LDK e shqetësuar për jo unitetin e përfaqësuesve të Kosovës në Samitin e Berlinit

  • 30 April 2019 - 18:18
LDK e shqetësuar për jo unitetin e përfaqësuesve të Kosovës në Samitin e Berlinit

Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës është mbledhur sot për të vlerësuar punimet e djeshme të Samitit të Berlinit.

LDK-ja vlerëson të gjitha nismat që kanë qëllim trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të rajonit tonë.

“Në këtë frymë, LDK-ja çmon lart përkushtimin e Gjermanisë dhe të Francës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadrin e BE-së. Integrimi euro-atlantik i Kosovës, si dhe miqësia e speciale dhe e përhershme me SHBA-të janë procese të pashmangshme dhe ekzistenciale për vendin tonë”, thuhet në komunikatën e LDK-së. LDK-ja thekson se orientimi properëndimor i Kosovës është thelbësor për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë. 

LDK-ja shpreh shqetësimin e thellë për qëndrimin jounik të përfaqësuesve të Kosovës në Samitin e Berlinit. LDK-ja konsideron se qëndrimi jounik reflekton joseriozitet dhe është në dëm të interesit të vendit tonë.

LDK-ja vlerëson lart kërkesën që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.

LDK-ja thekson edhe një herë se sovraniteti i Republikës së Kosovës, kufijtë e saj dhe karakteri unitar i shtetit janë të paprekshëm. Pavarësia e Kosovës është finalizuar me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, si dhe me Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

(Kosova Sot)