Ish deputeti flet për Samitin e Berlinit: Ja loja e Thaçit dhe Veselit që u dekonspirua tërësisht

  • 30 April 2019 - 14:47
Ish deputeti flet për Samitin e Berlinit: Ja loja e Thaçit dhe Veselit që u dekonspirua tërësisht

Ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj, njëherësh edhe ish zv. kryeministër në qeverinë e mandatit të dytë pas lufte në Kosovë, në koalicionin AAK-LDK, të kryesuar nga Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër rreth përbërjes së ekipit kosovar të bisedimeve i cili shkoi në samitin e Berlinit, i kryesuar nga presidenti Hashim Thaçi. 

Image
Adem Salihaj

Sipas Salihajt ky takim i nivelit të lartë, në të cilin u bisedua për modalitetet e gjendjes së zgjidhjes për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, u dekonspirua tërësisht loja e para përgatitur mes Thaçit dhe Kadri Veselit për trasimin e rrugës e cila tërthorazi ia jep legjitimitetin e plotë Hashim Thaçit për të negociuar me Serbinë për të arritur marrëveshjen finale dhe lë krejtësisht nën hije, e de legjitimon ekipin e Limajt e Ahmetit, edhe ashtu pa legjitimitet meritor të përfaqësimit dhe autorizimit politik nga Kuvendi i Kosovës.

“Në samitin e Berlinit, Ahmeti e Limaj nuk ishin as në paradhomë, ata mbetën në Prishtinë, pa realizuar deri me tash asnjë takim të vetëm të nivelit të lartë. Nuk e di a ka ende njerëz në Kosovë, që nuk e kanë kuptuar, se formimi i këtij, të ashtuquajtur, ekipi negociator, ishte vetëm një lojë e përbashkët e Thaçit, Haradinajt dhe Veselit, për ta legjitimuar Thaçin me vendim të kuvendit dhe për t'i mashtruar qytetarët e Kosovës”, tha Salihaj për “Kosova Sot”. 

Sido qoftë, Salihaj thotë se Kosovës do ti kushton shtrenjtë çmimi që mundë ta paguaj nëse ky skenar shkon dhe realizohet deri në fund sepse skenari është pro serb dhe i imponuar nga Serbia sipas interesit të saj. 

“Të gjitha këto lojëra, me siguri do t'i kushtojnë shumë shtrenjtë Kosovës. Është tepër e habitshme se si Thaçi nuk heziton aspak ta manifestojë orientimin e tij pro serb, duke marrë me vete njerëzit e Serbisë, edhe pse nuk kanë asnjë funksion politik. Duket qartë se ekipin e Thaçit e cakton Serbia dhe se Thaçi as nuk po pushon dhe as s'ka për të pushuar kurrë së qeni shërbëtor besnik i Serbisë”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)