“Kosova Sot” nuk e amniston asnjë zhvatje të djersës së qytetarit nga njerëzit e politikës

  • 01 May 2019 - 07:36
“Kosova Sot” nuk e amniston asnjë zhvatje të djersës së qytetarit nga njerëzit e politikës

Kastrati: “Kosova Sot” ishte mediumi i vetëm asokohe që depërtonte thellë në të gjitha zonat e rrezikshme të luftës, raportonte me besnikëri dhe i nxirrte në sipërfaqe të gjitha të zezat që Serbia po i bënte kundër shqiptarëve

Qytetarët, lexues të devotshëm të gazetës “Kosova Sot”, thonë se kjo gazetë ka ndjekur në vazhdimësi me guxim kursin për informimin e së vërtetës pa pardon dhe trajtimin e temave me interes që kanë të bëjnë për qytetarin, sidomos fokusimin që ka kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kundër dukurive negative në fushën e sundimit të ligjit

Sherif Kastrati, qytetar

Kur kanë kaluar tash e 20 vjet nga ajo ditë dhe të kthehesh përsëri për aq vite prapa dhe të merresh me këtë temë, me të vërtetë është shumë situatë prekëse, fillimisht për qytetarët si përjetime të kohës, por edhe për gazetën “Kosova Sot”, për stafin e gazetës dhe lexuesit, të cilët nga regjimi serb u privuan nga e drejta e informimit për luftën nëpërmes kësaj dritareje të rëndësishme informative të asaj kohe. Po e them kështu, sepse e mbaj mend fare mirë që “Kosova Sot” ishte mediumi i vetëm aso kohe që depërtonte thellë e më thellë në të gjitha zonat e rrezikshme të luftës, raportonte me besnikëri dhe i nxirrte në sipërfaqe të gjitha të zezat që Serbia po i bënte kundër shqiptarëve, aty ku i gjente qytetarët e pafuqishëm e duarthatë në kushte të okupimit klasik, kur i vriste, ekzekutonte në masë, i largonte nga vendet e tyre të lindjes e të punës, i depërtonte dhunshëm jashtë Kosovës e çka nuk vepronte për të arritur qëllimin e spastrimit etnik.

Pra, për të arritur kulmin e krimit kundër qytetarëve dhe përpjekjeve për krijimin e territ të plotë informativ më 24 mars të vitit 1999, krahas bombave të para të NATO-s mbi caqet serbe u zhvillua edhe aksioni i soldateskës serbe për djegien dhe shkatërrimin e gazetës “Kosova Sot”. U sulmua barbarisht me projekt shkatërrimi total dhe që të mos ngjallet kurrë më një medium i guximshëm, sikur që ishte gazeta “Kosova Sot”, një dritare informimi përtej së cilës shikonin të gjithë qytetarët e Kosovës dhe përmes së cilës vinin informata me rëndësi të kohës edhe shumë medie ndërkombëtare. Si sot e mbaj në mend kur aksionit të djegies dhe të shkatërrimit i pati parapri ndëshkimi me atë gjobën e famshme prej 300.000 marka gjermane.

Mirëpo, koha punoi për Kosovën, për qytetarët e Kosovës dhe për ringjalljen edhe të “Kosova Sot”. Rifillimi i botimit të saj dhe kthimi tek lexuesit nga ditët e para në liri vazhdoi suksesshëm deri në ditët e sotme kur po vazhdon t’i prijë në tregun e medieve të shkruara si gazetë lidere, kritike e të gjithë devijimeve shoqërore, gazetë që merret me problemet e përditshme të qytetarëve dhe nuk e amniston asnjë përpjekje të zhvatjes së djersës së qytetarit nga njerëzit e politikës së korruptuar.

Misioni fisnik i gazetës

Idriz Sadrija, qytetar

Unë e kam përcjellë shtypin e Kosovës vazhdimisht para dhe pas luftës, edhe në ditët e vështira të luftës dhe tani pas lufte. Kur regjimi serb i mbylli mediet e Kosovës në vitet 90-ta, të vetmet media mbeten gazetat e pavarura që filluan ta përmbushin sadopak atë terrin informativ që po e krijonte regjimi për të mbuluar krimet mbi popullatën shqiptare.

