Pacolli përplaset me deputetët për lidhjen e tij me biznesmenin që e bëri konsulli nderi në El Salvador

  • 02 May 2019 - 20:24
Pacolli përplaset me deputetët për lidhjen e tij me biznesmenin që e bëri konsulli nderi në El Salvador

Pyetjet e Glauk Konjufcës për biznesmenin kundërthënës Enrique Rais nga El Salvador, e kanë nervozuar ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Pacolli, para Komisionit për Punë të Jashtme, është pyetur për lidhjet e tij me Rais-in, si dhe nëse ka njohuri për problemet me ligjin të biznesmenit.

Njëherësh zëvendëskryeministri Pacolli, me gjasë kishte harruar se e kishte emëruar Rais-in qysh në gusht të 2012-s për konsull nderi në Honduras, pasi një gjë të tillë e mohoi para komisionit. 

Emri i Rais-it, ishte në mesin e 6 konsujve të nderit që i kishte emëruar Pacolli, ndërsa media para dy vjetësh, kishte raportuar për njërin prej tyre, Olivier Nutsugan në Benin, po ashtu një biznesmen.

Pacolli ia ka bërë të ditur komisionit se Rais-i ka blerë një apartament në hotelin e tij në Zvicër dhe, për disa muaj, Pacolli kishte shfrytëzuar një prej aeroplanëve privatë të tij.

Me nervozizëm, para komisionit ka shpjeguar se Rais-in e ka njohur përmes ish-ambasadorit të SHBA-së në El Salvador, William Walker, i njohur për kosovarët si udhëheqës i Misionit verifikues të OSBE-së.

Por, edhe më i ashpër ka qenë me deputeten Fitore Pacolli.

Pacollit i është kërkuar edhe një listë e konsujve të nderit, për çka është pajtuar.

Emri i Enrique Rais-it, në gushtin e kaluar, ishte në mesin e 6 personave për të cilët një grup anëtarësh të Kongresit amerikan i kishte kërkuar Administratës Trump heqjen e vizave dhe ngrirjen e aseteve, si të dyshuar për krime dhe korrupsion.  

Derisa mediat në shtetin e tij, raportojnë se për të ka pasur edhe një fletarrest ndërkombëtar.

(Kosova Sot Online)