Rritet numri i sulmeve seksuale në ushtrinë amerikane

  • 03 May 2019 - 10:33
Rritet numri i sulmeve seksuale në ushtrinë amerikane

Pentagoni bëri të ditur se numri i sulmeve seksuale në ushtrinë amerikane është rritur për gati 38% në vitin 2018, krahasuar me dy vjet më parë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se një anketë anonime në ushtri ka nxjerrë në pah se 20,500 shërbyes meshkuj dhe femra kanë përjetuar një lloj të sulmit seksual vitin e kaluar, krahasuar me 14,900 në vitin 2016.

“Është e qartë se sulmet dhe ngacmimet seksuale janë sfida të vazhdueshme”, tha ushtruesi i detyrës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan.

“Kjo është e papranueshme”, shtoi ai.

Ushtria bën anketa të tilla një herë në dy vjet.

Senatorja demokrate, Kristen Gillibrand, e cila është kandidate për presidente të SHBA-së më 2020 dhe bën fushatë për më shumë rregulla për përndjekjen e krimeve seksuale në ushtri, tha se anketa e fundit tregon se është koha për Kongresin që të veprojë.

“Sulmet seksuale vazhdojnë të rriten në mënyrë dramatike, ndërsa numri i rasteve që shkojnë në gjyq po zvogëlohet”, tha Gillibrand.

“Status quo-ja nuk po funksionon”, shtoi ajo.

(Kosova Sot Online)