1 Maji në Gërmi: Muzikë, lojëra, fara, akullore dhe “qejfe çiftesh”

  • 01 May 2019 - 15:47
1 Maji në Gërmi: Muzikë, lojëra, fara, akullore dhe “qejfe çiftesh”

Parku i Gërmisë sot priti e përcolli një numër të madh qytetarësh nga e gjithë Kosova. Prishtina u zbraz, por ky park i qytetit sot u mbingarkua me njerëz të grup-moshave të ndryshme të cilët konsiderojnë se kjo ditë duhet festuar duke u mbledhur aty. Fytyra të buzëqeshura, shaka të rajoneve të ndryshme dëgjoheshin nga shumë të pranishëm. Vajza e gra me taka, nuk u panë aq, e disa të rinj e e shfrytëzuan rastin për të bërë edhe pak dashuri. Një pjesë të asaj që ndodhi sot në vendin që dikush e quan edhe “mushkëritë e qytetit” mund ta gjeni më poshtë.

Aty ku edhe ndalohej qarkullimi me vetura pranë shkollës “Gjergj Fishta” në lagjen Taslixhe, ishin parkuar disa autobusë që kishin sjellë qytetarët nga Drenasi e Skenderaj për 1 Maj në Prishtinë.

“Drenas- Gërmi” dhe “Skendëraj-Gërmi” shkruhej në pankartat e disa autobusëve në xhamin kryesor të tyre. Po, gjatë ditës së sotme në parkun më të madh të Prishtinës në Gërmi pati qytetarë nga e gjithë Kosova.

{}

Kosovarët si gjithmonë edhe sot u shfaqen të rezervuar për të folur për media. Madje ata ironizonin me dy shprehje që së fundmi janë shndërruar në senzacion “A ban me folë” dhe “Nuk flas se me njohin krejt”.

Një grup të rinjësh nga Vushtrria thanë se për 1 Maj duhet bërë qejf e jo të protestohet, siç ndodh zakonisht në vende të shumta të botës.

Kjo ditë u pa si fitimprurëse nga shitësit ambulantë.

Sot shiteshin me të madhe farat, dredhëzat, akulloret, hamburgerët, qafore femrash e çka jo tjetër.

(Kosova Sot)