E kam lexuar dhe e çmoj lart kontributin e gazetës “Kosova Sot” që e ka dhënë për informimin e guximshëm nën kërcënimin e okupimit serb, kërcënim të cilit dihet se nuk ju nënshtrua derisa e pagoi me çmimin e hakmarrjes, me zjarrvënie. Nuk mundë ta them ndryshe veçse “Kosova Sot” e ndau fatin e njëjtë si gjithë qytetarët, të cilëve ju pati shërbyer aso kohe me besnikërinë më të madhe për informim në kushte lufte, prandaj deshi ta zhbëjë regjimi serb.

Si lexues i rregullt i shtypit ditore rritën dhe zhvillimin e kësaj gazete e kam përcjellë dhe po e përcjell vazhdimisht edhe tani pas lufte, edhe në liri, dhe kam një vlerësim të shkëlqyeshëm për kursin e pavarur që po e ndjek, për guximin që po tregon në informimin e drejtë të qytetarëve dhe trajtimin e temave me interes që kanë të bëjnë për qytetarin, sidomos fokusimin që ka kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kundër dukurive negative në fushën e sundimit të ligjit.

Hakif Haliti, qytetar

Okupatori serb, i organizuar për vrasje dhe kidnapime, në agjendë pati vendosur ndalimin e media-s dhe përmes djegies së shtëpisë së medies "Kosova Sot", ka dhënë mesazh të fortë ndaj popullit se po angazhohet për terr të plotë informativ, që shtetet evropiane dhe botërore të mos kenë më informata bazë nga terreni se çka do të ndodhë më tutje, pasi që aso kohe akoma më shumë filloi dhe u ashpërsua lufta, edhe me ndërkombëtarët. Kjo ishte një instalim i frikës mes atyre që kanë vendosur të mbeten në vend e të mos e lëshojnë Kosovën, në banesa dhe shtëpitë e tyre. Duke qenë të vetëdijshëm se regjimi i ka ditët e numëruara, disa kemi vendosur që të mbetemi në Kosovë dhe të mos ikim edhe gjatë bombardimeve.

Kemi qenë dëshmitarë të krimeve dhe terrorit e në mesin e këtyre mbajmë mend edhe aksionin e djegies dhe shkatërrimit të shtypshkronjës së gazetës “Kosova Sot”. Në atë terr informativ që u krijua shumë qytetarë kanë qenë të tmerruar nga djegiet dhe dhuna që mbizotëroi ato ditë dhe duke parë se në realitet forcat policore me dhunë dhe vrasje filluan aksionet pa asnjë kontroll. Rasti i sulmit mbi objektin e shtypshkronjës së gazetës “Kosova Sot” dhe disa kompanive të tjera, ka shtuar akoma më shumë frikën te shumë qytetarë që megjithatë kanë marrë rrugën për të lëshuar Kosovën dhe për t’u strehuar diku në një vend më të sigurt.

E dogjën këtë gazetë sepse po të vazhdonte punën mediale dhe shpërndarjen e informatave nga vend ngjarja, kjo shtëpi mediale do të ishte ndihmesë e madhe për qytetarët e Kosovës dhe më gjerë për opinionin publik e media botërore, pasi pas disa ditësh shumë banorë kaluan kufijtë dhe ishin larg familjareve të tyre. Goditja sistemit të regjimit të Milosheviqit ndaj bizneseve dhe banorëve, ishte i pamëshirshëm dhe me këtë të gjithë ata u dëmtuan dhe humbën kapitalin.

