Institucionet e sigurisë po bëhen gati për zgjedhjet në veri

  • 02 May 2019 - 11:21
Institucionet e sigurisë po bëhen gati për zgjedhjet në veri

Në koordinim me përfaqësuesit e institucioneve Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur Programin Orientues i Sigurisë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat në veri.

Enis Halimi, kryeshef  ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, tha se procesi zgjedhor është shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe për këtë KQZ-ja është e gatshme të bashkëpunojë me gjithë akterët që janë të përfshirë në këtë proces.

Afrim Ahmeti, drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, tha se Policia po bën përgatitjet e fundit bashkë me KQZ-në që të monitoroj zgjedhjet në mënyrë që gjithë procesi të shkojë pa probleme.

“Ditën e zgjedhjeve do të caktojmë hetues policorë që do të jenë të gatshëm t’i përgjigjen të gjitha situatave në terren”, tha ai, raporton EO, transmeton Klan Kosova.

Ndërsa, Laura Pula, koordinatore nacionale nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, tha se edhe këtë vit fokus do të jetë mbrojta e votës në mënyrë që të mos ketë manipulime.

“Edhe në këto zgjedhje do të angazhojmë prokuror të mjaftueshëm në 4 komuna që do të kujdestarojnë 24 orë dhe kemi staf mbështetës për ruajtjen e votës”, tha ajo.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të drejtë vote kanë 58 520 votues, me dallim prej 1 507 votues më shumë, në krahasim me Zgjedhjet e Lokale të datës 22 tetor 2017.

Të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22 242 persona; në Leposaviq 18 390 persona në Zveçan 9.276 persona dhe në Zubin Potok 8 612 persona kanë të drejtë vote.

(Kosova Sot Online)