Reagon edhe njëherë Haradinaj, zbulon qëllimin e vetëm për takimin e Parisit

  • 03 May 2019 - 11:31
Reagon edhe njëherë Haradinaj, zbulon qëllimin e vetëm për takimin e Parisit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se qëndrimet në dialog janë formësuar në Samitin e Berlinit, ndërsa në Paris, sipas tij, do të shkojnë vetëm për njohje.

Megjithëse ka refuzuar t’i komentojë dallimet që ka me presidentin Thaçi rreth marrëveshjes përfundimtare, Haradinaj ka insistuar se dialogu për shkëmbim territoresh i takon së kaluarës. 

Por janë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës ata, të cilët edhe zyrtarisht kanë kërkuar përfshirjen e tyre në fazën finale të negociatave.

“Qëndrimet janë formësuar në Berlin dhe në takimin e thirrur në Paris nga presidenti Macron nuk shkohet për lëvizje të kufijve, shkojmë për njohje”, ka thënë Haradinaj të enjten pas mbledhjes së Qeverisë. 

Të panevojshëm e ka cilësuar edhe debatin rreth taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, edhe pse është ripërsëritur se është ballafaquar me presione për heqjen e kësaj mase.

(Kosova Sot Online)