Hashim Thaçi shpërndanë dy fjalime për të demantuar Haradinajn për taksën

  • 01 May 2019 - 15:32
Hashim Thaçi shpërndanë dy fjalime për të demantuar Haradinajn për taksën

Dy liderët e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë udhëtuar në Berlin të përçarë sa i përket idesë për korrigjim të kufijve dhe taksës ndaj Serbisë.

Në një intervistë, kryeministri Ramush Haradinaj, kishte treguar për presionin e madh që ia kishin bërë Hashim Thaçi e Edi Rama në sy të të gjithë të pranishmëve në Berlin për të hequr taksën.

Haradinaj ka treguar se ky presion nga Thaçi e Rama i kishte ardhur në takime jo-formale.

Por për të demantuar këto deklarime të Haradinajt, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dërguar të mëkurën [1 maj] në adresë të mediave kosovare dy fjalime.

Në fjalimin e parë që ka mbajtur Thaçi, ka theksuar se vendosja e taksës ndaj Serbisë, ka qenë një vendim i domosdoshëm dhe si i tillë do të vazhdojë të qëndrojë.

“Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës për prodhimet serbe të vendosur nga Kosova. Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut i cili është respektuar që nga viti 2011, që nënkupton se dialogu është i pakushtëzuar.Vendosja e taksës ka qenë një vendim i domosdoshëm dhe legjitim si reagim ndaj shkeljeve të përsëritura e të dokumentuara të CEFTA-s nga ana e Serbisë. Si i tillë, ai mbetet  në fuqi”, shkruhet në fjalimin e parë që zyra e presidencës u ka dërguar mediave në Kosovë.

Ndërkohë në fjalimin e dytë, teksa ka folur për vazhdimin e dialogut, Thaçi ka cekur faktin se ai nuk mund të kushtëzohet nga Serbia me heqje të taksës.

“Dialogu i filluar në vitin 2011, përkundër rezultateve të prekshme, tani është i bllokuar nga Serbia, e cila e ka kushtëzuar vazhdimin e tij me heqjen e taksës.Kushtëzimi i dialogut nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë rrethanë, sepse dialogu nuk mund të kushtëzohet nga asnjëra palë.Ky ka qenë parimi udhëheqës i pashkruar që nga fillimi i këtij procesi”, citohet të ketë thënë Hashim Thaçi.

Megjithatë kryeministri Haradinaj , ka ndarë detaje nga takimet jo formale që janë zhvilluar në Berlin, duke treguar presionin e madh që i kanë bërë Thaçi e Rama për të hequr vendimin për taksën.

“ Në pjesën e parë zyrtare, fjalën e ka pas shumë përmbajtjesore. Ka pas elemente të mira. Kur e ka shpjeguar pozicionin e Kosovës. Në këtë pjesën informale, të heqjes taksës, unë jam ndodh në një pozitë të keqe. Në vend se me i pas naj njo që t’mbron, po i ki krejt që të meshojnë, para miqve, ajo ka qenë e rëndë. Pastaj në pjesën e dytë ka thënë që është keqkuptuar ideja e demarkimit, dhe që nuk është menduar ndarje në vija etnike, gjë tjetër për kufirin s’ka thënë” ka thënë Haradianj.

Kreu i Qeverisë ka treguar se madje Thaçi e Rama kanë folur edhe në gjuhë të huaja që t’i kuptojnë të gjithë në Berlin, se po e kërkojnë heqjen e taksës.

“Edhe dje u përsërit ajo që më ka ndodhë edhe në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Ma së fshtiri ish. Edhe presidenti, edhe Edi Rama, më shumë bënin presion ata dy me e heq taksën, sesa shtetet tjera. Të gjithë insistonin që me respektu qëndrimin e kancelares dhe Marconit, që ky është një shans i mirë për Kosovën e që nuk duhet me e humb. Një insistim direkt i pandalshëm. Në një gjuhë që ishte në anglisht, qe e merrnin vesh, edhe kancelarja edhe Presidenti Macron”, ka thënë Haradinaj të martën në një intervistë nga Berlini.

Ndër të tjera në fjalimet e dërguara nga zyra e Thaçit, shihet se si ai ka kritikuar shtetet e Quintit për mos unitet sa i përket çështjes së Kosovës.

Ndërkohë kundërshtitë e bërë për idenë e korrigjimi të kufijve, i quan si pretendime të gabuara dhe të qëllimshme, për të rritur frikën se gjëja Kosova po kërkon kufij etnik në Ballkan.

(Kosova Sot)