Policia konfiskon 120 vetura sportive që garonin në autostradë

  • 03 May 2019 - 16:07
Policia konfiskon 120 vetura sportive që garonin në autostradë

Policia e Gjermanisë i ka konfiskuar 120 vetura sportive që ishin pjesë e një gare, e cila dyshohet se do të mbahej në disa shtete të Evropës.

Në mesin e veturave të konfiskuara ka vetura të prodhuesve “Porsche”, “Lamborghini” dhe “Audi”. Ato u ndaluan nga policia të enjten në autostradën A20 të qytetit Wismar, i cili shtrihet në pjesën verilindore të Gjermanisë. Në këtë pjesë shpejtësia e veturave nuk është e kufizuar me ligj apo me shenja të komunikacionit.

Disa vozitës janë shqetësuar dhe e lajmëruan policinë pasi panë se veturat sportive po lëviznin me shpejtësi deri në 250 kilometra në orë. Shumica e veturave ishin me targa të Norvegjisë dhe në xhamat e përparmë e kishin të vendosur emrin e garës së quajtur “Eurorally”.

Sipas faqes së kësaj gare në internet, pjesëmarrja në këtë garë kushton deri në 799 euro dhe përbëhet nga katër faza. Gara fillon në Oslo të Norvegjisë dhe përfundon në Pragë të Çekisë.

Një zëdhënës i policisë federale të Gjermanisë tha për një gazetë gjermane se autoritetet janë duke i hetuar këta vozitës dhe po e shqyrtojnë mundësinë e kategorizimit të këtij organizimi si garë ilegale.

Këtë javë, policia i parandaloi dy gara tjera me vetura në qytetet perëndimore të Duisburgut dhe Krefeldit, shkruan “The Guardian”

(Kosova Sot Online)