Presionet për imponimin e marrëveshjes së rrezikshme

  • 02 May 2019 - 12:39
Presionet për imponimin e  marrëveshjes së rrezikshme

Ish zyrtari i lartë i LDK-së Adem Salihaj, ish zv. Kryeministër në Koalicionin AAK-LDK dhe  deputet në dy mandate në Kuvendin e Kosovës, duke analizuar  rrjedhat e samitit të liderëve të Ballkanit perëndimor në Berlin, thotë për “Kosova Sot online”  se tani Kosova duhet të jetë shumë e përgatitur nga veprimet e pa pritura dhe të “rrufeshme” të diplomacisë  ndërkombëtare për marrëveshje të shpejtë  përfundimtare me Serbinë.

“Nga zhvillimet që pamë në samitin e Berlinit, duket sikur kishte tri qëllime: i pari, që t'ua bënte të qartë Kosovës dhe Serbisë se Gjermania dhe Franca ishin kundër ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve; e dyta, u bë një përpjekje për ta bindur kryeministrin për suspendim të përkohshëm të taksës dhe për vazhdimin e dialogut dhe, e treta, që ta jepte një mesazh se Gjermania dhe Franca po bëheshin faktor kyç për arritjen e një marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë.

Mendoj se këto janë tri përfundimet e samitit të Berlinit. Fakti se ky proces do te vazhdojë edhe ne Paris e gjetiu, është tregues se këto dy vende po tregojnë vendosmëri që ta çojnë këtë proces deri në fund dhe ta imponojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ky fakt duhet të na mobilizojë, sepse Kosova, në të ardhmen, mund të ballafaqohet me presione të shumëfishta dhe mund t'i imponohen edhe zgjidhje, të cilat nuk janë të mira për ne”, theksoi Salihaj për “ Kosova Sot online”.

Ai po ashtu vazhdon të ketë akoma a dyshime të fuqishme nga planet në prapaskenë të Hashim Thaçit që mundë të vazhdon të jetë kreator dhe aktori kryesor në mbrojtje të marrëveshjes së  dëmshme për Kosovë. 

 “Veçanërisht duhet të na brengosë fakti se Thaçi, ndonëse i dëshpëruar dhe nervoz, nuk do të heq dorë nga realizimi i planit serbo-rus për copëtimin e Kosovës, përkundër kundërshtimit nga të gjitha anët. Ai është i kapur nga Serbia dhe nuk do të mund të dalë nga kthetrat e saj”, tha Salihaj për “Kosova Sot online”.

(Kosova Sot Online)