Juncker: Mbetem ithtar i zjarrtë i zgjerimit të BE’së

  • 01 May 2019 - 18:50
 Juncker: Mbetem ithtar i zjarrtë i zgjerimit të BE’së

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian përkujtuan sot 15- vjetorin e zgjerimit të BE, që çoi në pranimin në bllok të 10 shteteve. “Pesëmbëdhjetë vjet më parë 10 vende morën vendin e tyre të duhur në zemër të bashkimit tonë”, tha presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. “Ne kapëm momentin unik dhe pajtuam historinë e Evropës me gjeografinë tonë”, shtoi ai. ”Mbetem një ithtar i zjarrtë i zgjerimit”, theksoi Juncker.

Shtetet anëtare që u bashkuan në 2004 me BE-në ishin Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia si dhe ishujt e Qipros dhe Maltës. Pranimi i tyre shënoi zgjerimin më të madh të bllokut në të njëjtën kohë.Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, ish-kryeministër i Polonisë, shkroi në Twitter se “për ne në ato ditë, Europa në të vërtetë ishte një simbol i lirisë, standardeve të larta, prosperitetit, modernitetit dhe sigurisë”.

“Nuk kemi qenë kurrë të zhgënjyer,” shtoi ai. Negociatori i BE-së për Brexit Michel Barnier gjithashtu shkroi në Twitter duke theksuar se ”në BE, çdo shtet anëtar kontribuon me historinë, identitetin dhe vlerën e shtuar në ndërtimin e së ardhmes së përbashkët”.

(Kosova Sot)