Në gjurmët e plastikës së zhdukur të oqeaneve

  • 01 May 2019 - 23:16
Në gjurmët e plastikës së zhdukur të oqeaneve

Miliona tonë plastikë hidhen në dete dhe oqeane çdo vit, por vetëm një pjesë e vogël është e dukshme.

Ku zhduket pjesa tjetër? Kërkuesit po i afrohen tashmë zgjidhjes së misterit të plastikës së zhdukur.

Vitet e fundit, imazhet e shisheve dhe qeseve që pluskojnë në mes të oqeanit apo ato të plazheve të mbuluara me mbeturina kanë nxitur fushata kundër zakonit të hedhjes së çdo produkti pas përdorimit. Por, kjo ndotje e dukshme është vetëm maja e ajsbergut.

Për herë të parë, një ekip ndërkombëtarë shkencëtarësh i është vënë pas gjurmimit të këtyre mbetjeve.

Rreth katër deri në 12 milionë tonë plastikë përfundojnë në oqeane çdo vit, por shkencëtarët thonë se vetëm 250 000 tonë gjenden në sipërfaqe.

Dhe 99% e mbetjeve të hedhura në det gjatë dekadave të fundit nuk gjendet.

E degraduar nga erozioni, dielli dhe veprimi i baktereve, dendësia e plastikës ndryshon, pasi rrëmbehen nga rrymat që i tërheqin në thellësi bëhet shumë më e vështirë që të gjendet.

”Është shumë e vështirë të dihet se ku shkojnë të gjitha, pasi është një proces që vazhdon”, shpjegon Alethea Mountford, në Universitetin e Newcastle.

”Edhe plastika në sipërfaqe mund të zhytet e më pas të ridalë”, shton ajo.

Duke përdorur një model informatik për rrymat oqeanike që mund të jetë një zbulim i madh, studiuesit kanë kërkuar për mbetjet plastike me tre nivele të ndryshme dendësie dhe kanë lokalizuar vendin ku mblidhen mbetjet pas zhyjes.

Ky model tregon vendet ku mblidhet plastika në thellësi të ndryshme të detit Mesdhe, në Oqeanin Indian dhe në ujërat e Azisë Jugperëndimore.

Shkencëtarët mendojnë që një pjesë e madhe e plastikës përfundon në fund të detit. Një studim i kohëve të fundit ka gjetur mbetje mikroplastike tek gjallesat e vogla të detit që jetojnë në 11 kilometra thellësi në kanalin Mariana, më të thellin e njohur.

Kthim në breg

Llogaritjet e Alethea Mountford janë paraprake, por rezultatet mund të ndihmojnë që të gjenden vende ku mund të bëhen kërkime më të thella dhe të njihet më mirë ndikimi i kësaj ndotje në ekosistem, siç thotë edhe studiuesja, e cila frymëzohet nga puna e oqeanografit Eric van Sebille, në universitetin holandez të Utrecht.

”Ne i shohim mbetjet që rrinë në sipërfaqe dhe është normale që fokusohemi mbi to. Mbetjet plastike të sipërfaqes me shumë mundësi kanë ndikimin më të madh pasi organizmat jetojnë më së shumti në sipërfaqe”, komenton ky i fundit.

”Por nëse doni të kuptoni rëndësinë e problemit, duhet të futeni më në thellësi”, vazhdon ai.

Kërkimet e tij të fundit janë mbi faktin se ndotja plastike është tashmë aq e madhe sa gjurmimi i mbetjeve mund të japë të dhëna të rëndësishme mbi mënyrën se si funksionojnë rrymat detare.

Intuita e tij – që mbetet për t’u konfirmuar me anë të stimulimeve më të sofistikuara – është se pjesa më e madhe e mbetjeve plastike të hedhura në dete përfundon duke u kthyer në brigje. Gjë që mund të shpjegojë hendekun mes volumit të mbetjeve të hedhura në oqeane dhe atyre që mund të shihen sot.

”Plastika që shkon nga lumenjtë në det ngelet pranë bregut dhe mund të mbetet në hapësira të reja. Me një pjesë të madhe mund të ndodhë kjo. Pra fokusimi në pastrimin e brigjeve të ndotura mund të shmangë përhapjen e ndotjes”, thotë ai.

Një seri studimesh mbi mbetjet plastike u prezantuan në takimin e Bashkimit Europian të Gjeoshkencave në Vjenë. Ku një prej tyre thekson një ndotje të akullnajës Forni në Alpet italiane.

Ekspertët italianë kanë gjetur  28 deri në 74 copëza për kilogram në pjesët e analizuara, përcjell Atsh.

Gjë që tregon se akullnaja mund të përmbajë 131 deri në 162 milion copëza plastike.

”Ne kemi gjetur mbetje plastike që nga fundet e oqeanit deri tek akullnajat”, thotë me keqardhje Roberto Sergio Azzoni, nga Universiteti i Milanos.

(Kosova Sot)