Masakron gruan me sëpatë pas sherrit, e fshehu si grabitje. Burri pranon krimin pasi …

  • 01 May 2019 - 09:45
Masakron gruan me sëpatë pas sherrit, e fshehu si grabitje. Burri pranon krimin pasi …

Vrau me sëpatë bashkëshorten dhe u përpoq ta inskenonte si grabitje, arrestohet 63-vjeçari. Banorët e fshatit Vagalat në Bashkinë e Memaliajt janë zgjuar të tronditur ditën e martë.

Skënder Hoxha i ka telefonuar kryeplakut të fshatit rreth orës 04:00 për t’i thënë se ishte vrarë bashkëshortja e tij. Kryeplaku, bashkë me gruan e tij, kanë parë trupin e 53-vjeçares Antoneta Hoxha të mbuluar në gjak dhe të shpërfytyruar.

“Mos e prekni, se e kanë vrarë”, këto kanë qenë fjalët e 63-vjeçarit në momentin që ata kanë tentuar që të mësojnë diçka më shumë mbi atë që kishte ndodhur. Pas mbërritjes së forcave të Policisë në vendin e ngjarjes, ata kanë bërë fillimisht shoqërimin e Skënder Hoxhës.

63-vjeçari, pas shumë orësh që është marrë në pyetje nga hetuesit, ka pranuar më në fund se gjithçka ishte një krim në familje dhe se ai ishte autori i vrasjes së bashkëshortes. Ngjarja dyshohet se ka ardhur si pasojë e një sherri në familje, motivet e të cilit ende nuk dihen. Babai i katër fëmijëve e ka goditur Antoneta Hoxhën me sëpatë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.

Në momentin e ngjarjes, në banesë nuk ndodhej asnjë person tjetër përveç çiftit. Autori ka lajmëruar fqinjët dhe të afërmit për ngjarjen, të cilën fillimisht e ka mohuar. Ngjarja ka ndodhur në katin e dytë të banesës, ku burrë e grua jetonin të vetëm, në dhomën e gjumit të çiftit.

Mësohet se fillimisht çifti ka pasur një grindje, motivet e së cilës nuk dihen, ndërsa më pas situata është rënduar duke përfunduar me vrasjen e 53-vjeçares. Bashkëshorti i saj e ka goditur në pjesën e ballit dhe në krahun e majtë.

Rrethanat e ngjarjes hodhën hijet e para të dyshimit te kryefamiljari që vazhdonte të mohonte autorësinë për vrasjen e nënës së katër fëmijëve të tij, tri vajza dhe një djalë në moshë madhore. Si i dyshuari kryesor i ngjarjes, pavarësisht mohimit, Skënder Hoxha është shoqëruar në komisariat dhe pas disa orësh në pyetje është dorëzuar para grupit hetimor, duke pranuar krimin e rëndë.

Çifti Hoxha nuk njihej në fshat për mosmarrëveshje dhe konflikte mes tyre. Ngjarja e rëndë ka tronditur banorët e paktë të fshatit të largët, që të vetmet të ardhura në një vend pa infrastrukturë rrugore kanë bujqësinë dhe blegtorinë.

Çifti jetonte në kushte të mira financiare dhe përjashtohet fakti se konflikti mund të ketë ardhur për shkak të varfërisë. Nisur nga rrethanat e ngjarjes, dyshohet se 63- vjeçari mund ta ketë kryer vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të shfaqjes së problemeve të para mendore apo psikologjike.

“Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Vagalat në Tepelenë. Arrestohet në flagrancë 63-vjeçari, pasi vrau bashkëshorten. Pas njoftimit të marrë se shtetasja A.H., banuese në fshatin Vagalat, Bashkia Memaliaj, u gjet nga familjarët e pajetë në banesë me dëmtime në kokë, menjëherë u ngrit grupi hetimor, ku në bashkëpunim Prokurorinë kryen veprimet e para procedurale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Stacionit të Policisë Memaliaj nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S.H., 63 vjeç, i cili ka vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen A.H., 53 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme”, bëri të ditur Policia.

(Kosova Sot)