Kjo është rruga e frikshme në Kosovë, që po merr jetë njerëzish gati çdo muaj

  • 03 May 2019 - 09:25
Kjo është rruga e frikshme në Kosovë, që po merr jetë njerëzish gati çdo muaj

Rruga nga Podujeva deri në fshatin Kërpimeh të kësaj komune, për vite me radhë ka treguar se është rrugë e aksidenteve të tmerrshme.

10 persona kanë mbetur të vdekur në aksidente të ndryshme në shtatë vitet e fundit.Rasti më i freskët është ai i së dielës, ku nga vetëaksidenti, mbetën të vdekur dy të rinj.

Jahir dhe Çlirim Gashi, mbetën të vdekur gjatë një aksidenti në këtë rrugë, saktësisht në fshatin Bajqinë. Jahiri vdiq në vend të dielën, teksa Çlirimi ndërroi jetë gjatë ditës së sotme, pas plagëve të rënda që i mori nga aksidenti.

Por ndër vite, rruga Podujevë-Kërpimeh, ua mori jetën shumë personave. Në fund të vitit të kaluar, Besim Mehanja (42 vjeç) që ishte duke shkuar në një vizitë familjare me të shoqen, u aksidentua për vdekje në trotuar nga një veturë e tipit ‘Golf V’ të cilën po e voziste një 21 vjeçar.Një rast tjetër pati ndodhur në vitin e kaluar, ku një qytetar ishte goditur për vdekje në trotuar, në fshatin Dobërdol. Mirëpo, historia e kësaj rruge nuk ka përfunduar me kaq.Gjatë vitit 2017, në rrugën Podujevë-Kërpimeh, saktësisht në fshatin Peran, si pasojë e aksidentit ka vdekur edhe Afrim Zeneli.

Ai në veturë ishte me tre fëmijët e tij. Dy prej tyre patën marrë lëndime të lehta, derisa djali i madh pati thyer këmbën.Afrimi në momentin e aksidentit ishte me  veturë të tipit “Golf 2” duke u kthyer në shtëpi, teksa kishte qenë në një vizitë tek disa të afërm të tij.Afrim Zeneli pas vetes pati lënë katër fëmijë.Viti 2013 në këto 7 vitet e fundit ishte më fatali. Në këtë rrugë, saktësisht në fshatin Peran, vdiqën 3 persona.

Dy djemtë e vetëm të familjes Hasani nga Bradashi i Podujevës humbën jetën si pasojë e një aksidenti. Në këtë aksident ishte përfshirë, Sabri Ferati pjesëtar i Policisë së Kosovës.Ai një vit pas aksidentit ishte dënuar me 6 vite burg. Ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Dega në Podujevë pasi me veturë zyrtare kishte shkaktuar aksident në komunikacion, si pasojë e të cilit humbën jetën Sokol e Mujë Hasani.Në shenjë respekti, babai i dy djemve, Fehmiu, në vendin e ngjarjes ka ngritur edhe një pllakë përkujtimore. “Me respekt familja” mban mbishkrimin kjo pllakë.

Në po të njëjtin vit, kjo rrugë ia morri jetën edhe vogëlushit, Anuar Potokut.Më shumë se dy vite para, rruga e “përgjakur” morri jetën edhe të dy të moshuarve të tjerë.Më 2011 për vdekje u aksidentuan edhe çifti, Vesel e Zyhra Halimi.Por, përveç aksidenteve me fatalitet, kjo rrugë ka pasur edhe numër të madh të aksidenteve të cilat kanë përfunduar me lëndime trupore. Sipas statistikave në vetëm 10 vitet e fundit në këtë vend kanë ndodhur mbi 200 aksidente.

(Kosova Sot)