Forcat policore dhe ushtarake serbe lejuan që me forcë të bëhet vjedhja dhe djegia e kompanive të ndryshme, por në veçanti u sulmuan mediet që shpërndanin informacione nga terreni, e në këtë aktivitet më aktive ishte gazeta “Kosova Sot”, shkatërrimi i të cilave ishte me të vetmen arsye: ndalohemi informimit të popullatës dhe më gjerë. Ringjallja megjithatë ndodhi përsëri. Pas luftës, edhe “Kosova Sot” ishte në gjendje të veprojë shpejt dhe u rimëkëmb për t’u kthyer lexuesit nga ditët e para për ta vazhduar misionin e saj fisnik të informimit publik”.

Më e guximshmja në luftë

Beqa Jusufi, qytetar

Gazetën “Kosova Sot” e kam përcjellë herë pas here në kohën e luftës, sepse nuk kemi pasur mundësi që ta kemi rregullisht në kohen e luftës. Mirëpo, nga ajo që kemi lexuar, kemi parë dhe jemi vërtetuar sa ke qenë gazeta më e guximshme e mënyrës së paraqitjes së të vërtetës për masakrat serbe që po kryheshin ndaj popullatës së pambrojtur. Me të vërtetë kemi qenë të befasuar me guximin e gazetarëve dhe të fotoreporterëve, të cilët arrinin të depërtonin në zonat më të rrezikshme për të regjistruar dhe transmetuar lajmet e vërteta.

Gazetarët e “Kosovës Sot” mund të them lirisht që bënin një luftë po aq të vlefshme mediatike kundër regjimit, aq sa ne në front mundoheshim ta bëjmë me armët që kishim në dispozicion. Regjimi serb e ka përcjellë këtë mënyrë raportimi dhe nuk ka qenë aspak befasi pse u ndëshkua dhe pse u dogj me themel shtypshkronja e kësaj gazete. Ishte kënaqësi për mua kur me këtë gazetë fillova të shoqërohem edhe në periudhën e pas luftës për të përcjellë raportimin korrekt dhe gjithmonë kritik ndaj fenomeneve në procesin e shtet ndërtimit të Kosovës.

Jam lexues i rregullt i kësaj gazete dhe e çmoj lart guximin që tregon edhe sot për ta thënë të vërtetën ashtu sikur po e shohim të gjithë, sado që kjo e vërtetë nuk i pëlqen shumicës së politikës aktuale që po qeveris vendin. Uroj që këtë qasje të vazhdoni ta ruani edhe në të ardhmen, sepse kritika e shëndoshë i ndihmon ndërtimit të shoqërisë demokratike.

Shaip Sopjani, qytetar

Dihet se misioni i informimit të drejtës dhe të saktës nga mediet e shkruara, në kohën e luftës, ka qenë sfida më e madhe me të cilën është përballur opinioni publik kosovar. Nga armiku u krijua një terr i madh informativ dhe u desh të dalin në sipërfaqe mediet e reja private të shkruara që pavarësisht vështirësive të lëvizjes në terren, bënin të pamundurën për informimin sa më të saktë dhe të drejtë të opinionit vendor e ndërkombëtar për atë që po ndodhte në vendin tonë, një luftë e pa barabartë e popullit të Kosovës me regjimin kriminal serb.

Kam pasur në dorë shumë numra të gazetës “Kosova Sot” që kanë raportuar aso kohe dhe lirisht mund të them se ka qenë gazeta më aktive dhe më e guximshme në vjeljen e së vërtetës në terren dhe pasimin e saj për opinionin e gjerë publik. Duke e parë këtë qasje ndaj mënyrës së informimit pa censurë, për krimet dhe masakrat që bënte regjimi serb, ndodhi ajo që ndodhi.

Regjimi kriminal serb e mbylli një dritare të madhe të informimit duke menduar se po e shkatërronte tërësisht. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë ringjallja e pas luftës, por sidoqoftë “Kosova Sot” përsëri është në duart e lexuesit kosovar dhe po i përcjell dhe raporton zhvillimet duke ruajtur qasjen kritike, të paanshme, profesionale dhe të pavarur, duke u përpjekur që të jetë zë i qytetarit dhe problemeve, me të cilat ballafaqohemi në jetën e përditshme.

(Kosova Sot)