Pilula që fryhet në lukth ndihmon për humbje të peshës

  • 01 May 2019 - 15:09
Pilula që fryhet në lukth ndihmon për humbje të peshës

Një pilulë e re për dobësim, e cila zgjerohet (fryhet) në lukth, mund t'i dyfishojë gjasat e njerëzve për të humbur peshë. Kapsula merret 20 minuta para ushqimit dhe zgjerohet, në mënyrë që ta bëjë personin të hajë më pak. Kur të fryhet, kjo pilulë mbush një të katërtën e lukthit, duke absorbuar ujë dhe, nga viti i ardhshëm, do të mund të blihet pa recetë. Shkencëtarët kishin kërkuar nga 223 njerëz që të merrnin tri pilula para dreke dhe para darke, derisa ishin në një dietë të moderuar, duke ngrënë 300 kalori më pak në ditë.  

Ka efektin e njëjtë me balonën gastrike

Krahasuar me më shumë se 200 njerëz të cilët kishin marrë pilula pa efekt (duke menduar se ishin duke e marrë ilaçin), ata që përdornin pilulat e reja për dobësim kishin dy herë më shumë gjasa që të humbnin 5% apo më shumë të peshës së tyre trupore. Kapsula bëri punë për 59% të njerëzve që e përdorën, të cilët humbën rreth 10 kile, respektivisht ranë më poshtë për dy numra të rrobave, krahasuar me gjendjen në fillim. Pilula për dobësim, e bërë nga materialet bimore, ka efektin e njëjtë me balonën gastrike, e cila përdorej nga personat tepër obezë (mbipesha e skajshme). 

Përbëhet nga celuloza dhe acidi citrik

Por, kapsula e re mund të përdoret edhe nga personat që janë më pak obezë, te ata me mbipeshë më të moderuar. Jason Halford, nga Universiteti i Liverpulit, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë studim, thotë se kemi të bëjmë me një përparim për njerëzit që hanë tepër gjatë shujtave, apo që mbushin pjatën për herë të dytë. Pilula, e bërë nga "Gelesis", përbëhet nga celuloza dhe acidi citrik. "Gelesis" ka bërë me dije se pilulat për dobësim, të quajtura "Plenity", tanimë mund të merren me përshkrim në SHBA. 

(Kosova Sot)