Koalicioni me PDK-në, vjen paralajmërimi për LDK-në: Kjo do të jetë goditja e madhe

  • 03 May 2019 - 09:00
Koalicioni me PDK-në, vjen paralajmërimi për LDK-në: Kjo do të jetë goditja e madhe

Akuzat të cilat po vijnë herë pas here në adresë të LDK-s, se nuk është sa duhet aktive në denoncimin e qeverisjes së korruptuar të koalicionit PAN, madje edhe duke ngritur dyshimin se pas kësaj heshtje fshihet një dëshirë për përtëritjen e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve vijuese me PDK-në, po shihet si një nga skenarët më të mundshëm nga ana e analistëve politik.

Analisti Florim Zeqa tha për "Kosova Sot Online" se brenda strukturës drejtuese të LDK-së ka mjaft individ që e dëshirojnë përsëri një “martesë” me PDK-në prandaj edhe kjo po reflektohet në pasivitetin e tyre opozitar.

“Heshtja dhe indiferenca e LDK-se karshi veprimeve destruktive të qeverisë dhe inferioriteti i saj, edhe pse partia më e madhe opozitare, tregon qartë për bashkërendim të veprimeve me partine me te madhe në pushtet-PDK-në, partinë e presidentit Thaçi, partnerin tradicional te LDK-së post-rugoviane, e cila e mbajti ne pushtet PDK-në e Thaçit dhe ngriti ketë të fundit në postin më lartë në vend”, tha Zeqa për Kosova Sot Online.

Sido qoftë goditja për LDK-në ishte dhe do të jetë akoma më e madhe nëse ndodhë edhe një marrëveshje e tillë në zgjedhjet që pasojnë pasi që ky koalicion mundë të përtërihet për shkak të lidhjeve të krijuara me PDK-në nga shumë grupe të interesit, edhe pse me këtë veprim do të goditeshin drejtpërdrejtë qytetarët që edhe ashtu janë me shpresa të humbura.

“Veprime këto që shndërruan LDK-në në patericë të PDK-së dhe Hashim Thaçit, rrëshqitja e LDK-së në prehrin e SHIK-ut dhe shitjen e deputetëve të LDK-së tek Hashim Thaçi, ka bërë që LDK-ja ta humb në tërësi fuqinë vepruese si parti opozitare. Ndryshe, mos veprimet e LDK-se kundër koalicionit PAN, nga qytetarët janë duke u kuptuar si një pajtueshmëri në heshtje dhe para përgatitje për një koalicion të ri me PDK-në pas rënies së qeverisë Haradinaj në javët ose muajt në vazhdim.

Po ndodhë pikërisht kështu për shkak të lidhjeve të fuqishme dhe familjarizimit të zyrtarëve dhe deputetëve të LDK-së me Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Lidhjet e fuqishme biznesore, klanore dhe familjare mes tyre, janë premisa të fuqishme për një koalicion të PDK-s e LDK-s, me qëllimin e vetëm që ta "neutralizojnë" LVV-në, të vetmen forcë opozitare në vend.

Mbase, kjo situatë paradoksale e LDK-së, është bërë shkaku kryesor i thyerjes së të gjitha shpresave të qytetarëve për jetë në këtë vend”, tha analisti Zeqa për "Kosova Sot Online".

(Kosova sot Online)