit e këtyre fëmijëve që të kenë edukim, sigurim shëndetësor, dhe të drejtën për të ekzistuar, është çelësi i sigurimit të ardhmes së qëndrueshme për ata dhe shtetin”, ka thënë Egeland.

Në një raport të titulluar, Pengesat nga Lindja, ky grup ka thënë se Qeveria irakiane i konsideron certifikatat e tyre të lindjes të pavlefshme pasi ato janë lëshuar nga pjesëtarët e IS-it.

Shumica e fëmijëve kanë lindur gjatë periudhës 2013-2017, kur grupi ekstremist ka kontrolluar pothuajse një të tretën e Irakut. Pjesa tjetër ka humbur dokumentet teksa kanë qenë duke ikur nga konflikti.

Ky raport ka cituar një zyrtar shëndetësor, i cili ka thënë se pa ndonjë certifikatë të vlefshme, fëmijët nuk do të mund të vaksinohen, çka ka nxitur frikën për shpërndarje të sëmundjeve.

Përveç kësaj, ata nuk do të kenë qasje në shkollim, dhe kur të rriten rrezikohet të mos iu njihen martesat, pronësitë dhe madje edhe të mos punësohen.

“Fëmijët nuk janë përgjegjës për krimet e kryera nga të afërmit e tyre, dhe pavarësisht kësaj atyre janë duke u mohuar të drejtat bazike si qytetarë irakianë”, ka thënë Egeland.

(Kosova Sot)