Pendarovski i pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve: Ndryshimi i emrit dhe gjuha shqipe irrituan maqedonasit

  • 01 May 2019 - 21:19
Pendarovski i pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve: Ndryshimi i emrit dhe gjuha shqipe irrituan maqedonasit

Stevo Pendarovski, kandidati i LSDM-së për president të Maqedonisë së Veriut, i mbështetur nga partitë shqiptare BDI, PDSH, Alternativa dhe RDK, tha se nuk është i lumtur me rezultatin e arritur në rrethin e parë të zgjedhjeve.

Sipas tij, epërsia prej vetëm 4 mijë votash nga kundër-kandidatja Gordana Siljanovska e cila mbështet nga VMRO-DPMNE-ja, ka ardhur si pasojë e vendimeve të rënda që kanë ndërmarrë kjo Qeveri.

“Referendumi është rast tjetër. Ekzistojnë arsye tjera për këtë. Një nga to ishte bojkotimi i organizuar nga partia kryesore opozitare. Ata nuk e thanë këtë publikisht, por kërkuan nga votuesit e tyre që të qëndrojnë në shtëpi me qëllim që t’i dobësojnë përpjekjet tona për integrime euroatlantike përmes këtij veprimi. Rreth 400 mijë njerëz ndodhen në listat e votimit, por ata nuk jetojnë në Maqedoni dhe kjo është arsyeja pse pjesëmarrja e votuesve ishte vetëm 37 për qind. Përndryshe, këtu kemi shumicën e njerëzve që jetojnë në Maqedoni dhe shumicën absolute, 92 për qind, që votuan në ditën e referendumit”, tha ai.

Pendarovski tha se Marrëveshja e Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë si dhe miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve (Gjuhës shqipe) ka irrituar votuesit maqedonas.

 Kjo deklaratë e Pendarovskit vjen pas referendumit, ku çështja e ndryshimit të emrit mori mbi 600 mijë vota, dyfishin e votave që siguroi ai në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Megjithatë, Pendarovski pret që në rrethin e dytë të zgjedhjeve për President, më 5 maj pret përkrahje masive nga qytetarët, e sidomos nga shqiptarët që në rrethin e parë e votuan kandidatin e pavarur shqiptar Blerim Reka, i cili u mbështet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Besa.

“Unë do t’u drejtohem të gjithë shqiptarëve njësoj si të gjithë qytetarëve të vendit për t’u treguar se cilat janë ofertat nga të dyja anët. Mendoj se ata që e votuan Blerim Rekën në rundin e parë tash do të votojnë për mua sepse qëllimet strategjike dhe politike të tij janë plotësisht të njëjta me qëllimet e mia. Ne të dy duam ta shohim Maqedoninë të orientuar drejt Perëndimit dhe të përfshirë në integrimet euroatlantike. Integrimet nuk kanë të bëjnë me Lindjen ose Jugun”, tha Pendarovski.

I pyetur nëse ka kërkuar takim me partitë opozitare shqiptare për përkrahje në rrethin e dytë, Pendarovski tha se nuk do të bëhet pazare me vota e as me parti, por që kërkon mbështetje nga gjithë qytetarët me qëllim, integrimin sa më të shpejtë të vendit në NATO dhe BE.

(Kosova Sot)